Drejtësia e re, një '1984' shqiptare

Drejtësia e re, një '1984' shqiptare

Nga Alfred Lela - 25/01/2024

Parashikimi se republika parlamentare e Shqipërisë mund të kthehet në një cyborg ekzekutivo-justicialist është i trishtë në vetvete.

U ndodh kjo kryesisht vendeve që kanë jetuar gjatë në tranzicion dhe, kur nuk kanë mundur të dalin prej tij në kohë, pra pa kaluar dot nga regjim hibrid në demokraci, kanë rënë në një formë të ndërmjetme, që ka veshje demokratike dhe brendi totalitare.

Kjo formë e ndërmjetme, në rastin e Shqipërisë, vjen me një kryeministër të fortë paralel me një sistem drejtësie ekstra-kompetencial. Gjatë rrugës njëra anë dominon tjetrën dhe, me rast, ndërrojnë vendet, por çka mbetet është nevoja e secilit pushtet për të ekzistuar në vetvete që, legjitimon tjetrin.

Shenjat e kësaj janë te sjellja e të ashtuquajturit sistem drejtësie me opozitën. Në dy raste thuajse paralele, hetimi i liderit të opozitës dhe simbolet politike dhe juridike të Partisë Demokratike, kanë mbetur në dhëmbët e këtij cyborgu të persekucionit.

Sistemi, i kapur në absurdin e vet, nuk e kupton absurdin. Këto janë gjendjet politiko-shoqërore që aq mirë përshkruan Oruelli te “Ferma e kafshëve” dhe “Viti 1984”. Pjesë e këtij absurdi është psh fakti se gjyqtarja Blerina Muçi merr një vendim në dëm të PD dhe, muaj më vonë, vettingu e skualifikon gjyqtaren, duke cituar pikërisht këtë shkelje. Pjesa tjetër e sistemit nuk reagon që ta korrigjojë gabimin e pjesës që e ka bërë. Pak a shumë, sikur një individ të jetë dënuar për vrasje, dhe pasi ka bërë dy vjet, në një rigjykim, gjendet i pafajshëm, por vazhdon të mbahet në qeli.

E njëjta gjë edhe në rastin e Berishës, kur SPAK krijon një precedent me një deputet (Tahiri) të cilin po vetë e kundërshton me një tjetër (Berishën).

Apo kur i bëjnë një interpretim të trashë Kushtetutës, duke quajtur ‘heqje lirie’ vetëm arrestimin, por jo edhe ndalimin e lëvizjes së lirë dhe aktivitetin politik. Është si të shkosh mbrapa në histori te lufta e gjatë për të drejta civile e zezakëve në Amerikë, dhe të përfundosh se segregacioni në shkolla nuk është mungesë lirie, është thjesht kategorizim.

Kategoria ku prokurorët dhe gjyqtarët tanë bien, me predispozitën e dëshmuar ndaj opozitës është QESHARAKJA.

Opozita është kategori sasiore dhe cilësore, si e tillë ajo kërkon nga gjykatat një vlerësim sasior dhe cilësor. Sjella publike (nëpërmjet vendimeve dhe akteve) i bën gjyqtarët e ‘rinj’ të duken të tredhur kulturalisht dhe të urdhëruar politikisht.

Përkimet e vendimeve të tyre me agjendat e pushtetit janë shumë për të qenë rastësi. Në ‘drejtësinë e kapur’ që ishte para tyre, ka qenë e kundërta: gjykatat ‘preferonin’ agjenda opozitare. 

Pasë thënë këtë, a mund të logjikohet kështu: sistemi i drejtësisë ka qenë tradicionalisht i majtë, por tani është trimëruar nga një konspiracion qeveritar dhe transnacional kundër opozitës së djathtë dhe ka vendosur ta asgjësojë?!

Kjo mund t’u duket shumë vetëve po aq normale sa dhe Big Brother, por nuk është e tillë. Përbën një atentat sitemik kundër lirive dhe të drejtave politike, individuale dhe shoqërore.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco