Edi Rama po shkon në Këshillin e Sigurimit çalë, zvarrë!

Edi Rama po shkon në Këshillin e Sigurimit çalë, zvarrë!

Nga Sali Berisha - 14/09/2023

Edi Rama me memon e tij konfidenciale, dëshmoi se niset këtë vit për në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, jo vetëm për herë të fundit, por edhe i tmerruar.

Para 15 viteve u vendos që sipas radhës, Shqipëria nga grupi i saj në mos gabohem prej rreth 40 vendesh, të zgjidhej kur t’i vinte radha me rotacion si Anëtare e Përkohshme (domethënë me afat 2-vjeçar) e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kjo radhë erdhi me 1 janar të vitit 2022.

Aso kohe, tek merrja pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mendova të ndiqja punimet, një seancë të Këshillit të Sigurimit. Këshillin e Sigurimit atë muaj e drejtonte Libia dhe rastisi që atë seancë që shkova ta ndiqja, morën pjesë udhëheqësit e vendeve kryesore të botës dhe drejtonte kolonel Gedafi, një diktator i vendit të tij dhe sponsorizues i terrorizmit ndërkombëtarë.

Gedafi ishte njeriu me fjalim të gjatë në sallën e Asamblesë së Përgjithshme dhe i tillë u tregua ai edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, gjë që detyroi disa të pranishëm të largoheshin nga mërzia. Shembullin e tyre ndoqa dhe unë.

Në fakt, midis ish-liderit libian dhe Edi Ramës ka dallime të pamohueshme, por edhe afrime, ngjashmëri të padiskutueshme.

Gedafi ishte diktatori me fjalim gjatë në Asamble. Në fakt, fjalimet e mërzitshme të Ramës janë të gjata natyrisht jo sa të Gedafit, por afërsisht sa të Lukashenkos.

Gedafi ishte sundimtar i një Republike Islamike dhe sponsorizues i terrorizmit ndërkombëtar. Edi Rama është kryeminister i një republike laike, por që ka ndërtuar narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Europë dhe që është provuar se ka lidhje me Sinaloan e Meksikës dhe bandat më të rrezikshme të Europës dhe botës.

Rikujtoj këtu se shërbimet inteligjente të vendeve partnere kanë gjetur se nga 8 mijë telefonat e kriptuar si Sky Ecc, Encrochat etj që operojnë në Shqipëri për komunikim midis organizatave kriminale, përqendrimi i tyre më i lartë gjendej në ndërtesën e Këshillit të Ministrave në Tiranë. Thuhet se Rama vetë ka dy të tillë, me njërin prej të cilëve komunikonte vetëm me një njeri në planet dhe ky ishte Charles McGonigal.

Pra, Rama në ulësen e kryetarit të seancës së Këshillit të Sigurimit flet i rrethuar nga dhjetëra dhe qindra telefonata të kriptuara të tij me bandat dhe mikun e tij McGonigal, i cili që nga dita e arrestimit nuk i ndahet për asnjë çast.

Shënimi konfidencial i Ramës tregonte llahtarinë shpirtërore që përjeton nga dosja McGonigal. I sigurt që nuk arrestohet, kësaj radhe ai e di se ky është udhëtimi e tij i fundit në SHBA si zyrtar.

Po kështu mesazhi i tij për drejtësinë dëshmon se ai ka tronditjen e njeriut që kapet me presh në dorë.

Vërtet SPAK në zbatim të ligjit ka arrestuar zyrtarë të lartë e madje dhe ministra, por është po kaq e vërtetë se SPAK në shkelje flagrante të ligjit ka amnistuar me urdhër të Ramës për vjedhjen e shekullit, Erion Veliajn, Engjëll Agaçin, Artur Metanin, Ilir Beqajn dhe vetëm e vetëm se të gjitha lidhjet e tyre me krimin prej qindra milionë euro të çojnë direkt tek Edi Rama.

Me këto amnisti SPAK i faktoi shqiptarëve se është në kontrollin e plotë të Edi Ramës. Por ky kontroll tashmë i padiskutueshëm për çdo shqiptar, Ramën e tmerron sepse mendon çdo ditë: “Mirë këta i amnistova unë sot, po mua kush do të më amnistojë nesër?!”

Nga shënimi i tij konfidencial, Rama u shpërfaq i tmerruar nga çështja Beleri apo siç e quajti ai, “patatja e nxehtë” që i ka mbetur keq në fyt.

Rasti Beleri e nxori Ramën lakuriq siç është, njeriu që për interesa mafioze shpërfill Kushtetutën dhe çdo ligj e madje interes të vendit të tij. Në ligjet e Shqipërisë dhe në regjistrat e saj gjyqësorë nuk ekziston asnjë nen apo vendim drejtësie, që ndalon betimin e Fredi Belerit, të zgjedhur me votën e qytetarëve, të shkojë me një leje administrative e të bëjë betimin si kryetar i bashkisë së Himarës.

Belerin nuk e lejon të bëjë betimin vetëm Edi Rama, i cili bën prokurorin, gjykatësin, skap-istin, gjykatësin e lartë, drejtorin e burgut etj etj. Por ky është një akt antidemokratik, edhe një herë i bazuar në interesa personale mafioze të Edi Ramës me pasoja serioze në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Në memon e tij, Rama tregon se ndihet i tmerruar nga dështimi spektakolar i tij për të marrë rolin e kryenegociatorit për Kosovën.

I flakur si limon i shtrydhur nga padroni i tij Vuçiç, i shpërfillur deri në pamëshirësi nga Albin Kurti, Edi Rama doli nga përpjekja fantazmogorike e tij thjesht një sherr i pavlerë, një barsoletë e gjallë shëtitëse si Saçi i dikurshëm në rrugët e Tiranës

Së fundi, ju informoj se Edi Ramës para se të kthehet në Shqipëri është i ftuar për darkë nga miku i tij McGonigal, por kësaj here jo në St. George ku darkonin me 10 mijë dollarë, por në një restorant tjetër më intim, në ishullin “turistik” Rikers.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco