Alkatrazi politik i Ambasadores Kim

Alkatrazi politik i Ambasadores Kim

Nga Alfred Lela - 22/06/2023

Sot në mbrëmje, Yuri Kim feston me të ftuarit e saj Independence Day, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është 4 korriku i saj i fundit në Shqipëri dhe mungesat në festë dëshmojnë se si Ambasadorja po e jep lamtumirën. Në kremtim do të mungojnë eksponentët e lartë të opozitës reale, por do të jetë opozita e emëruar, përfshirë këu, me gjasë, edhe ish-kryetarin e dorëhequr, më pas të rikthyer, të PD së vulës, Lulzim Basha. Ky fragmentarizim i opozitës dhe çimentim i pushtetit, do të jetë edhe trashëgimia më e zëshme e zonjës Kim në Shqipëri. Edhe pse, siç mund të thonë dashamirët e saj, ajo nuk veproi në kokë të vet, por e kishte ‘direktivë nga lart’, sërish interpretimi që i bëri kësaj direktive ishte në kufijtë e së mjerës.

Katastrofa e peizazhit, për ata që duan ta shohin, është para syve: në zgjedhjet e fundit vendore, pavarësisht një harte 'dërrmuese', u pa qartë se qeveria socialiste nuk gëzon konsensus. Zëvendësimi i këtij konsensusi popullor me gëzimin e mospjesëmarrjes në zgjedhje të shqiptarëve, është një mjerim i dytë. Nuk ka ndonjë kryeministër në Europë, senator, kongresmen apo president në ShBA, që u bën thirje qytetarëve të mos votojnë por të rrinë në shtëpi, dhe i falenderon pas zgjedhjeve që nuk kanë dalë.

Kjo është siguresa që, me ndihmën e Ambasadores Kim, Edi Rama i hoqi bombës që siguron paqe dhe konkurencë në shoqëritë demokratike: rotacioni nëpërmjet një gare pjesëmarrëse dhe përfshirëse, e themeluar mbi idetë dhe alternativat.

Përpjekja e Ambasadores për të ndërtuar një Alkatraz politik dhe për ta vendosur opozitën në të nëpërmjet forcës dhe jo procesit, ka ndërtuar atë rezultante demokracie që shohim sot në Shqipëri. Frika e disave dhe oportunizmi i të tjerëve për ta dëshmuar dhe kritikuar këtë si vepër në të cilën zonja Kim ka marrë pjesë, është padyshim gjëja më joamerikane që, born again pro-Americans i kontribuojnë debatit publik në Shqipëri.

Volens non volens ata janë autorë, bashkë me zonjën Kim, të atentatit që i është bërë procesit demokratik në vend.

Me sa duket, as Ambasadorja dhe as ata, nuk e shfaqin këtë empati për publiken dhe as pendesën që vjen me të. Kjo u duk në konferencën e lamtumirës të zonjës Kim dje. Pasi lajmëroi pozicionin e ri në Departmentin e Shtetit, ajo shtoi se Shqipëria do të ishte pjesë e punës së saj edhe në vijim “u pëlqen apo jo disave”. Fraza duhet interpretuar si vazhdim i luftës kundër opozitës (me opozitë kuptoni atë bllok politik që siguroi mbi gjysmë milioni vota në 1.3 milion votues - pavarësisht se i pati kundër të gjithë përfshirë Ambasadoren).

Në gjuhën e Ambasadores, ky është poor judgment. Në shqip, me inkursionine saj cinik, duhet të kuptojmë se ajo mori një agjendë diplomatike dhe e ktheu në personale. Ky, sigurisht, është qëmtimi i një editoriali dhe nuk ka vlerë tjetër veç konstatimit, por nëse përmasa e kësaj nuk kapet dhe nuk analizohet në Departamentin e Shtetit, proceset demokratike në Shqipëri do të vuajnë trashëgiminë e Yuri Kim.

Thënë ndryshe, ajo do të jetë e larguar, por dëmi i saj do të vazhdojë./politiko.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco