‘Amerika e Para’ apo ‘Amerika e Vetmja’?

‘Amerika e Para’ apo ‘Amerika e Vetmja’?

Nga Gary D. Cohn & H.R McMaster - 31/05/2017

Presidenti Trump u kthye nga udhëtimi nëntë ditor në Lindjen e Mesme dhe Evropë mes përpjekjeve për të siguruar prosperitet dhe siguri për kombin amerikan. Amerika nuk do të bëj hapa prapa. Kjo administratë do të rivendosë besimin në udhëheqjen amerikane duke i shërbyer popullit amerikan.

“Amerika e Para” nuk do të thotë “Amerika Vetëm”. ‘Amerika e Para’ është një angazhim për të mbrojtur dhe avancuar interesat jetësore, duke nxitur gjithashtu bashkëpunimin dhe forcimin e marrëdhënieve me aleatët dhe partnerët e kombit.

Presidenti ishte i qartë në deklarimin se interesi primar i Amerikës është siguria e qytetarëve të saj. Në diskutimet jashtë vendit, zoti Trump inkurajoi aleatë të bashkohen me SHBA-në për të bërë më shumë për të mposhtur organizatat terroriste që kërcënojnë kombet paqësore në mbarë botën. Ai sfidoi udhëheqësit e më shumë se 50 vendeve me shumicë myslimane për t’u bashkuar "kundër vrasjes së myslimanëve të pafajshëm, shtypjes së grave, persekutimit të hebrenjve dhe therjes së të krishterëve".

Një qëndrim i fortë kundër terrorizmit është në përputhje me vlerat e përbashkëta të të gjitha feve më të mëdha të botës. Pas fjalimit historik të presidentit, udhëheqësit e kombeve me shumicë myslimane riafirmuan mesazhin e Trump dhe u angazhuan për t'u ballafaquar me terrorizmin dhe ekstremizmin që pllakosi të gjitha shoqëritë e civilizuara.

Për t'iu përgjigjur thirrjes dhe adresuar këto shqetësime të mëdha, Arabia Saudite inauguroi një qendër të re globale për luftën kundër ekstremizmit dhe disa vende të Lindjes së Mesme nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për të krijuar Qendrën e Targetimit të Financuesve të Terrorizmit, duke prerë kështu fondet për organizatat terroriste .

Sigurimi i prosperitetit ekonomik amerikan është gjithashtu kritik për interesat kombëtare të vendit. Në Arabinë Saudite, Presidenti Trump siguroi 110 miliardë dollarë investime në mbrojtje, të cilat do të forcojnë sigurinë rajonale dhe amerikane dhe do të krijojnë vende te reja pune.

Gjatë takimit me krerët e Bashkimit Evropian në Bruksel, Donald Trump përsëriti shqetësimin e tij rreth deficiteve tregtare të Shteteve të Bashkuara me shumë nga vendet evropiane. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e reciprocitetit në tregti, Ta themi thjesht, Amerika do t'i trajtojë të tjerët ashtu sic ata e trajtojnë.

Në samitin e shtatë vendeve më të industrializuara, në Sicili, ku Presidenti Trump forcoi marrëdhëniet me udhëheqësit e ekonomive më të mëdha në botë, anëtarët u bashkuan në komunikimin zyrtar për të qëndruar të vendosur "kundër të gjitha praktikave të padrejta tregtare" .

Aleancat e forta dhe partnerët ekonomik janë një interes vital për Amerikën. Duke rikonfirmuar angazhimin ndaj NATO-s, Presidenti Trump sfidoi aleatët evropian për të ndarë në mënyrë të barabartë përgjegjësinë për mbrojtjen ushtarake.

Për herë të parë në dekada, u arritën rezultate të reja. Aleatët evropianë kanë premtuar të përmbushin angazhimet e tyre të mbrojtjes. Aleancat e bazuara në respektin e ndërsjellë dhe përgjegjësinë e përbashkët janë të forta. Dhe aleancat e forta forcojnë fuqinë amerikane.

Në Izrael, Presidenti Trump afirmoi se një shtet hebre, i sigurt dhe demokratik, është thelbësor për interesat amerikane në rajon. Presidenti u takua edhe me udhëheqësin palestinez, sepse e kupton rëndësinë e angazhimit amerikan në ndjekjen e  marrëveshjes  paqësore mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Amerika do të jetë sërish një mike e vërtetë për partnerët dhe armikja më e keqe për armiqtë .

SHBA-ja angazhohet me botën që të mos imponojë mënyrën e saj të jetës, por "të sigurojë bekimet e lirisë për veten dhe pasardhësit e saj". Kjo do të thotë të identifikojmë interesat dhe parimet që e bëjnë Amerikën të pazakontë dhe avancimin e tyre në Lindjen e Mesme, me aleatët e NATO-s , vendet e G-7 dhe më gjerë.

Presidenti Trump u nis në udhëtimin e parë presidencial me një pikëpamje të qartë se bota nuk është një "komunitet global", por një arenë ku kombet, aktorët joqeveritarë dhe bizneset angazhohen dhe konkurrojnë për përparësi. Amerika sjell në këtë forum nje forcë të pashoqe ushtarake, politike, ekonomike, kulturore dhe morale.

Ky udhëtim historik përfaqësoi një zhvendosje strategjike për Shtetet e Bashkuara. Amerika së pari sinjalizoi rivendosjen e udhëheqjes amerikane dhe rolin tradicional të qeverisë amerikane jashtë shtetit, duke përdorur burimet diplomatike, ekonomike dhe ushtarake të SHBA-së për të rritur sigurinë amerikane, për të promovuar begatinë amerikane dhe për të zgjeruar ndikimin amerikan në mbarë botën. / Wall Street Journal – Përshtati Syri.net/

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ce do31/05/2017 21:21

Amerika e vetmja apo amerika vetem?

Shto koment

Denonco