Pse kaq ‘ekstravagante’, sjellja e Blinken karshi kanakarit të tij të korruptuar?

Pse kaq ‘ekstravagante’, sjellja e Blinken karshi kanakarit të tij të korruptuar?

Nga Ndriçim Kulla - 18/02/2024

Të shkruash për një bilanc të vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, zotit Blinken, ndryshe nga të gjitha vizitat e shumë homologeve të tij të ndodhura në vite, kësaj rradhe kërkon te jesh i ftohtë, shumë i ftohtë.

Duhet të përzësh në maksimum entuziazmin e lëvdatave që ai dha për kryeministrin si thjesht propagandë, por nga ana tjetër duhet të përçmosh edhe pesimizmin e mjaft analistëve ndaj qëndrimit të tij të njëanshëm dhe herë-herë tendencioz me faktet dhe realitetin që ne njohim dhe që njihet edhe botërisht.

Ishte e çuditshme, shumë jashtë protokollit zyrtar dhe në shumicën e kohës festive dhe sipërfaqësore e gjithë rrjedha e kësaj vizite, sikur donte qëllimisht t’u shmangej mesazheve të mëdha, të mos pranonte dreka apo darka të munguara, t’u rrëshqiste pyetjeve për Kosovën, të bënte sikur harronte pyetjet për opozitën, të takonte në këmbë Veliajn, të takonte në këmbë gjithë SPAK-un e kështu me radhë, nëpër një mori te tërë veprimesh që nuk përputhen me një agjendë të mirëcaktuar të çdo vizite të këtij rangu.

Atëherë pse kaq " ekstravagante", sjellja e Blinken karshi "kanakarit" të tij Rama?!

Çfarë ka ngjarë që ai e quan atë në terma maksimalistë si partner dhe udhëheqës të mrekullueshëm?! A ka gjuhë diplomatike normale që kalon ne të tilla skajëzime lëvdatash që s’kanë asnjë lidhje me realtetin e nxirë të qeverisjes së tij?!

A është qëndrim diplomatik i logjikshëm ai që zeron dhe bën hiç çdo konstatim të vazhdueshëm gjithë këto kohë të bërë nga DASH për demokracinë e munguar dhe korrupsionin e padënuar të qeverisë Rama?!

Po çështja McGonigal sot,  a nuk dëshmoi tekstualisht se ky njeri nuk "ka marrë para borxh nga miq", por nga njerëz afër Kryeministrit dhe se këto para kanë " sajuar një dosje kundër lobistit Muzin, për llogari të dënimit të një udhëheqësi të opozitës"?!

A nuk duhej të kishte një gram dinjitet dhe brerje ndërgjegjje, Sekretari i Shtetit dhe ta kishte gjuhën e drejtë e të përmbajtur?!

Nuk është se ne nuk i vlerësojmë mesazhet që ai u mundua të jepte, as se surprizohemi nga mbështetja që i dha Ramës, përderisa gjithçka ishte një shoë, por gjuha dhe shprehjet maksimaliste zbulojnë gjithë brendinë dhe thelbin e qokës që ai bëri, i udhëhequr nga po e njëjta dorë që e detyroi të nënshkruante non-grata dhe që do ta shtrëngojë ndoshta ta çojë Ramën edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Gjithçka provon atë rrjedhë logjike të thjeshtë që për të shpëtuar fytyrën e humbur nga dështimet e non-gratas të paprovuar me fakte dhe skandalit McGonigal të mbytur nga provat e dosjes së drejtësisë amerikane, duhet ta ngremë në qiell e ta mbrojmë deri në fund kanakarin tonë në Tiranë, sepse dështimi tij është dështimi ynë.

Të njëjtën kompliment dhe të njëjtën propaganda bëri Alex Soros në ceremoninë e ardhjes së Bill Clinton pak kohë më parë.

Kushdo mund ta gjejë kronikën për të provuar nëse  se Blinken ka qenë në mendjen Soros-it të ri apo janë e njëjta mëndje.

Kjo është arsyeja e brendshme, e padukshme, lëvizëse e këtij kontrasti dhe qasje kontradiktore të Blinken me vetë DASH dhe deklaratat e tij dhe fakteve kokëfortë të drejtësisë amerikane.

Duke qenë e tillë, e skajshme, e dyshimtë dhe kontradiktore, kjo vizitë shumë pak  vlerë ka  për të tashmen dhe ardhmërinë afatgjatë të Shqipërisë, sepse nuk është produkt i një politike të amerikane, por i një politike konjukturale lobimi të padrejtë kundrejt një populli të vogël.

Jo më kot ai iu shmang opozitës siç kanë bërë dhe duhet të bëjnë politikanët e vërtetë, kur i kishte të gjitha mundësitë dhe rastin për të demonstruar ngazëllimin e vet  për gjendjen e saj. Por si duket paturpësia e këtij veprimi u kursye, ndoshta se e brente ndërgjegjja e fajit të tij të madh për përçarjen dhe denigrimin e saj të pamerituar.

Gjithsesi, edhe kjo heshtje, kjo mungesë anatemimi dhe pozicionimi brenda saj është një mesazh. Demokracinë dhe lirinë nuk mund ta ndalë apo ta ndalojë askush, atë duhet ta fitojmë me betejat tona madhore, dhe se vetë Blinken rrugën nuk na e la të mbyllur për të marshuar drejt saj.

Konfederata dhe bashkimi janë themele të mira mbi të cilat duhet ngritur një ngrehinë e tërë, që as Blinken, as kjo qokë sorosiane, nuk duhet ta shkurajojë e ta frenojë.

E ardhmja u përket idealistëve dhe guximtarëve, mendjeve të kthjellta në programe, alternativa dhe ekipe.

Le të ecim nëpër këto shina, pa na i lëbyrur sytë “dielli” i propagandës që shkëlqeu Blinkeni me kanakarët e vet shqiptarë, në lojën e tyre sipërfaqësore dhe boshe nga thelbi dhe parimet, krahasuar me gjendjen reale shqiptare.

Koha do të dijë të na e zbulojë një ditë edhe këtë mister.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco