Raporti i Ambasadorëve Amerikanë: i zoti e jep, shërbëtorët s’e lëshojnë

Raporti i Ambasadorëve Amerikanë: i zoti e jep, shërbëtorët s’e lëshojnë

Nga Alfred Lela - 14/03/2024

Raporti i Këshillit të Ambasadorëve ka zbuluar, jo se Sali Berisha është një i dënuar dy herë pa fakte, sepse këtë e dinin edhe autorët e non grata-s edhe të arrestit shtëpiak, por se ka një Amerike tjetër, jozyrtare, të pakompleksuar dhe të lirë, që flet për të vërtetën ashtu siç e sheh.

Sali Berisha nuk ka pse të jetë i kënaqur, as mbështetësit e tij; të helmatisur prej këtij raporti janë ata që, gjithë këta muaj të gjatë, ndërtuan në Tiranë konstruktin e një Amerike imagjinare jashtë të cilit u lanë, si anti-amerikanë, të gjithë mbështetësit e shefit të opozitës.

Raporti i KA u ka hequr skelën këtyre konstruksionistëve, dhe tani ata janë peng në kullën e gabuar që ngritën vetë.

Nuk është më Sali Berisha në izolim, por ata.

Nuk janë më mbështetësit e tij ‘anti-amerikanë’, por janë ata vetë robër të një distopie politike.

Fakti që heshtin kur ka një lajm të tillë, dëshmon se ata flasin vetëm për lajme të porositura të propagandës. Atyre nuk u intereson realiteti, por paralelja e tij, pasqyra ku ata dhe qeveria duken mirë.

Raporti i Ambasadorëve Amerikanë ka ‘vrarë’ dy linja zyrtare. Atë të Departamentit të Shtetit dhe të qeverisë Rama. Për këtë të fundit ka shpërndarë edhe një lajm të keq: Berisha u godit për të paralajmëruar Ramën. Por, prit, se këtu ka një teh që pret thellë. Nëse Berisha është dënuar pa fakte për të paralajmëruar Ramën për të cilin ka fakte-se përndryshe nuk do ishte nisur ‘telegrami’ me Berishën-, por është edhe në pushtet, i ç’lloji do jetë dënimi për të?!

Kasandrat e shumicës duhet ta lexojnë këtë fakt për komandantin e tyre në fund të pushtetit.

Raporti, ka dekonstruktuar një mit edhe më të madh, të shtyrë drejt agorës publike nga propaganda qeveritare këta muajt e fundit, që nga koha kur SPAK-anjosët u lëshuan mbi Berishën, Malltezin dhe familjen e madhe politike të opozitës.

Ky mit na thoshte se nuk është Rama, madje ai ka interes ta mbrojë Berishën, sepse ky e mban në pushtet (?!?). Pas ngulmimit të SPAK janë amerikanët.

Epo, Raporti i Këshillit të Ambasadorëve na thotë të kundërtën. Amerikanët donin një Berishë në stol, jo një të burgosur. Një Berishë i martirizuar, nëpërmjet një përndjekje dyfish të padrejtë dhe pa fakte, bëhet një Berishë i pashmangshëm.

Përndjekja e Berishës është pra një akt politik, i gatuar në dhomat e pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.

Raporti i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë është akti i dytë i zhvlerësimit të non grata- së Berishës. Të parin e formuluan britanikët në shkëmbimet me avokatët e kryetarit të PD. Një Home Office i dorëzuar e pranonte: nuk kemi fakte, por nuk e tërheqim dot non grata-n sepse kjo do të thoshte turpërim publik.

Non grata ka rënë, si amerikanja ashtu dhe britanikja, për faktin se nuk ka patur kurrë bazë. Ajo u ngrit si mjet i komunikimit dhe manovrimit politik, jo si akt ligjor drejtësie apo etike.

Atë që duket se amerikanët dhe britanikët e kanë ‘dorëzuar’ si të paqëndrueshme, nuk e lëshojnë ama ‘amerikanët’ dhe ‘britanikët’ e Tiranës. Ata kanë ndërmend të bëjnë për Perëndimin më shumë edhe se vetë ata që e kanë për detyrë mbrojtjen e tij. Është kompleksi i natyrshëm i atij që nuk përket dhe i renegatit, janë ish-ushtarët e Traktatit të Varshavës që shpallin më shumë dashuri për NATO-n edhe se vendet themeluese, janë sfilitjet për të qenë më katolik se Papa, më amerikan se WASP-ët e Bregut Lindor*.

Raporti duhet lexuar si duhet, sidomos nga një palë: kupola e SPAK dhe GjKKO. Ata janë para një vendimi kyç për jetën e tyre si njerëz të jurisprudencës. Do të vazhdojnë si persekutorë politikë apo do të kthehen te siguria e ligjit? Do të mbajnë porosinë politike apo do të kuptojnë te teksti i atij Raporti se çdo porosi e tillë dekonstruktohet një ditë, dhe zbatuesit, më shumë se porositësit, bëhen qesharakë dhe të detyruar për llogaridhënie.

*WASP- White, Anglo-Saxon, Protestant: quhen kështu elitat politike dhe ekonomike të Bostonit dhe qyteteve të tjera të Bregut Lindor të Amerikës, për të përkufizuar se kush e drejton vendin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco