Rrëzimi i zgjedhjeve

Rrëzimi i zgjedhjeve

Nga Luçiano Boçi - 03/10/2023

Raporti i OSBE-ODHIR foli me tone të ashpra për zgjedhjet e 14 Majit.

Në tërësinë e tyre ato ishin një regres spektakolar i standardeve demokratike.

Pushteti kapërceu çdo kufi dhe u zhyt i gjithi në deformimin e vullnetit të votuesve.

Nuk u ndal vetëm me përdorimin abuziv të burimeve financiare, por përdori dhe shantazhimin dhe kërcënimin.

Flamurin e gjithë kësaj masakre e valëviste vetë Rama.

E gjithë administrata e çdo niveli u detyrua të implikohej në grabitjen e votës me çdo formë të mundshme duke shkelur në çdo kuptim lirinë e votës.

Operatorë e komisionerë abuzuan me pozitën e tyre shtetërore apo të lidhur me pushtetin për të ndikuar votuesin dhe kërcënuar atë duke eliminuar fshehtësinë e votës.

Patronazhimi me tipologji sipas modeleve të sigurimit famëkeq të shtetit, shkatërroi qasjen e votuesit ndaj alternativës dhe programeve.

Shitblerja e votës u intensifikua akoma më shumë. Ne vlera monetare dhe në ndikim tek fashat e shoqërisë.

Ndihma ekonomike, kempet e “buka e gojës”, u bënë mjete efikase për të siguruar mbështetjen e kandidatëve të maxhorancës.

SPAK u shfaq eunuk ndaj krimit zgjedhor.

Pak a shumë kjo është ajo çka transmeton raporti.

Panorama është dramatike dhe përtej çdo ngjarje eklipsuese kërkon një zgjidhje përfundimtare.

Ndryshe Shqipëria do të marrë damkën e pashlyer të një vendi eksperimental me demokraci suigeneris, ku kapja e shtetit dhe vdekja e parimeve demokratike është thelbi i pushtetit.

Po ndërsa PD e ka përshëndetur raportin, qeveria nuk ka reaguar.

Të tjerët “të rinj” që i qasen sot skenës politike janë në euforinë e duartrokitjeve dhe nuk e kuptojnë që idetë e tyre të stërpërsëritura nga PD, ose dhe fringo qofshin, nuk ngjisin e as funksionojnë në një demokraci të cilës i është pushkatuar vota.

Kjo e bën situatën akoma më të rëndë.

Gjetjet e raportit Rama kërkon t’i kalojë si kilikosje dhe të vazhdojë të ngulë gozhdët pushtetit të tij në qivurin e sistemit demokratik.

Reflektimi dhe përgjegjësia janë fshirë nga qëndrimi i tij.

Ai e di mirë që pranimi i rrëzimit të zgjedhje është rrëzim i qeverisjes së tij.

Në këto rrethana vendosja e theksit të raportit tek reforma zgjedhore ngjall humor. Pasi dhe ato gjëra të sanksionuara në kod nuk kanë qenë e nuk do të jenë nesër pengesë e shkelur me këmbë për Ramën.

Ai nuk përfill, nën euforinë e çmendurinë e sundimit dhjetë vjeçar, ndonjë ligj apo rregull zgjedhor.

Por nga ana tjetër një raporti vëzhgimi si ky i OSBE-ODHIR nuk mund t’i kërkohet më shumë.

Ai i drejtohet arsyes dhe në një qeverisje ku arsyeja është zhdukur efekti i tij mbetet minimal.

Pjesa tjetër e veprimit është krejt politike dhe i takon klasës politike dhe faktorëve shoqërorë të vendi që aspiron zhvillimin dhe mirëqenien e shtetasve.

Një veprim e aksion i fortë me çdo mjet, duke nisur pikë së pari tek bashkimi ose profilizimi i saktë i opozitës, do të jetë rruga efikase që rrëzimi i zgjedhjeve të shoqërohet me rrëzimin e sundimit të sistemit të kontrollit të zhvatjes e shit-blerjes së votës.

Reforma zgjedhore pulson me fuqinë e domosdoshmërisë së saj.

Por reformat dhe ato më të dështuarat shihen gjithnjë si merita dhe jo si kushtëzime ndaj qeverisë.

Te presësh që me Ramën do prodhohet një reformë që do vendosë drejtësinë e zgjedhjeve është njësoj sikur të bësh negociatë me grabitësin e shtëpisë që ai herës tjetër të vjedhë vetëm sendet e çmuara dhe jo gjithë shtëpinë.

Në konkluzion Rama duhet rrëzuar (e stërthënë) me çdo formë, përfshirë dhe me votë dhe me angazhime të vërteta dhe jo me lojëra veglash qorre apo llapaqene të pushtetit, pa asnjë vlerë thelbësore politike.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco