Qëndresë për t’u rrëfyer

Qëndresë për t’u rrëfyer

Nga Hysni Gurra - 26/01/2024

Sulmi orkestruar politik ndaj një politikani që pati dalë me vullnet të lirë nga skena politike prej gati 9 vitesh, është i paprecedentë në rajon e më gjerë.

Por ajo që erdhi më pas shënon po ashtu një nga rastet unike në botë të qëndresës së një individi përballë të gjithëve.

Në momentet e para të dizenjimit non grata, Sali Berisha deklaroi se ky ishte një sulm i orkestruar dhe i pambështetur në prova e fakte.

Ndërmori disa hapa simbolikë si padia në gjykatën Korreksionale të Parisit, dhe filloi një betejë të brendshme.

Me të drejtë, në fillim shumica ngriti pyetjen, ç’do të bëjë? I ka hyrë detit në këmbë!

Kjo sepse ka shqiptarë, të cilët edhe qëndresën për të drejtën e kanë realtive, në varësi të forcës së atij që qëndron përballë dhe jo në varësi të forcës që mbart e vërteta në vetvete.

Me një energji të jashtëzakonshme, me një durim shembullorë, me një punë titanike…, Sali Berisha ka mbi 2 vite që mban 2-3 konferenca në ditë për mediat, i ka rënë Shqipërisë kryq e tërthor më shumë se dy herë dhe ka bërë beteja të pashembullta në Parlament derisa i detyroi ta nxjerrin nga aty, në shkelje të Kushtetutës e ligjit

Kjo qëndresë shënon një nga rikthimet më befasuese në historinë politike shqiptare, rajonale.

Asnjë politikan që ikën 8-9 vite nga skena politike, që vihet nën sulme të padrejta nga partia në pushtet, nga një prej fondacioneve më influente në botë, siç është F. Soros, pothuajse kurrë nuk bën beteja ndaj tyre.

Sali Berisha i sfidoi publikisht të gjithë, “më nxirni një provë dhe largohem”, asnjë provë nuk gjetën dot.

Megjithëse kanë një makineri super të rëndë në duar, që e përdorin si hanxhar kundër tij, siç është SPAK, përveçse ta arrestojnë pa prova nuk mundën dot të bëjnë më shumë. Tre vite duke e hetuar, nuk e thirrën kurrë për ta pyetur pasi nuk gjetën prova dhe u detyruan ta mbyllin me zor brenda.

Qëndresë që bindi gjithë botën:

Sali Berisha tha nuk kanë prova, sot s’ka njeri që nuk është i bindur se pati të drejtë.

Sali Berisha tha se non grata erdhi si pasojë e lobingut, sot s’ka njeri që nuk është i bindur se pati të drejtë. Tashmë të gjithë e njohin McGonigal-in. Të gjithë e dinë që ka pranuar se është korruptuar nga Edi Rama për lobing kundër opozitës.

Sali Berisha tha se SPAK është i kapur. Nuk ka njeri që nuk e sheh sot se SPAK është strukturë politike që burgos Sali Berishën pa prova, dhe nuk prek me dorë Ilir Beqajn që ka tre akuza. SPAK nuk prek dot me dorë Edi Ramën dhe Erion Veliaj për të cilët ka prova dhe firmë, në vjedhjen e shekullit, inceneratorët dhe konçensionet.

Sali Berisha doli vetëm dhe sot ka së paku 47 deputetë në mbështetje nga 58.

Sali Berisha doli vetëm, hyri në zgjedhje pa simbole partie dhe pa emër, dhe në kushtet kur Shqipëria është shpopulluar me rreth 1-milionë njerëz, sërish mori mbi 500-mijë vota.

Sali Berisha e nisi vetëm, por sot askush nuk thotë dot se ai nuk është lideri i opozitës.

Kjo qëndresë, ky rikthim është më befasues për një arsye tjetër.

Sali Berisha, në moshën 79 vjeçare u shndërrua në burimin e frymëzimit për shumë njerëz që u kërcënohet lirina dhe dinjiteti çdo ditë.

Sot çdo njeri i ndershëm ka një shembull se si edhe i vetëm përballë të gjitha forcave, mund t’ia dalësh, sepse e drejta është forca e forcave.

Dominimi i Sali Berishës në elektoratin opozitar tregon se ndër votuesit më të përkushtuar demokratë dhe jo, nuk ka asnjë çmim që duhet ai të paguajë si shkak i sulmeve politike.

Në fakt, shfrytëzimi i suksesshëm i gjendjes së persekutimit politik që po i bëhet, u shndërrua në një narrativë shpjeguese shembullore para shqiptarëve dhe vendeve të huaja.

Disa nga mediat më të mëdha europiane kanë shkruar vazhdimisht se Sali Berisha tashmë është një i burgosur politik i pushtetit autokraktik të Edi Ramës.

Një qëndresë që u dëgjua në mbarë botën.

Fitorja e Berishës përballë shpifjeve dhe sulmeve politike e bën perspektivën teorike që ai mund të mos ndalet më vetëm te rikthimi si lideri i opozitës, por edhe më shumë se aq.

Triumfi i një politikani karriere të një shteti të vogël ballkanik ka bërë jehonë në mbarë botën.

Qëndresa e Sali Berishës do të rrëfehet në librat e historisë, si rast unik, i një politikani të cilit edhe pse perandoria e kohës i bën një padrejtësi të hapur, ai nuk shkon të përqafojë vlerat e një perandorie tjetër, për kundra peshë, që do ishte gjëja më normale, nuk e bëri asnjë moment.

Berisha qëndroi në po të njëjtat vlera me bindje dhe po lufton për to.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco