Shteti privat

Shteti privat

Nga Klodian Tomorri - 08/09/2023

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor lidhi kontratën për të ndërtuar selinë e re. Sipas kontratës, godina do të ketë 6105 metra katrore sipërfaqe ndërtimi dhe do të kushtojë 6.8 milionë euro.

Mestarisht 1120 euro për metër katrorë ndërtim.

Por nëse përfshihet dhe TVSH për ta vënë në baza të njëjta krahasimi me tregun privat, kostoja shkon 8.2 milionë euro. Pra rreth 1350 euro për metër katrore. Pa asnjë shpenzim për token sepse trualli është i shtetit.

Çfarë do të ndodhte në Tiranë, nëse ndërtuesit privatë do të ndërtonin më të njëjtat kosto si DPSHTRR?

Duke qenë se ndërtuesi privat i jep gati gjysmën e sipërfaqes ndërtimore pronarit të tokës, me shifrat e godinës së DPSHTRR, kostoja e ndërtimit në Astir duhet të dilte minimalisht 2700 euro për metër katrorë. Ndërsa çmimi i shitjes duhet të fillonte nga 3 mijë euro metri.

Këto janë llogaritë e thjeshta, që tregojnë se shteti ka një problem shumë të madh. Po menaxhohet si çiflig privat.

Shikoni vetëm bilancet e kompanive publike.

Bilanci i fundit i KESH i publikuar është ai i vitit 2020.

Bilanci i fundit i OSHEE-s i publikuar është ai i vitit 2019.

Tani bilancet kanë filluar të mos i publikojnë në kohë edhe Albcontrol, Albpetrol bashkë me soj e sorrollop. Kurse bilancin e DPSHTRR nuk e ka parë ndokush ndonjëherë jashtë kazanit të pushtetit. Te gjitha kompani ose institucione publike jashtë buxhetit, që menaxhohen si prona private. Terr gjithandej.

Dhe në këta rast natyrshëm lindin disa pyetje.

Sa para fiton në vit Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor, që ka luksin dhe ndërton me 1350 euro për metër katrorë në tokën e saj?

Sa para fiton DPSHTRR, që i del të ndërtojë dhe autopark dhjetëra milionë euro në Elbasan?

Sa para fiton DPSHTRR, që ka ndërtuar dhe rindërtuar me dhjetëra godina për drejtoritë rajonale nëpër të gjithë Shqipërinë? Madje ka shpenzuar para edhe për të ndërtuar dhe rindërtuar qendrat e kontrollit teknik, të cilat duhet t’i kishte ndërtuar koncesionari që iku, sipas marrëveshjes koncesionare. Por SGS u tolerua, të merrte fitimet dhe të mos i ndërtonte qendrat përkundrejt një pagese modeste.

Dhe në fund fare, nëse DPSHTRR fiton kaq shumë para sa që ka mundësi të kontraktojë Boerin për t’i projektuar godinën dhe të paguajë 7 milionë euro për ta ndërtuar atë, a mos është më mirë që të ulen tarifat e shërbimeve për qytetarët?

Sepse godinat, edhe nëse janë të domosdoshme, mund të ndërtohen edhe me më pak para, pa qenë nevoja të kenë kosto fasade 400 euro për metër katrorë për të realizuar fantazitë e Boerit dhe shokëve të Fugës.

Ky është shteti privat.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco