Agim Xhafka 5 pyetje Kapexhiut

Agim Xhafka 5 pyetje Kapexhiut

Nga Agim Xhafka - 25/05/2023

1-Në kuvend u miratua ligji për dyfishimin e rrogave të deputetëve. Beson se ata tash e tutje nuk do të vjedhin më?!

-Unë në asnjë rast të deklaratave të mia publike nuk kam menduar e nuk kam besuar se deputetët tanë vjedhin. Meazallah! Ata vetëm përfitojnë! Rrogat e majme që marrin apo ua japim ne për hiçpunët që bëjnë i kanë hallall. Nuk i thonë shaka të ngresh e të ulësh një karton. Është punë e rëndë, rraskapitëse. Prandaj shtesa e rrogës do ta ulë peshën e kartonit dhe duart delikate të deputetëve  do e kenë më të lehtë manovrimin e tyre sipas urdhërit partiak.

2-Edhe për ministrat u dyfishua rroga, mos vallë edhe për ta do t'më thuash që nuk vjedhin?!

-Përkundrazi, me rrogë të dyfishuar ata të mobilizuar do të dyfishojnë aftësitë e tyre profesionale, pasionin, metodat dhe stilin në rritjen e rendimentit që rezultatet t’i kenë më të mira. Do kapin çmime në rrugën e tyre drejt hajdutërisë.

3-A mendon se dhe Rama duhet të marrë një rrogë të majme nga që ai harxhon shumë energji me sharje, me fyerje dhe ofendime?

-Jo, nuk mendoj kështu. Rama nuk merr kurrë rrogë, merr vetëm ‘Fitime’ dhe përsa i takon fyerjeve, sharjeve e ofendimeve ai këto i bën falas,pa harxhuar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit. Përdor fonde nga edukata qeveritare dhe personale.

4-Përse qeveria ngre çmimet dhe nuk u ngre pagat pensionistëve? Mos vallë mbas votimeve ka ndër mend t’ua ulë?

-Pensionistët e gjorë dihet, e kanë të ulur e nuk ke ku t'ua ulësh më tepër, por qeveria të bëjë diçka. T’u ngrejë të paktën pensionin, t’i kompensojë me një ngritje që dhe ata të gëzohen e të përdorin togfjalëshin që e kanë harruar, ‘Uau, m’u ngrit dhe mua!’

5.-Ç'mendon për suksesin e ‘non grata’-ve në këto zgjedhjet lokale?!

-Ky sukses lë të kuptosh e të besosh se votuesi  shqiptar kujton që ‘non grata’ është një titull që Amerika e jep për merita të veçanta. Ndaj i lutem Amerikës,që mos t'ia japë këtë titull Edi Ramës se do i fitojë zgjedhjet e ardhshme me  99% si Enveri motit nga që edhe ky ‘non grata’ ishte nga amerikanët deri sa vdiq e deri sa na vdiq.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco