Rezoluta e Edi Ramës për Kosovën, njollë turpi për Kuvendin

Rezoluta e Edi Ramës për Kosovën, njollë turpi për Kuvendin

Nga Romir Saraçi - 04/10/2023

Edi Rama duket se nuk heq dorë nga misioni për mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe Aleksandër Vuçiçin, edhe pse i gjithë faktori ndërkombëtar këtë herë është në krah të Kosovës dhe Albin Kurtit.

Si shef ekzekutivi, Rama këtë herë kërkon që në linjën e tij të jetë edhe Kuvendi, duke tentuar t’i vërë kështu një njollë të rëndë Shqipërisë.

Me anë të rezolutës së dorëzuar në Kuvend, Edi Rama, ndryshe nga parlamenti i Kosovës, por edhe SHBA e BE, inkurajon që terroristët serbë të hetohen po nga Serbia, e cila planifikoi e financoi këtë sulm.

Pasi Partia Demokratike kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të dalë me një rezolutë të njëjtë me atë të parlamentit të Kosovës, mazhoranca socialiste ka dorëzuar një tjetër rezolutë, e cila mbështet edhe më shumë qëndrimin e Edi Ramës se sa institucionet e Kosovës.

Që në pikën 1 të kësaj rezolute, shmanget përgjegjësia e Beogradit dhe lidhja me Serbinë e terroristëve bëhet vetëm prej origjinës së tyre e jo siç e cilësojnë institucionet e Kosovës apo parlamenti i Kosovës se sulmi ishte i planifikuar dhe sponsorizuar nga Serbia.

Një tjetër pikë që ngre pikëpyetje të mëdha për marrëdhëniet mes Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiçit e jo për mbështetjen ndaj Kosovës, është sugjerimi për një hetimi të paanshëm nga ana e Serbisë, në një kohë që si SHBA dhe Bashkimi Europian njohin autoritetet e Kosovës si kompetente për këtë hetim. Kërkohet që hetimi të bëhet pikërisht nga institucionet, që terroristët e vrarë i shpallën “heronj” dhe vendin e zhytën në ditë zie për nderimin e tyre.

Edi Rama kërkon që Kuvendi të mbështesë hetimin nga ato institucione që Milan Rajdoçiçi, udhëheqësin e këtij sulmi, e mbajtën vetëm 24 orë në qeli e për ironi ndaj hetimit të Kosovës, i ndaluan hyrjen në Kosovë! E nga ana tjetër, si Kuvendi i Kosovës, në rezolutën e tij propozon që për këtë ngjarje të ketë një hetim ndërkombëtar.

Por ndryshe nga të gjithë aktorët ndërkombëtarë, Partia Socialiste kërkon nga Kuvendi shqiptar që të mbështesë një hetim nga Serbia, i njoftuar pak ditë më parë edhe nga Aleksandër Vuçiç. 

Pra sipas kësaj rezolute, hetimi për serbët që sulmuan policinë e Kosovës duhet të kryhet nga Serbia.

Nga rezoluta e Partisë Socialiste është shmangur plotësisht qeveria e Kosovës apo kryeministri Albi Kurti, i cili është edhe drejtuesi i Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. E në anashkalim të kryeministrit Kurti, rezoluta shpreh mbështetje për Presidenten Vjosa Osmani, e cila së bashku edhe me opozitën e Kosovës ka qenë po ashtu në të njëjtën linjë me Albin Kurtin.

Por, duket se në ndryshim nga të gjithë përfaqësuesit shqiptarë e ndërkombëtarë, vetëm Edi Rama dhe Partia Socialiste ndjek një tjetër linjë, që duket se i shkon më shumë përshtat Beogradit.

Një gjë është e sigurt: nëse Kuvendi i Shqipërisë do të votojë këtë rezolutë, atëherë këta deputetë do t’i shtojnë një tjetër njollë turpi dëshmorëve që nuk dhanë jetën për t’u hetuar, por për t’u mbrojtur nga Serbia!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco