Unë nuk jam krenar për Shqipërinë 'tënde', Borat!

Unë nuk jam krenar për Shqipërinë 'tënde', Borat!

Nga Erion Dasho - 25/04/2024

Borati lajmëroi për nisjen e një turi në diasporë nën sloganin "Krenar për Shqipërinë". Sigurisht që çdo shqiptar, jo vetëm ne që kemi lindur e jemi rritur atje, por edhe fëmijët tanë që po rriten në emigracion, jemi krenarë për Shqipërinë.

Por nuk jemi krenarë për Shqipërinë "tënde", Borat! Dhe me Shqipërinë "tënde" unë nënkuptoj Shqipërinë që qeveris ti prej 11 vitesh. Nuk jemi krenarë sepse:

》Është një Shqipëri ku vidhet, ku grabitet, ku gllabërohet çdo fond dhe çdo burim. Ato i jepen oligarkëve të tu, i jepen ortakëve të tu politikë, i jepen militantëve të tu.

》Është një Shqipëri ku paguhen qindra milionë euro për incineratorë që nuk ekzistojnë.

》Është një Shqipëri ku ti fal Sazanin, Palasën, Himarën, Valbonën, Portin e Durrësit, e çdo pasuri tjetër të vendit.

》Është një Shqipëri ku ti bashkëqeveris me narkotrafikun, ku tre ministra të tu të brendshëm janë përfolur për bashkëpunim me trafikantët (njëri i dënuar) dhe ku vëllai yt dyshohet se ka përdorur të njëjtën makinë që transportonte trafikantë.

》Është një Shqipëri ku është rivendosur diktatura; ku një lider i opozitës është në arrest e tjetri po përflitet për t'u arrestuar.

》Është një Shqipëri ku ligjin e bëjnë patronazhistët dhe aktivistët e tu, këta spiunë të pështirë të shekullit të 21-të.

》Është një Shqipëri nga e cila shqiptarët po ikin pa kthim, të cilën ti e ke shkretuar duke ja kthyer qytetet dhe fshatrat në fantazma.

Ti mund të vish nesër në Athinë, Milano, Londër dhe Mynih për të takuar patronazhistët e tu të diasporës, por ti shqiptarët si unë e qindra mijëra kolegë e miq të tjerë nuk i takon dot.

Nuk na takon dot se ti na dëbove nga Shqipëria! Nga ajo Shqipëri për të cilën kemi qënë, jemi dhe do të jemi gjithmonë krenarë! Po ama jo për Shqipërinë "tënde", Borat!

Nëse do të bësh një të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, Borat, nise nga sot deri në prill të vitit 2025!

Bëj zgjedhje të ndershme! Mos bli vota! Mos angazho spiunë!

Garantoju votën shqiptarëve në diasporë! Mos bëj lojëra me ne!

Braktis aleancën me oligarkinë dhe narkotrafikun!

Çliroje SPAK-un dhe gjykatën! Mos i ndërse ato kundër opozitës!

Ndiq shembullin maqedonas! Shko në zgjedhje me qeveri teknike!

Dhe atëherë shqiptarët në Shqipëri dhe diasporë do të pranojnë çdo rezultat të zgjedhjeve dhe do të ndihen krenarë për vendin ku sundon demokracia, forca e ligjit dhe ndershmëria.

Dhe ku fituesi i zgjedhjeve të ndershme do të mirëpritet në diasporë duke i hapur dyert me bujari...
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco