Vizitë e paharruar e Sekretarit Blinken

Vizitë e paharruar e Sekretarit Blinken

Nga Salvador Doda - 16/02/2024

Vendin tonë, fanar ndriçues të socializmit, e vizitoi ditën e djeshme sekretari për politikën e jashtme të Internacionales Socialiste, Antony Blinken. Gjatë vizitës së tij, e cila u përcoll me jehonë nga agjensitë e lajmeve të mbarë globit, sekretari Blinken u njoh nga afër me sukseset dhe arritjet madhështore të Shqipërisë socialiste nën udhëheqjen largpamëse të Partisë tonë të lavdishme.

Pas takimeve me drejtues të organizatave të Frontit Demokratik, të Rinisë Socialiste, dhe të Drejtësisë Popullore, në fund të vizitës së tij njëditore në vendin tonë, përfaqësuesi i lartë i Internacionales Socialiste dha një konferencë për shtyp në krah të sekretarit të parë të komitetit të Partisë, shokut Edvin Rama.

Gjatë konferencës për shtyp, sekretari Blinken përcolli përshëndetjet dhe urimet më të sinqerta dhe vëllazërore të kryetarit të Internacionales Socialiste, Xhorxh Soros, dhe të sekretarit të përgjithshëm të organizatës, Xho Bajden, drejtuar popullit tonë për arritjet madhështore nën udhëheqjen e Partisë dhe shokut Edvin Rama.

Pasi shprehu admirimin e tij për shokun Edvin Rama si një udhëheqës i shquar dhe kryeministër i shkëlqyer, sekretari Blinken falënderoi në emër të shokut Soros dhe shokut Bajden tërë popullin shqiptar për mikpritjen dhe trajtimin që i rezervuan ish-përfaqësueses të Internacionales Socialiste në Tiranë, shoqes Kim, e cila falë trajtimit me kujdes dhe dashuri, gjeti sharmin e humbur femëror, duke rivalizuar Miset e botës së egër kapitaliste.

Në fund, përfaqësuesi i lartë i Internacionales Socialiste u shpreh se Shqipëria duhet të vijojë të qëndrojë e fortë dhe e pathyeshme si një shkëmb graniti buzë Adriatikut, një kështjellë e pamposhtur e trafikut të drogërave të lehta e të rënda, e krimit, e grabitjes së pasurisë publike, pastrimit të parave, dhe korrupsionit endemik dhe të gjithanshëm.

Pas konferencës për shtyp, i shoqëruar nga udhëheqësi ynë i dashur, shoku Edvin Rama, përfaqësuesi i lartë i Internacionales Socialiste ndoqi me interes të veçantë dhe entuziazëm koncertin që trupa e ansamblit të këngëve dhe valleve popullore të rrethit të Gjirokastrës shfaqi për nder të tij, ku kënga, 

Çohu Enver, të keqen nëna,

si po të mban qivuri brenda;

dil andej, t’u këndoftë kënga,

dil, të na gufohet zemra...

u këndua disa herë nën duartrokitjet e ngrohta të sekretarit Blinken dhe të udhëheqësve të Partisë sonë të lavdishme.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco