Çfarë ndodhi me Karnevalet në Shkodër?

Çfarë ndodhi me Karnevalet në Shkodër?

Nga Jerina Luka - 13/02/2024

Karnavalet janë festa e maskave, ëmbëlsirave, petullave, argëtimit në rrugë dhe shakave!

Kjo festë, e famshme në të gjithë botën, është një nga festat më të mezi pritura të vitit nga të rriturit dhe fëmijët të cilët për një ditë mund të vishen duke përdorur maska ​​dhe të shndërrohen në një personazh të traditës dhe fantazisë.

Karnavalet janë një festë e lidhur me botën e krishterë, kryesisht atë katolike, por origjina e saj gjendet në kohë shumë më të largëta. Festa përmban gjithashtu simbole pagane dhe rite të lidhura me zgjimin e natyrës. Ka referenca që babilonasit, hititët, fenikasit, egjiptianët dhe shumë popuj të tjerë të lashtë i kremtonin hyjnitë e tyre në këtë mënyrë.

Shkurti ishte muaji në të cilin në Romën e lashtë festohej pjelloria e tokës, që pas vështirësive të dimrit, nis të ushqejë përsëri njerëzit dhe kafshët. Festat romake të njohura si Saturnalia dhe ato greke të quajtura Dionisia, për shkak të karakterit të tyre, të kujtojnë pikërisht karnavalet siç i njohim sot.

Gjithashtu, paradat me maska dimërore, të karakterizuara nga komedia e grotesku dhe festivalet popullore në çdo fillim viti vazhduan edhe në mesjetë, por pikun e tyre të shkëlqimit festimet e Karnevaleve e arritën gjatë periudhës së ‘Rilindjes’ (Rinascimento) organizuar për herë të parë nga Lorenzo de' Medici në Firence.

Pavarësisht rrugëtimit të kësaj feste ndër shekuj, mund të themi se Karnavalet e Venecias mbeten padyshim më të famshmet në botë. Për rreth 15 ditë, qyteti i veçantë italian, është i mbushur me evente, festa vallëzimi, maskarada me kostumet nga më magjepsëset në botë, si nëpër klube ashtu edhe në shtëpitë veneciane. Krahas nismave private, ka edhe evente zyrtare të organizuara nga qyteti i Venecias: ballo me maska dhe shfaqje spektakolare që zhvillohen çdo ditë e natë gjatë gjithë kohës, për dy javë rrjesht.

Edhe Shqipëria ka historinë e saj me këtë festë. Karnevalet festohen në Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Përmet dhe në fshatrat e Zagorisë.

Nuk ka asnjë dyshim që Shkodra, është qyteti më i vjetër i trashëgimisë së festimit të Karnevaleve në Shqipëri. Lidhjet historike të Venecias me Shkodrën si duket ndikuan që kjo festë të huazohej nga shkodranët prej me shumë se 1 shekulli (rreth viteve 1860-61). 

Kjo festë e qytetit verior e ka zanafillën tek vatrat familjare e më tej tek ata farefisnore, më vonë të lokalizuara në rrugica, lagje e më pas në të gjithë qytetin.

Nga viti në vit ‘karnavalet shkodrane’ merrnin tipizimin e vet, mbështetur kryesisht në humorin ironizues, gjithmonë në antitezë e kundërshti me të metat e kohës, qofshin këto të sistemit qeverisës, apo të metave social-ekonomike të kohës. Po kështu u veprua edhe kur ato qenë të organizuara dhe jo spontane, por tashmë të parapërgatitura, madje edhe të prezantuara në fletëpalosje apo broshura.

Në Shkodër, ashtu si dhe në shumicën e popujve që e festojnë, data e Karnevaleve përcaktohet nga kremtimi i festës katolike të Pashkëve. Kështu është një festë që nuk ka datë fikse, ndryshon çdo vit.

Për të zbuluar se kur bien Karnevalet, duhet të numëroni ditët nga e diela e Pashkëve, e cila është gjithashtu një festë e lëvizshme. Pra, 6 javë pas (invers në kohë): 5 javët para Pashkëve janë ato të Kreshmës, e gjashta është ajo e Karnavaleve.

Këtë vit (2024) bota festoi karnavalet në periudhën midis 8 dhe 17 shkurtit dhe datat më të spikatura janë: 8 shkurt dita që nisin festimet; 13 shkurt dita e fundit kur mund të festohen Karnevalet dhe 14 shkurt 2024 është e mërkura e hirit, dita që nis Kreshmën.

Sipas zakonit në qytetin verior, Karnevalet  nisin me atë që quhet e ‘enjtja e bijave’ (atë ditë është zakon që të thirren bijat e shtëpisë në gjini për të shijuar ushqime nga më të ndryshme dhe nga ku tradita të shumta gastronomike rrjedhin nga ky zakon) dhe mbyllet të ‘martën e majme’ (ditë që përfaqëson mundësinë e fundit për të konsumuar ‘tavolina të pasura’ me bazë mishin).

Pas kësaj jave nis periudha e Krezhmeve ku për 40 ditë të krishterët përgatiten për Pashkët përmes sakrificave dhe lutjes.

Ndërkohë që bota sot mbyll Festën e Karnevaleve, Shkodra ende nuk e ka nisur... festimet ja kanë komanduar në data të tjera...Nuk e di nëse ka ndodhur për mungesë informacioni apo për ndonjë arsye tjetër..., por kjo festë është një traditë të rëndësishme e mbushur plot me detaje që me vizionin, organizimin dhe promovimin e duhur mund ta kthente (pse jo për 1 javë rresht) qytetin e Shkodrës në një qendër turistike për shqiptar dhe të huaj.

‘Rikthim të festimeve të Karnevaleve’ shkruhej në një njoftim, por në fakt është festuar çdo vit, herë me më shumë kërshëri e ‘shije’ e herë me më pak. Pra, asnjë rikthim!(sa për sqarim)

‘Ejani të përjetojmë së bashku si dikur traditën shumëvjeçare të shkodranëve’ shkruhej po ashtu në të njëjtin njoftim. Dikur e gjithmonë, Karnevalet festoheshin në datat që përkojnë dhe fillimi i mbarë thuhet se është gjysma e punës...

Karnavalet nuk ka aspak kuptim të festohen brenda kohës së Krezhmeve, është njëkohësisht gabim dhe mungesë respekti për të cilën nuk është keq të jepet një shpjegim madje të kërkohet edhe falje publike!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco