Buka (e thyer) si ‘gabimi’ me dashje i SPAK

Buka (e thyer) si ‘gabimi’ me dashje i SPAK

Nga Luçiano Boçi - 13/10/2023

Që SPAK ka një trysni të jashtëzakonshme nga Rama , kjo është afërmendsh dhe e prekshme. Përballimi duket akoma larg dhe argumentat shtohen çdo ditë. Pa mohuar atë që ka bërë SPAK deri tani, ngjan që ai nuk po ecën përpara, për të mos thënë që ecja e tij bëhet sipas parimit “të gaforres”.

Duket sikur ecën para, por në fakt ecën mbrapsht.

Rasti i Ahmetajt shton akoma më shumë skepticizmin.

Ndonëse brenda një gjuhe plot kode e simbolizma, Ahmetaj diçka e thotë shumë qartë në prononcimet nga larg: se organizuesi, projektuesi e zabatuesi i skemës korruptive të inceneratorëve është Rama, alias KOKA E ZEZË.

E ky përcaktim pothuaj bindës, nga ish krahu i djathtë i të majtit Ramë, duket se nuk ka shqetësuar vetëm këtë të fundit.

Vetë organi i akuzës është lëkundur. E në nxitim e sipër ka nxjerrë nga nënmënga një akuzë tjetër si përsëritje e së parës të inceneratorëve për Ahmetajn: atë të shpërdorimit të detyrës në privatizimin e një objekti në favor të një biznesmeni. E njohur ndryshe si dosja “Buka”.

Pothuaj figurativisht, sikur donte të përcillte mesazhin që midis Ramës dhe Ahmetajt buka është thyer dhe nuk ngjitet më.

Por këtu jemi në rendin e drejtësisë dhe jo të figuracionit e gjërat kalkulohen me kujdes.

Dhe diçka: Ahmetaj me të drejtë akuzon organin e akuzës se ai orkestron e dirigjon me orientim e përcaktim, publikimin e fashikujve me qëllim ngritjen e një opinioni fajësues e penalizues për të.

Njësoj si dikur në diktaturë, kur targetet ishin njerëzit e mbi bazën e tyre ndërtoheshin akuzat, të cilat duhet të ishin sa më të shumta.

Akuza e vjetër me pamje të re e lidhur me BUKËN nuk është e rastit. Se sa qëndron, i takon hetimit dhe ekspertëve ta përcaktojnë.

Ajo që të bën përshtypje në akuzën e re të vjetër është kapërcimi i çështjeve.

Nga inceneratorët kalohet  tek “Buka”, tek privatizimi i objekteve shtetërore si prona publike. 

SPAK këtu “gabon” me dashje.

Jo se s’mund të ketë veprime antiligjore në atë dosje, por sepse e këndvështron çështjen komplekse penale si akt individual, ashtu siç shprehet dhe Rama si një përgjegjësi individuale.

Sepse nga akuza për aferën e inceneratorëve e të privatizimit të pronave publike, përqëndeohet tek akuzat me sfond individual.

Po me këtë metodikë SPAK mund të kalojë  nesër në një akuzë “të re”, duke iu përmbajtur përsëri akuzës së vjetër të shpërdorimit të detyrës, por duke shtuar një çështje tjetër.

Po a e ndihmon kjo mënyrë SPAK-un në punën e qëllimin e tij, apo e mjegullon përgjegjësinë penale të personave?

Them se jo. Nuk e ndihmon, megjithëse në pamje të parë krijon  bombasticitet, lajm, habi.

Teknika që po përdor SPAK është e rrafshit të politikës, jo e rrafshit të drejtësisë.

Politika ngre akuza duke iu referuar së pari emrave të qeveritarëve, të cilët i lidh më pas me çështjet. Në këtë rast impakti në publik është i fortë.

Ndërsa drejtësia niset nga çështja, thënë ndryshe  nga vepra penale. Me qëllim që të ruajë objektivitetin e distancën e barabartë ndaj personave të përfshirë. E nisur nga afera ngre akuza ndaj individëve.

Veshja e Ahmetajt me të njejtën akuzë me disa çështje rëndon vërtet në mënyrë të njëanshme pozitën e Ahmetajt, por nuk zbardh çështjen penale dhe përgjësinë e të tjerëve e të Ramës.

Madje i vë kapak floriri të gjithë aferës dhe vërteton që Rama e do me çdo kusht Ahmetajn të dënuar për të shpëtuar veten dhe aferën.

S’dua të besoj se SPAK e kërkon një përfundim të tillë me gjithë faktet dekurajuese të evidentuara dhe në dënimet e Kokës e Bllakos.

Plus, kjo hapje “si vaji ne lakra”, shfokuson punën mbi çështjen më kryesore. Në rastin tonë atë të inceneratorëve ku  përgjegjës, duke futur dhe Ahmetajn që deri diku e ka kundërshtuar, ka shumë.

Midis tyre spikat Rama e Agaçi.

SPAK pikërisht këtu duhet të mbërrijë, sipas të gjitha dokumentave e dëshmive e jo ta ndërpresë hetimin e aferës, duke u mjaftuar me implikimin e Ahmetajt në një çështje tjetër, pa u tharë e pa u bitisur afera e inceneratorëve.

Hapja e derë pas dere, krijon efektin e labirinthit dhe nuk ndihmon aspak drejtësinë, përveç se Ramën.

Sforcimi e nxitimi i SPAK për të fikur inceneratorët e fikur brenda emrit, tani pas Kokës, të Ahmetaj është i dukshëm.

Sigurisht që mund të ketë indicie për një dosje BUKA, por ajo është vetëm shkëndijë e parë.

Ajo paralajmëron një tjetër aferë.

Atë të privatizimit të objekteve shtetërore. E në këtë aferë dora e Ramës do s’do SPAK është shumë e gjatë. Ai me VKM i ka dhuruar miqve të tij objekte ushtarake dhe fabrika të dikurshme, pothuaj pa asnjë qindarkë të derdhur në arkën e shtetit, para të cilave BUKA e Ahmetajt ngjan si thërrime tryeze, ku gostia e korrupsionit vazhdon ende.

Letrat duhen hapur e “zarët duhen hedhur”.

Nëse SPAK e ka seriozisht, po, le të merret me aferën e privatizimit të pasurive publike, përfshirë  dhe ato për qëllime strategjike dhe jo thjesht me një dosje për të ngarkuar Ahmetajn me faj të dyshimtë.

Rama aty është përsëri brenda kokë e këmbë!

SPAK duhet ta kapërcejë fazën e këtyre “gabimeve” me dashje, për t’i dhënë drejtësisë pamjen e vërtetë.

E kjo do të ndodhë kur “koka e zezë” e inceneratoreve, por dhe e privatizimeve e jo vetëm, pas kësaj të përballet me drejtësinë, i vendosur prapa hekurave.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco