Ja çfarë ditkan anglezët…! Qesharakë deri në dhimbje…

Ja çfarë ditkan anglezët…! Qesharakë deri në dhimbje…

Nga Hysni Gurra - 18/07/2023

Sanksionimi prej një viti i Sali Berishës nga Mbretëria e Bashkuar me akuzat për korrupsion dhe krimin e organizuar kishte edhe një lloj misteri: Çfarë dinë anglezët që nuk e dimë ne shqiptarët?!

Me publikimin e “dosjes”, njeriu nuk di se çfarë të bëjë. Të qeshë?! Të mendohet?! Të buzëqeshë hidhur apo të thotë “kaq e patën edhe anglezët”?!

Të akuzosh Berishën për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar duke përmendur një djalë me emrin Fatjon Dautaj, një biznes të Damir Fazlliç, disa shkrime të BIRN apo qurravitjet e Lulzim Bashës??? 
Seriozisht: Vendi i MI5?! 

Seriozisht: Britania e Madhe?! 

Seriozisht: Ish-perandoria më e iluminuar e njerëzimit?!

Po siç duket shenja të tilla duhet këtë dhënë shembja e perandorisë në kohëra.

Ne mendonim se “qeveria e Madhërisë” së tij, përmes institucioneve me famë, di gjëra që nuk i di as vet Sali Berisha, po në të vërtetë “dijenitë” qenkan qarjet e Bashës, shkrimet e BIRN dhe shqelmat e Fatjonit!!! 

Është nga ato momente që nuk ke çfarë bën tjetër veçse të mbushesh me frymë…

Po çfarë duhet bërë me Edi Ramën, që mbushi bashkitë dhe parlamentin me banditë?!

Çfarë duhet shpallur Edi Rama bazuar në shkrimin e “Financial Times”?!

Çfarë duhet shpallur Edi Rama dhe shpura e tij përballë aferave qindra-milionë euro?!  Ta shpallësh “non grata” duket kompliment, ta shpallësh për në Hagë, nuk duket mjaftueshëm. 

Kur lexon se çfarë ka marrë parasysh “qeveria e Madhërisë së Tij” në shpalljen “non-grata” të Berishës, nis dhe ke një mirëkuptim për qeverinë amerikane që nuk jep asnjë shpjegim. Duket vendi me të cilin anglezët “i ndan” gjuha e përbashkët; kërkon të ruajë seriozitetin pas një misteri. Se, po të japin kësi materialesh, kushdo do të jetë në pozicionin e fëmijës kur kupton për herë të parë që Plaku i Vitit të Ri nuk ekziston.

Çfarëdolloj vendimi që të marrë gjykata në Britaninë e Madhe nuk ka asnjë rëndësi. Duket se një pjesë e mirë e shqiptarëve me intuitë e kanë kuptuar padrejtësinë e madhe që iu bë Dr. Berishës. 

Ta kishin akuzuar për autoritar, ndoshta shqiptarët do të ishin më mirëkuptues, po të akuzosh Berishën për korrupsion dhe krim të organizuar është jo vetëm e padrejtë, por e pagëlltitshme edhe për të majtët shqiptarë.

Në këtë vapë korriku, mësuam edhe fuqinë e “shërbimeve inteligjente” të Britanisë së Madhe. T’i falenderojmë për buzëqeshjen që po na dhurojnë në këto ditë me temperatura të larta…

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco