Inceneratori i Akademisë së Shkencave Tiranë

Inceneratori i Akademisë së Shkencave Tiranë

Nga Ndriçim Kulla - 23/07/2023

Platoni u gjend përballë falimentimit të klasës politike të asaj kohe, përballë gabimeve të rënda të kësaj klase politike, e cila arriti deri aty sa ta dënonte me vdekje Sokratin, mjeshtrin dhe mësuesin e tij të madh.

Në këtë pikë, gjenia e tij arriti të kuptojë e të dalë në përfundimin se politika nuk ishte rruga nëpërmjet së cilës duhet të zgjidheshin problemet e demokracisë, të zhvillimit e të qytetërimit grek. Kësisoj, një njeriu të madh të kulturës, një filozofi të vërtetë si ai, nuk i mbetej gjë tjetër veçse t’i kthehej filozofisë, t’i përkushtohej i gjithi të filozofuarit, për të krijuar kështu - te brezat që do të vinin - një klasë të re drejtuese. Ja përse ai i themeloi Akademinë.

Po ta bëjmë paralelizmin me situatën tonë, do të kuptonim se ajo Akademi e re që kërkonim të krijohej dukej të kalonte përtej specializimit të saj shkencor, duhet të qe, së pari, e përbërë nga njerëz që kishin arritur të ndikonin në rrethin shoqëror e intelektual të jetës shqiptare.

Nuk mund të kufizohej vetëm në studiues të fushave përkatëse, a në aksh formë burokratike të përzgjedhjes me dosje apo me votim të fshehtë. Akademik do të thotë njeri i kulturës e, njeri i kulturës nuk është kurrsesi vetëm profesionisti i zot në specialitetin e tij.

Përkundrazi, profesionalizmi është vetëm guri i themelit që duhet të ndërtonte strukturën e njerëzve, të cilët duhet të përbënin Akademinë. Ngrehina duhet të ishte erudicioni, kuraja intelektuale, prirja ndaj së vërtetës përtej trysnive ideologjike, pjesëmarrja në jetën e shoqërisë civile, jo strukja nëpër muret e zyrës, të klinikës a të institutit apo të rrethit të vet të ngushtë. .

Ky ishte thelbi i konceptimit të ri që prisnim të kishte ngrehina e re e Akademisë: jo më një bazë e ndërtuar vetëm mbi specialitetin, por mbi specialitetin e mbrujtur te njeriu i kulturës, që guxon dhe ndikon në rrethin tonë shoqëror.

Mirëpo, po ta analizojmë tashti realitetin ku është katandisur Akademia e Shkencave Shqiptare në Tiranë sot, ky mendim do të gjendej i katandisur në një gërdallë. Do të reduktohej në praktika kryekëput burokratike, klienteliste, tarifore dhe plotësisht politike , që synojnë vetëm zëvendësim emrash dhe karrigesh, dhe jo dijesh, kompetencash dhe vizionesh të reja përzgjedhëse dhe studimbërëse.

Do të molepsej nga forume udhëheqëse të praktikave dhe procedurave të përzgjedhjes që bien erë servilizëm, paaftësi,tarafllëk dhe mediokritet, përderisa në krye të saj shohim një emër i tillë si ‘Gjinua’ i shkencës alias Skënder Gjinushi i njohur më shumë për akrobaci politike dhe jo shkencë , i dëgjuar më shumë për menaxhimet ‘akrobatike’ që e shtynë deri në tjetërsimin e një partie politike të rrudhur e të leckosur fare në postin e kryeakademikut?!

Cilat janë botimet e tij shkencore me fusnota, apo qoftë duke notuar i lirë në kulturën e dijes dhe të shkencës ?! Në ç’praktika është zhytur ‘përpjekja’ e tij shkencore, kur derisa më tani nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë, ide, simpozium shkencor, e jo më material të përgatitur mbi mënyrat se si mund të përmirësohen sot raporti mjeran i Shqipërisë me edukimin, me kulturën, me sociologjinë, psikologjinë, gjuhën dhe se si mund të përpunohej kjo ‘minierë’ e pashtershme, në të gjitha këto fusha të zhvillimit të shoqërisë sonë?

Po akademikët e zgjedhur në kohë e tij në këtë fushë, në ç’mure të ‘ të specialitetit’ lëvrijnë? Ç’programe praktike zbatimi i kanë ofruar biznesit, tregtisë, sistemit bankar e kështu me radhë këta lloj akademikësh?! Apo mos vallë ata quajnë shkencë të përgatisnin dosjet mjeshtërisht dhe formalisht, me ktiteret pa kriter, që kanë vendosur vet, pa krijuar kurrë një një produkt të mirëfilltë shkencorë?!

 Po Anastas Angjeli p.sh , pse duhej të ishte në Akademinë e Shkencave me CV-ën e tij pa asgjë thelbësore brenda? Se ka para? Apo që ato para nuk ja mbushin dot kompleksin e intelektualitetit, që e bren prej brenda dhe i duhet një stoli akademike?! Nuk u ngop ky i pa ngopur me bordet e shumta të shpërblimeve dhe honorarëve të pa fundme, me postet ministrore dhe mandatet e pa ndërprera të deputetit?! Ku i ka studimet ky i ashtëquajtur akademik? E çfarë ’lidhje ka ky ish politikan i diskutueshëm në profesionin e vet me njeriun e kulturës dhe shkencës, i cili duhet të udhëhiqte bashkë me të tjerët kalimin drejt një vizioni të ri të organizimit Akademinë?!

 Dhe si vazhdim i kësaj filozofie të kalbur, ja ku ligji i zgjatjes së mandatit të Gjinos së shkencës alias Skënder Gjinushit ‘ erdhi’ në të gdhirë nga parlamenti me votat e mazhorancës. Ndërkohë që opozita kërkonte interprelancë me kryeministrin për inceneratorët, si për karshillëk në mesnatë manxhoranca i ‘dhuroi’ opozitës miratimin e një incineratori të ri, inceneratorin e Akademisë së Shkencave, i cili do jetë alternativë e Klodian Zotos, Stela Gugallës dhe Mirel Mërtiririt.

 Ndërkohe, që njerëzit që kanë bërë akademi më vete me veprat dhe studimet e tyre shkencore dhe që me siguri do ti mbeten këtij vendi, si vlera të pa diskutueshme kanë punë vetëm me fatin e tyre të vështirë, që iu ka imponuar ushtruesi i luftës së klasave. Ky është diskriminim në qiell të hapur. Kjo është lufta e klasave e rikthyer përsëri.

Duke shprehur respekt për mjaftë prej anëtarëve të kësaj akademie që me punë të vërtet shkencore meritojnë më shumë se të jenë në këtë lloj akademie, e denoncoj këtë model manipulues, i cili nuk është as shkencor as demokratik . Kjo akademi e transformuar në një parti politike, tashmë funksionon më së shumti me parimet e shtetit monist dhe duhet denoncuar edhe para faktorit ndërkombëtar që monitoron Shqipërinë. Në të janë mbledhur sot dhe po shtohen nj֝ë nga një ish anëtarët e forumeve politike të PS-së, PSD së, pjesëtar të nomeklaturës komuniste, drejtues të sigurimit të shtetit, klient të Gjinos alias Skënder Gjinushit etj, etj.

Atje kryesisht nuk është më përkushtimi pë punë shkencore, por paratë e projekteve ,të benefiteve të titullit,tarafet dhe ideologjia, që sigurisht po rregullon më së miri prurjet. Mblidhen një grup shokësh në kafene ose diku dhe atë që kërkon Gjinua i vete menjëherë në vesh të Gjatit dhe ai pa mëdyshje aktivizon strukturat dhe i mbron këto dëshira me ligjin e radhës. Ky është një cikël i ndyrë, që po e korrupton dhe po e bren edhe misionin e shkencës.

Megjithë misionin e drejtë dhe këmbëngulës që bëri dhe po vazhdon të bëj një nga anëtarët më vizionar të kësaj akademie e keqja është mbarsur shumë dhe misioni rezulton i pa mundur. Opozita me të drejtë ka mbajtur dhe po mban qëndrim kritikë ndaj këtij instucioni, që ka devijuar parimet dhe standardet shkencore dhe demokratike.

Por nuk e di pse nuk është shprehur për alternativën e saj, që duhej të kishte një akademia re, për ta zëvendësuar këtë model, që tashti mban vulën e Edi Ramës dhe Skënder Gjinushit. Po qe se, ne nuk do arrijmë të bëjmë një zgjidhje reformuese, do riciklohemi gjithmonë tek gjinot dhe cacërit e pseudoshkencës dhe gjërat do shkojnë siç kanë fatur në këtë 10 vjeçar në këtë institucion, duke e pare, si një këpush varur në trupin e Shqipërisë së varfër, ku thith e thithë nga gjaku i taksapaguesve të saj.

Çfarë duhet bërë? Duam apo nuk duam i vetmi shteg mbetet ndryshimi politikë, i cili do krijoj kushtet e një përmbysje reformuese. Por paralelisht me këtë shpresë opozita duhet të artikuloj projektin e saj, të cilin ende nuk e kemi dëgjuar në kë drejtim.

Nuk do ketë as kohë për të harxhuar energji , se si të ndalohen dhe çmontohen makinacionet e kësaj kaste marifetçinjsh të stërvitur, që nga koha e komuniste, të cilët, do ta mbrojnë të keqen në të gjitha shkallët e gjyqësorit sorosian.

E vetmja zgjidhje e thjeshtë dhe e drejt mendoj se do ishte krijimi i Akademisë së Lirë, e cila duhet ti përvihet kësaj kaste konsumatorësh, si një alternativë e lirë, në përputhje me modelet më të përparuara dhe më demokratike europiane dhe perëndimore. Vetëm kjo zgjidhje konkurruese do ta rrëzojë në mënyrë spektakolare këtë gërdallë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco