Nacionalizmi folklorik dhe filozofia rusofile e argatit të Beogradit

Nacionalizmi folklorik dhe filozofia rusofile e argatit të Beogradit

Nga Agim Nesho - 13/10/2023

Fjalimi i djeshëm i zotit Rama në Parlament, që ngjante në formë me llogorenë e Hugo Chavezit, nuk kishte të bënte me aprovimin e një rezolute në favor të Kosovës. Ai me qëllim e pengoi që parlamenti Shqiptar të ndodhej që në momentet e para në krah të Kosovës, duke mos goditur Serbinë dhe Vuçiçin në qëndrimin e tyre të sponsorizimit të veprimeve terroriste me qëllim të destabilizimit të Kosovës dhe kthimit të konfliktit në Ballkanin Perëndimor. Fjalimi i tij me një retorikë të dallueshme nuk ishte vetëm pozimi i tij si një lider global, me shumë vizion që ‘paqen e bën me armikun’. Kjo retorikë ishte e përshtatur për të mashtruar ata që e duan vërtetë Kosovën, por janë të pafuqishëm përpara një lideri aventurier që edhe çështjen kombëtare e ka vënë në tryezën e pazareve për të siguruar një pushtet personal të pakufizuar; ishte përshtatur për të nxjerrë nga ‘turpi’ që i ka zhytur përfaqësuesit e mazhorancës, të cilët të tredhur nga pushteti i një njeriu që i shtyp ngushëllohen me shprehjen e ‘nacionalizmit folklorik’ të opozitës që mbron popullin dhe çështjen kombëtare.

Po pse fjalimi i kryeministrit Rama ishte në funksion të politikave të tij anti-Shqiptare dhe vazhdim i qëndrimeve të Vuçiç dhe planeve të tyre për të rikthyer Rusinë në rajon?

Së pari, Rama vazhdon me idenë që Veriu i Kosovës është tokë e askujt, duke i shërbyer idesë ruso-serbe që ka një konflikt të ngrirë në Veriun e Kosovës,i cili duhet zgjidhur. Ai me qëllim bën një zhvendosje të procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis dy republikave sovrane dhe të barabarta në vendosjen e diskutimit në një rrafsh më të zgjeruar politik, ku çështjet midis dy vendeve i konsideron të pazgjidhura dhe kërkon një konferencë paqeje të fuqive të mëdha për të imponuar zgjidhjen. Ai harron ose e bën me qëllim që Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, i legjitimuar dhe i njohur nga shumica e vendeve të botës.

Së dyti, Rama vë theksin në rëndësinë që ka njohja e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara duke i dhënë rëndësi njohjes ndërkombëtare që duhet të bëjë Serbia si shtet i pavarur, pa përmendur dhe bërë thirrje për njohjen e Kosovës nga 5 shtetet evropiane dhe integrimin e saj të shpejtë në NATO, që i siguron integritetin territorial nga ambiciet revizioniste të Serbisë dhe aleatëve të saj. Insistimi i Ramës për ‘Republikën e KFOR-it’ është plani i përbashkët i mirë përgatitur nga dyshja Rama-Vuçiç për ta paraqitur si një propozim të ardhur nga aktorët lokalë ballkanikë, që kërkojnë ruajtjen e stabilitetit. KFOR-i është komponenti ushtarak që shoqëroi projektin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Kosovës autorizuar nga Këshilli i Sigurimit. Sot kur shtetet kryesore në botë si SHBA, Britani e Madhe etj, kërkojnë shuarjen e funksionimit të UNMIK si komponenti civil i mbikëqyrjes ndërkombëtare, rritja e komponentit ushtarak risjell vëmendjen dhe mundëson rihapjen e rezolutës 1244 (1999) dhe trajtimin e çështjes në bazë të interesave të Rusisë, Kinës, etj. Ajo që duhet ti kërkohet Kosovës sot është që kryeministri i Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s të ndihmojë për nevojën e rritjes së kapaciteteve të saj mbrojtëse për të siguruar sovranitetin e saj.

Së treti, Rama insiston për asociacionin e kërkuar nga Vuçiç si parakusht i vazhdimit të dialogut për normalizimin. Sulmi terrorist i sponsorizuar nga shteti serb më 24 shtator tregon qartë qëllimet e Serbisë për të ‘kontrolluar’ Veriun e Kosovës duke e konsideruar atë pjesë të botës serbe. Ky asociacion sot, nuk mund të vihet si kusht paraprak përpara se komuniteti ndërkombëtar të bindet se Serbia është shtet që sponsorizon terrorizmin, të vendosen sanksione dhe të kërkohet që Serbia të shkëputet nga politikat ruse të destabilitetit të rajonit. Asociacioni i Veriut të Kosovës nuk mund të bëhet një tjetër Republika Srpska për të realizuar politikat ekspansioniste dhe të dominimit të Serbisë në Ballkan.

Së katërti, paralelizmi i Ramës me Palestinën për cështjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është një qëndrim dashakeq dhe i papranueshëm dhe shërben vetëm për ti bërë presion Kosovës. Kosova është Republikë demokratike,e lirë dhe sovrane që qëndron me dinjitet dhe e barabartë midis shteteve evropiane. Vetëm në kokat diabolike të Ramës dhe Vuçiç, Kosova mund të duket si Palestinë.

Së pesti, retorika e Ramës ishte një retorikë kundër Kurtit dhe retorikë ndarjeje për klasën politike të Kosovës. Ai godet Kurtin se i trembet qëndrimeve të tij patriotike në mbrojtje të kombit Shqiptar, kur Rama cdo ditë e më shumë po perceptohet si një argat i Beogradit për të mbetur në pushtet. Ai duhet të kuptojë që ai nuk është mbrojtësi i vetëm i UCK-së në dukje, për më tepër që persekutimi i udhëheqësve të lavdishëm të UCK-së filloi gjatë kohës së dashurisë së tij të madhe me Vuçiç, këtij iniciatori dhe frymëzuesi të skenarit për goditjen e UCK-së.

Prandaj askush nuk beson më tek ‘Oso-Kuka’ i Ramës, por tek ‘Oso Kuka’ fitimtar i Andi Bejtes.

Duke dëgjuar fjalën e Ramës në Parlamentin monarkik të tij, ku opozita është e dëmtuar me skenarë McGonigal dhe i është marrë e drejta e përfaqësimit; dhe kur mazhoranca buzëqesh dhe duartroket si ushtarët e Haxhi Qamilit, ndjej mjerimin që një aventurier politik mban peng një popull që nuk ka fuqi të shprehet edhe për çështjen kombëtare.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco