Kina dhe Perëndimi: Një Luftë e Dytë e Ftohtë?

Kina dhe Perëndimi: Një Luftë e Dytë e Ftohtë?

Nga Nikola Kedhi - 23/07/2023

Herë pas here, konflikti Kinë-SHBA, apo më gjerë me të gjithë Perëndimin vjen në Shqipëri si diçka e largët. E megjithatë, është një konflikt që na prek më shumë seç ne mendojmë, pasi vendi ynë, i gjetur në kryqëzimin Lindje-Perëndim, është shpeshherë shënjestër e influencave që vijnë nga të dy këto botë.

Udhëheqësi kinez XiJinping, Byroja Politike dhe tërësia e klasës sunduese kineze kanë si synim të qartë një shekull kinez, ngjashëm me mënyrën se si shekulli i kaluar e pa Amerikën të ngrihej në një superfuqi botërore.

Për të qenë të drejtë, Kina vite më parë u përpoq të hapej, si politikisht ashtu edhe financiarisht. Por kjo ishte e pamjaftueshme për ta lejuar atë të rritej ekonomikisht në mënyrë të qëndrueshme, sepse udhëheqësit kinezë nuk hoqën dorë kurrë realisht nga kontrolli politik. Dhe siç zbuluan shpejt drejtuesit kinezë, nuk mund të ketë tregje të lira dhe rritje të qëndrueshme ekonomike pa demokraci dhe liri politike.

Në dy dekadat e fundit, Kina është rritur padyshim me një ritëm të jashtëzakonshëm. Pas krizës së vitit 2008, ajo ndihmoi ekonominë botërore të dilte nga humnera ekonomike që kishte rënë, duke u nisur natyrisht nga interesat e veta. Dy shtyllat e rritjes kineze kanë qenë investimet tejet të larta dhe akumulimi i shpejtë i borxhit. Në vitin 2008, Kina iu përgjigj krizës me programin më të madh stimulues në kohë paqeje, një program investimi prej 12.5%. Siç raporton Financial Times, nga viti 2004 deri në fund të vitit 2008, borxhi kinez ishte midis 170 dhe 180% të PBB-së. Aktualisht, vlerësohet të jetë rreth 300% e prodhimit të brendshëm bruto (PBB).

Borxhi në rritje i Kinës është mbështetur për dekada nga eksportet. Kompanitë kineze dihet se angazhohen në dumping, që nënkupton eksportimin e produkteve me një çmim që është më i ulët në tregun e huaj sesa çmimi në tregun e brendshëm, dhe shpeshherë nën kosto. Kjo formë e diskriminimit të çmimeve ka qenë e mundur gjatë gjithë kësaj kohe, sepse qeveria kineze po mbështeste ndërmarrjet e saj, me synimin për të fituar treg. Megjithatë, eksportet kanë qenë në rënie prej disa vitesh. Në vitin 2007, eksportet neto ishin 9% e PBB-së, ndërsa një dekadë më vonë ato ranë në 2%, në të njëjtin nivel si në vitin 2000. Investimet vazhduan të rriten gjatë të njëjtës periudhë, nga 41% në 44% të PBB-së, teksa borxhi u ngrit në nivele të frikshme. Ndërsa deri më tani, politikat ekspansioniste dhe praktikat e padrejta tregtare të qeverisë kineze mund të financoheshin me borxhe, nivelet e saj aktuale janë larg të qenit të qëndrueshme dhe rrezikojnë të dërrmojnë ekonominë e Kinës.

Për më tepër, borxhi nuk është përdorur për të financuar investime produktive. Në shumë raste, qeveria kineze e ka përdorur atë për të ndërtuar të ashtuquajturat qytete fantazmë, për të mbajtur në punë kompani zombie klientelare dhe për të financuar projekte politike për të rritur ndikimin e Kinës në botë. Aktualisht, borxhi vazhdon të rritet, ndërkohë që PBB-ja po ngadalëson rritjen e saj. Gjithashtu, kthimi nga investimi ka ardhur në përkeqësim. Kështu, ekonomikisht Dragoi aziatik është shumë më i dobët sesa mendohet, me një borxh të paqëndrueshëm, eksporte neto më të ulëta, investime me humbje dhe një konsum privat relativisht të ulët prej 38.2% të PBB-së, në vitin 2021. Për hir të krahasimit, konsumi privat në SHBA, në Mars 2023 ishte 68.3%.

Në tremujorin e dytë të vitit 2023, të dhënat që vijnë nga anketimet e fabrikave dhe tregtia, rritja e kredive dhe shitjet e shtëpive kanë treguar shenja dobësie në ekonominë e dytë më të madhe në botë. JP Morganka reduktuar parashikimin e vet për rritjen e produktit të brendshëm bruto (PBB) të Kinës për vitin 2023 në 5.5% nga 5.9%. Qeveria kineze ka vendosur një objektiv modest të rritjes së PBB-së prej rreth 5% për këtë vit, pasi dështoi të kapte objektivin e vitit 2022.Ndërkohë eksportet e majit ranë 7.5 për qind nga një vit më parë.

Kur Perëndimi, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, mirëpriti Kinën dhe lejoi pjesëmarrjen e saj në organizatat ndërkombëtare, besoi se integrimi më i thellë global i vendit aziatik do të çonte në një shkallë gradualisht më të lartë të demokracisë dhe kapitalizmit brenda vendit. Kjo ka qenë shtylla e politikës së Perëndimit ndaj Kinës. Kompanitë e mëdha ndërkombëtare hapën fabrika në Kinë për shkak të kostove më të ulëta të saj, veçanërisht në aspektin e kapitalit njerëzor. Me kalimin e viteve, zinxhirët e furnizimit me Kinën u integruan thellë dhe varësia nga vendi komunist u rrit.

Të gjitha palët e përfshira ishin të kënaqura me status quo-në e vendosur. Vendet perëndimore gënjenin veten se Kina po bëhej një konkurrente miqësore, ndoshta një aleat i afërt, dhe po hapej gradualisht. Korporatat ishin mjaft të kënaqura të sakrifikonin pronësinë e tyre intelektuale dhe të ndanin sekretet e tyre me kompanitë shtetërore kineze, në këmbim të kostove më të ulëta e marzheve të larta të fitimit. Ndërkohë, Kina ecte e vendosur në rrugën e saj për dominim. Ajo rriste sferën e saj të ndikimit, veçanërisht nëpërmjet nismës së Rrugës së Mëndafshit, në Evropë dhe veçanërisht në Ballkan.

Evropa është mjaft e dobët si ekonomikisht ashtu edhe gjeopolitikisht, për shkak të politikave ekonomike centralizuese, mungesës së koherencës dhe aplikimit të Teorisë Moderne Monetare që ka rrënuar në këtë dekadë ekonomikë europiane. OBT, një mbrojtës i supozuar i tregtisë së lirë, ka lejuar që merkantilizmi i Kinës të lulëzojë. Lufta tregtare që ndodhi në vitin 2019-2020 tregoi se ndonëse e dhimbshme për të dyja palët, SHBA, me gjithë problemet ekonomike dhe sociale që ka, mund të përballojë Kinën dhe të dalë më pak e lënduar. Edhe Europa duket se në tërësinë e saj ka hequr dorë nga politika neutrale, por pa artikuluar qartësisht dhe pa vepruar në mënyrë të pa ekuivokë në bazë të një strategjie koherente dhe bindëse. Agresioni i Kinës ndaj Hong Kongut dhe koronavirusi ishin çështjet themelore që e larguan – ndonëse jo plotësisht – Evropën nga gjiganti aziatik.

Kohët e fundit ka pasur një gatishmëri për t'i bërë vendet evropiane dhe SHBA më pak të varura nga Kina dhe për të ndryshuar zinxhirët e furnizimit. Ky është një proces që do të marrë vite. Megjithatë, lufta tregtare dëshmoi se është e mundur, me shumë kompani që i zhvendosin fabrikat e tyre në vende të tjera me kosto të ulët, si Vietnami.

Pa vjedhjet e pronësisë intelektuale, hakerimin dhe varësinë në rënie të Perëndimit ndaj tij, eksportet në rënie dhe investimet më të ulëta, Kina dobësohet ndjeshëm. Kina është shumë më e varur nga suficiti tregtar që ka me SHBA-në, sesa SHBA-ja nga Kina.

Sipas Departamentit Amerikan të Tregtisë, pronësia intelektuale amerikane(me vlerë 6.6 trilionë dollarë) përbën 38.2% të PBB-së së SHBA-së. Sipas ekspertëve, 70% e softuerit në Kinë është rezultat i vjedhjes apo replikimit ndaj kompanive amerikane. Ndikimi negativ nga vjedhja e pronësisë intelektuale vlerësohet të jetë 600 miliardë dollarë, që është dyfishi i shumës së deficitit tregtar që Amerika ka me Kinën. Nëse Kina do të respektonte rregullat minimale të antidumpingut dhe të pronësisë intelektuale, do të humbiste më shumë se 1 trilion dollarë të PBB-së.

Për më tepër, një luftë valutore me Kinën, ka rezultuar më parë fituese për SHBA-në. Dollari mbetet një strehë e sigurt dhe zemra rrahëse e sistemit financiar global, duke u përdorur në 87% të të gjitha transaksioneve globale, krahasuar me 4% të juanit kinez. Kushdo që kontrollon monedhën botërore, ka përparësinë. Në frontin e monedhës, edhe në të ardhmen, Kina mund të zhvlerësojë juanin me synimin për të rritur eksportet, por nuk do të funksiononte, siç nuk ka funksionuar në të kaluarën. Zhvlerësimet e monedhave në thelb janë një formë e kontrollit të çmimeve dhe e uljeve të maskuara të pagave. Pra, ato do ta dëmtonin Kinën ndjeshëm më shumë, veçanërisht me rritjen e borxhit, inflacionin më të lartë dhe mungesën e reformave strukturore. Kostoja e jetesës për kinezët do të rritet, ndërsa të ardhurat e tyre do të ulen.

Kina është e ndarë mes dy politikave: të zhvlerësojë monedhën për të nxitur eksportet aq të nevojshme për të, ose të ketë një monedhë të fortë që mbron kursimet dhe fuqinë blerëse të njerëzve të saj. Në fund të fundit, zhvlerësimi nuk është një armë e qëndrueshme për Kinën në një konflikt të mundshëm ekonomik. As ndihmat e tepërta dhe qindra miliarda dollarë që qeveria ka injektuar për të shpëtuar korporatat e saj me borxhe të thella nuk do ta shpëtojnë atë.

Thuhet se arma më e madhe që ka qeveria kineze është pronësia e bonove amerikane. Ajo ka kërcënuar më shumë se një herë se në rast të një konflikti të përshkallëzuar do të shiste të gjithë borxhin Amerikan që ka, duke ulur çmimet e tyre. Megjithatë, ky është një kërcënim bosh. Blerësit më të mëdhenj të borxhit amerikan janë fondet e investimeve të Amerikës së Veriut që zotërojnë më shumë se Kina. Kërkesa për borxhin e Shteteve të Bashkuara është shumë më e lartë se oferta e saj. Në çdo rast, nëse Kina do të shiste borxhin që zotëron, do të blihej brenda disa ditësh, duke pasur pak ndikim në çmimin e tij. Kjo do të ishte një plagë e vetëshkaktuar për Kinën, sepse borxhi i SHBA shërben si rezervë për monedhën kineze.

Thembra e Akilit për Kinën qëndron në situatën e saj ekonomike dhe demografike. Vetëm një ndryshim i vogël në bilancin tregtar me SHBA-në, do të shkaktonte një krizë borxhi me përmasa të mëdha në Kinë, sepse nuk do të kishte më asgjë për të financuar borxhin e lartë. Popullsia e Kinës po plaket, dhe lindshmëria është në rënie të theksuar. Një popullsi në plakje është më e prirur për të kursyer sesa për të konsumuar. Me rënien e eksporteve, investimet joproduktive të nxitura nga ambiciet politike, një monedhë më të dobët në krahasim me dollarin dhe një nivel borxhi të paqëndrueshëm, kërcënimet gjeopolitike dhe teknologjike kineze bëhen shumë më pak kërcënuese.

Pa dyshim, përplasja e vazhdueshme dhe ndarja nga Kina do të jetë një konflikt i kushtueshëm për SHBA-në dhe Evropën. Kina mbetet një forcë ushtarake e konsiderueshme, dhe ndoshta kërcënimi më i madh i shekullit për PaxAmericana.Përpjekjet e saj për influencë në Europë dhe në SHBA janë shpeshherë të suksesshme për shkak të dobësisë së ekonomive perëndimorë dhe politikanëve të dobët të tyre që për interesa afatshkurtra i hapin dyert dragoit kinez.

Gjithsesi, SHBA, me gjithë problematikat që ka, nëse do të vazhdojë të ngelet një demokraci liberale, e mbështetur te kapitalizmi dhe tregu i lirë, është dhe do të mbetet një ekonomi e lirë, tërheqëse, e sigurt dhe e fortë, e cila llogarit çdo lëvizje ekonomike dhe gjeopolitike që bën. Sa i përket fuqisë së saj ushtarake, ajo vijon të mbetet e pakrahasueshme edhe nga Kina. Fati i këtij konflikti është faktikisht në dorë të vetë Perëndimit, me politikat që këto vende do të ndërmarrin, dhe modelin ekonomik dhe politik që ato do aplikojnë. Nëse Kina tejkalon SHBA, do të vijë vetëm si pasojë e braktisjes së modelit ekonomik kapitalist nga Amerika dhe Evropa më shumë se sa nga modeli kinez, i cili është gjithçka përveç se i qëndrueshëm.

Perëndimi është ende në kohë për të ndryshuar kurs, për të shkuar drejt një fuzionizmi Reaganian me politika të anës së ofertës, rritje të konkurueshmërisë, përgjegjësisë fiskale, mbrojtjes së traditës, familjes dhe individit, qe do të ringrininekonomitë e këtyre vendeve siç ka ndodh në të kaluarën, t’i bënte të pavarura nga Rusia dhe Kina, dhe do të nxiste kohezionin social e kulturor.

Po ashtu, e vetmja rrugë përpara për Kinën vazhdon të jetë përmes liberalizimit të tregjeve të saj; heqjes së kontrolleve të kapitalit, ndalimit të manipulimit të kursit të këmbimit dhe praktikave të padrejta tregtare; rritja e produktivitetit të brendshëm nëpërmjet reformave të vërteta strukturore, ligjore dhe politike që do të tërhiqnin investime të huaja.

Nëse do të dojë, Perëndimi është ende në kohë të mbajë balancën e pushtetit ekonomik dhe ushtarak, dhe të sigurojë që rivali i vetë gjeopolitikë të ketë fatin e Bashkimit Sovietik në afatgjatë. Por kjo do të kërkonte një ShBA dhe Europë që veprojnë në një nivel krejt tjetër, gjë që dukshëm po vonon.

*Nikola Kedhi është ekspert ekonomik, konsulent financiar dhe kontribuues në media të ndryshme si FoxNews, DailySignal, Newsmax,AmericanSpectator, Newsweek, Il Giornale, The Federalist, CapX, EuropeanConservative dhe Mises Institute.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco