SPAK urgjentisht duhet të hetojë krimin elektoral të 14 majit dhe aferën korruptive Rama - McGonigal

SPAK urgjentisht duhet të hetojë krimin elektoral të 14 majit dhe aferën korruptive Rama - McGonigal

Nga Ndriçim Kulla - 04/10/2023

Kush ka sy le të shikojë dhe kush ka veshë le të dëgjojë. Është një shprehje urdhëruese për çdo njeri  të arsyeshëm, aq më tepër për një organ të drejtësisë. Aq më tepër për kryeorganin e barazisë përpara ligjit, siç duhet të jetë SPAK. Një dekadë e tërë idesh, energjish, luftrash politike dhe publike, sociale dhe  profesionale, u konverguan deri në përmbushjen e misionit të drejtësisë që u quajt dhe e re dhe punë-nisjen e një organi tek i cili u varën gjithë shpresat e shqiptarëve, por edhe ndërkombëtarëve.

Mirëpo SPAK nuk po duket ta kalojë provën e tij të zjarrit. I kemi dhënë shumë shanse ne si taksapagues, nisur nga pritshmëritë e mëdha që kishim, për ta treguar veten në zbardhjen e rasteve më të ndjeshme e përvëluese të vendit, ato që do na vendosnin në shina demokracinë dhe drejtësinë dikur të korruptuar. Vetëm se ngjarjet e fundit, flagrante dhe vetë-demaskuese, e kanë shpënë në zero besimin tonë ndaj tij, madje i kanë dhënë akoma dhe më shumë fuqi mençurisë popullore: mos i paskemi varur ujkut mëlçitë në qafë? Realiteti po e përligj dita-ditës këtë gjë: SPAK nuk ka çuar deri në fund asgjë, as aferën e madhe të inceneratorëve, as PPP buxhet-shkatërruese  të mjekësisë, dhe duke na afruar një gjysmë-drejtësi, një gjysmë të vërtetë, na ka afruar një dënim, një pabarazi, një pafuqi ndaj të gjithë atyre politikanëve dhe institucioneve të administratës që na kanë vjedhur e pirë gjakun deri në palcë.

Turp i paparë e faqja e zezë për këdo që investoi tek ky SPAK, ndërkombëtarë e shqiptarë!  Megjithëse menduam se e keqja do të kishte një limit, tani po shohim se e keqja e SPAK nuk paska fund. Me një arrogancë të paskrupullt, të kthyer tashmë në një etiketë të mirëfilltë të njëanshmërisë, ai as nuk guxon të marrë në pyetje qoftë edhe formalisht, kryeministrin Edi Rama , për skandalet e njëpasnjëshme të tij me kryespiunin e FBI, McGonigal, qoftë për dosjen e tij, qoftë me dosjen djalit të Biden, ku ata bashkë mpleksen akoma dhe më keq. Mos vallë kemi të bëjmë me një tabu të pa kapërcyeshme? Atëherë për  është krijuar SPAK ? Për cilin mision kanë investuar amerikanët dhe evropianët ? Nuk është çështje vetëm korrupsioni, por shumë më e thellë. Si mund të tolerohet nga drejtësia e një vendi, një akuzë për lobim dhe dënim të opozitës? A ka më urgjencë se sa shkatërrimi i themeleve të demokracisë dhe pluralizmit? Atëherë pse s’dëgjon e pse nuk sheh SPAK ?! Ky organ, është kthyer kështu në një organ i vdekur, i pajetë, i kallur për së gjalli, është kthyer në  shurdhmemecin më të madh të Shqipërisë, që politika dhe pushteti e mbajnë me bastun për dore për ta çuar kudo ku ata duan, pse jo edhe në greminë. 

Një dëshmi e sigurte dhe e faktuar e kësaj ecje verbazi drejt kolapsit, është raporti i fundit i ODIHR-it për zgjedhjet  e 14 Majit, që urdhëron hetim të menjëhershëm të atyre që kanë prishur barazinë e votës, që e kanë manipuluar atë në çdo zinxhir të pushtetit dhe ekonomisë, duke e rikthyer kështu mbrapsht Shqipërinë në ditët e saj më të errëta të raportit të zgjedhjeve të 2001. Si ka mundësi që SPAK nuk guxon të ndërmarrë një veprim të qartë ligjor sipas detyrës që ka, të thotë një fjalë për këtë nen nr 1 të çdo shteti të së drejtës? Si e fsheh kokën si struc i përdorur politikisht, pa dhënë asnjë shpjegim? A nuk po e sheh greminën ku po e shpie kjo pabarazi  në vendosjen e çdokujt përpara ligjit? Ka ardhur koha që populli dhe ndërkombëtarët të kërkojnë “ kokën dhe trupin” e SPAK në tryezën e gjykimit dhe të drejtësisë. Nuk ka shanse që kaq  shumë skandale  e masakra elektorale, demokratike dhe financiare që ai po anashkalon dhe bën sikur mënjanon, të mos i ngjajnë  më si mëlçi, por t’i peshojnë si një gur i rëndë varur pas qafe. Dhe fundosja në fund të detit për gjithçka që s’po bën do të jetë  ajo që do ti  afrohet shumë shpejt një ditë.

Urojmë që ai ose ndërkombëtarët t’i vënë gishtin kokës për këtë krim të mynxyrshëm që po kryejnë në kurriz të popullit shqiptar, sepse për krime të tilla që shkelin dhe grabisin të ardhmen, nuk ka komb e vend që të fal. As Shqipëria nuk do të falë kurrë, këtë mos e harroni po mbajeni gjithmonë të buçitur si kambanë mbi krye sepse dosjet dhe aktet e kryera janë atje.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco