'Sokol Sadushi' duhet shpallur i jashtëligjshëm

'Sokol Sadushi' duhet shpallur i jashtëligjshëm

Nga Elvi Fundo - 22/01/2024

Ai nuk është i pari zyrtar i Partisë Socialiste që shfrytëzon rastin të deklarojë adhurimin për shallin e kuq të trekëndëshit komunist.

Nuk është i vetmi që paska mbajtur prej 34 vitesh, të zhytur thellë në xhepin e xhaketës, simbolin më të shëmtuar komunist. Atë simbol që jo rastësisht u shpik që t'i lidhej qafës çdo shqiptari që sapo mbushte 11 vjeç.

Ai nuk është shalli partizan dhe ky sqarim vlen për ata dritëshkurtër që fshehin adhurimin për simbolet komuniste, pas gjasme "respektit" për luftën antifashiste.

Sokol Sadushi nuk është injorant, që mos e dijë që shalli që sot me vullnet të lirë zgjodhi që të lidhë grykën, nuk është shalli i luftës.

Ai është shalli i "ndërtimit të socializmit". Është shalli që në 3 cepat kish fiksuar simbolikën e diktaturës së "proletariatit" e që veç për proletariatin nuk mendoi kurrë.

Sokol Sadushi nuk është aq idiot që edhe nëse nuk i paskësh ditur këto kur ishte 11 vjeç e Partia i lidhi grykën, të mos i kuptojë të paktën sot në distancën e 34 viteve, nga dita kur i thanë që komunizmi ishte rrëzuar.

Por ai shall i rilidhur demonstrativisht sot në grykën e Sokol Sadushit, flet shumë. Gryka e Sokol Sadushit sot nuk ka të njëjtën peshë me grykën e 3 heronjve të tjerë të socializmit të rilindur që ngrefen në foto me Sokolin e Partisë.

 

Image

Ato shalle të shenjtëruar rishtazi, pas 34 vjetëve demokraci, janë mesazhi që ndan secili prej atyre që sot po krekoset me to.

Shqiptarët janë aq të mençur saqë të tallen me grykën e një deputeti superbiznesmen, ku skuq ngjyra e diktaturës së proletariatit që ndëshkonte me burg pronën private.

Shqiptarët dinë të sillen indiferentë me një kryetar bashkie që pasi provoi kapitalizmin, kujtohet dhe bëhet nostalgjik për 3-cepshin e kuq që i sillej rreth qafës dikur kur ishte 11 vjeç, dhe i "fliste" nga poshtë veshëve për vuajtjet e klasës punëtore në botën kapitaliste.

Shqiptarve nuk ju bën fare përshtypje një prefekt që duket sikur bashkë me vendimin e emërimit si i tillë, i kanë shtrënguar grykën fort sa t'i dalin sytë vendit, me shallin e kuq të pionierëve të Enverit.Por Sokol Sadushi është më shumë sesa të tre presonazhet groteske që e shoqërojnë në foto.

Ai është fytyra e drejtësisë së re për të cilën shqiptarët kanë paguar e paguajnë miliona.

Guximi i paturp i Sokol Sadushit, minimumi dëshmon që në këtë vend komunizmi po rilind dhunshëm dhe të paktën po aq i paturp sa koka që mbështetet në qafën ku është lidhur ai shall.

4 zyrtarë që i paska bashkuar shalli i kuq i lidhur nyje rreth fytit, do të ishin mjaftueshëm një këmbanë alarmi për ata pak njerëz me mend në kokë që kanë mbetur ende në këtë vend.

Por kur njëri nga ata të 4 është kryetari i Gjykatës më të lartë të halleve të shqiptarëve, atë herë ky deklamim i simbolit kimunist, është agresion ndaj demokracisë.

Image

Ai shall i lidhur me krenari në grykën e Sadushit është turpi sistemit.

Ai shall është litari ku u kacavirr Sadushi. Është motivi që bëri Sadushin kokë të sistemit të ri të drejtësisë.

Ai shall është kriteri që përdor Sadushi dhe banda që menaxhon drejtësinë, për çdo promovim në sistem.

Në Gjermani partia që adhuron nazi-fashizmin, po shpallet e jashtëligjshme vetëm sepse në salla të tyre promovojnë nacionalizmin që frymëzohet nga disa teza të vjetra nazi-fashiste.

Kurse Sadushi ynë krekoset në foto me shallin e kuq të komunizmit tonë, që me sa duket po bëhet trend mes socio-rilindasve. Mos u habisni nëse FRESSH e bën pjesë të uniformës 3-cepshin e kuq. SOKOL SADUSHI sapo na dëshmoi se e ka pjesë të uniformës së vet.

Ai shall i mbajtur aq krenarisht, është dëshmi e arrogancës me të cilën Sadushi shkruan e shpall vendimet në emër të diktaturës së proletariatit. Ai shall e ndan se sa i takon dikujt dhe ështe Sadushi që shkruan nëse i jep mjaftueshëm drejtësi kujtdo.

Është Sadushi që pasi lidh fort shallin në grykë mburret kafeneve që vendimet e tij nuk guxon t'i ndërrojë askush. Se ai ka shallin e kuq me 3 cepa. Ai shall dhe besnikëria ndaj 3-cepshit, është jo vetëm kriteri i suksesit të Sadushit! Ai shall është peshorja e drejtësisë për këdo që troket në zyrën e Sadushit!

Partia që adhuron nazi-fashizmin në Gjermani po shpallet jashtë ligjin. Asaj bote, janë bërë bashkë të gjithë që ta shpallin jashtë ligjit. Nxjerrja jashtë ligjit e simboleve të komunizmit këtej bote, është nevojë emergjente. Dhe duhet të fillojë nga qafa nga ku njëri prej simboleve më cinike na u shpall përdhunshëm.

Sokol Sadushi duhet nxjerrë jashtë dyerve të Gjykatës së Lartë. Pas kësaj mund ta mbajë edhe ne gjumë 3-cepshin e diktaturës. Dhe ta shtrëngojë fort!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco