Lajmi i fundit

LIVE/ Meta dhe përfaqësuesit e PL, marshim drejt rrugës së Shpresës

Beteja konceptuale dhe permanente e Don Kishotit; si dhe një llaf për Turqinë

Beteja konceptuale dhe permanente e Don Kishotit; si dhe një llaf për Turqinë

Nga Genc Pollo - 12/05/2023

“Hedh budallai një gur në lumë dhe njëqind të mençur nuk e nxjerrin dot”, është një aforizëm popullor që vlen edhe për debatin publik ku “guri i budallait” është batuta e politikanit. Kjo e fundit më shumë se për sqarimin apo edhe zbavitjen e publikut, shërben për të larguar debatin e vëmendjen nga ndonjë çështje problematike. Më duket se ndër ato pak konsensuse të gjerë që kemi në aktualisht në Shqipëri, është se si i pari me distancë për batuta “gur budallai” është Edi Rama. Dhe si me Ramën, e si me të tjerët, do të ishte gabim të bëje të mençurin që zbath opingat e futet në lumë. Por ka dhe batuta përjashtimore.

Një gur në lumë për amnistinë

Njërën syresh e gjej te deklarimet e Ramës para disa ditësh në emisionin televiziv “Të paekspozuarit”. Sipas uebsajtit të këtij të fundit, kryeministri deklaroi se “jam në betejë konceptuale me Departamentin e Shtetit (të ShBA) dhe me Bashkimin Evropian për amnistinë fiskale”.

Ai shtoi se shqiptarët e kishin mësuar nga Amerika, Anglia etj. se në industrinë e ndërtimit pastrohen pará. Por pavarësisht nga kjo, ai shihte aty “fuqinë e emigrantëve dhe të punës së shqiptarëve”. Rama qortoi gabimin e euroatlantikëve, të cilët sipas tij barazojnë paratë e pista me “paratë e fituara në të zezë, por me punë të pastra e që janë miliarda”. Si për shembull persona e subjekte që kanë bërë 2 milionë euro siç u referua në bisedë. Rama përsëriti se arsyeja e kundërshtimit euroatlantik për nismën fiskalo-penale të tij ishte se ato shtete i duan për vete këto pará. Pastaj vijoi me refrenin se gazetarët anti-amnisti, si plot të tjerë, nuk e duan Shqipërinë.

Në një shënim në tetorin e kaluar kam shtjelluar me detaje pse pasojat e një amnistie fiskalo-penale, e cila vendos një precedent botëror dhe shkel disa konventa ndërkombëtare në fuqi, do të ishin shkatërrimtare për vendin. Po ashtu kam insistuar se opozita duhet të mobilizohej që të reduktojë deputetët jeniçerë në radhët e saj, e t’i mohojë Ramës 84 votat (shumicën e cilësuar) në Kuvend që i nevojiten për miratim. Pa rënë në përsëritje, po shënoj disa komente për deklarimet e fundit të Ramës.

82 vjet vetmi asketike

Puna në të zezë në Europë është përgjithësisht punë krahu dhe sipas të dhënave statistikave dhe empirike paguhet me një deri dy mijë euro në muaj. Maksimumi tre mijë euro muaj. Edhe në qoftë se punëtori në të zezë do të bënte jetë asketike duke shpenzuar afro një mijë euro në muaj, ai do të kursente 24 mijë euro në vit. Për të bërë dy milionë euro, punëtorit do t’i duheshin 82 vjet. Për të bërë një milion euro, një emigrant shqiptar i hershëm, i cili deri sot punon në të zezë që nga viti 1991, duhet të punojë ende edhe 9 vjet. Pa thënë që duke ardhur çdo vit në Shqipëri, mund të sillnin e depozitonin ligjërisht kursimet.

Beteja me euroatlantikët

Por le të pranojmë se detajet aritmetike nuk janë gjë për Ramën dhe të fokusohemi tek batuta superpretencioze e bisedës: se për amnistinë, Kryeministri i Republikës tonë është në betejë konceptuale me Departamentin e Shtetit dhe me Bashkimin Evropian; madje mund të quhet betejë permanente meqë ky projekt-ligj qeveritar është shfaqur që në pranverën e vitit 2020.

Le të pranojmë me pak sforcim se shqiptarët emigrantë,të cilët kanë 2 milionë euro fshehur në bodrum, i kanë fituar paratë me punë krahu në të zezë dhe jo me narkotrafiqe etj. siç ka dyshime të arsyeshme.

Brukseli është prej kohësh i shqetësuar se pesë kompanitë amerikane BigTech (Google, Microsoft, Facebook, Amazone dhe Apple) fitojnë miliarda euro në tregun europian dhe për shkak të llojit të biznesit online fitimet transferohen pothuajse të patatuara në ShBA. Administrata Biden që e quajti me vend shqetësimin europian bëri një kundërpropozim që të gjitha kompanitë e mëdha, pra jo vetem BigTech 5, të kishin një minimum tatim fitimi prej 15% në shtetin ku bënin biznes. Pra, parimi i gjithëpranuar, siç dëshmon ky shembull euroatlantik, është që aty ku bën biznesin e fitimin, aty paguan edhe tatimin.

Le të kthehemi tek emigranti shqiptar me dy milionë euro në bodrum. Parimi i gjithëpranuar është se ato para duhen të tatohen aty ku janë fituar: në Holandë, Britani, Gjermani etj.; nëse janë nga puna e ndershme por informale. Çfarë mbetet vjen lirisht në Shqipëri si remitencë apo investime.

Nëse largqoftë janë pará nga krimi ato thjesht konfiskohen e përfundojnë në arkën e shteteve ku është bërë krimi. Këto janë të vërteta që duhen thënë; edhe mbasi ke dëgjuar refrenin “ju nuk e doni Shqipërinë“.

Një tjetër element nga batuta e betejës konceptuale: Rama thotë se lufton jo vetëm me BE por edhe me qeverinë e ShBA dhe unë besoj se këtu thotë të vërtetën. Pa dashje ai rehabiliton Departamentin e Shtetit, diplomatët e të cilit në Tiranë, ndryshe nga Delegacioni i BE-së, nuk janë shprehur publikisht kundër amnistisë fiskalo-penale. Për të mos harruar ndonjë që është bërë arlekin verbal e ndonjëherë operacional i regjimit korruptiv.

Qoka për Erdoganin

Në këtë javë të fundit të fushatës presidenciale në Turqi, Edi Rama i bëri thirrje elektoratit për të votuar Presidentin Erdogan. Në vitin 2016 ai bëri thirrje pro kandidates presidenciale Hillary Clinton (duke sulmuar rivalin Trump) dhe në vitin 2020 pro Partisë Socialiste malazeze të Milo Gjukanoviçit. Në të dyja këto raste të preferuarit e Ramës humbën zgjedhjet. Nëse do të ndodhë sërish kështu edhe në 14 maj, këtë e dinë turqit. Por kjo ndërhyrje është krejt pa vend, kontraproduktive dhe e dëmshme. Në Europë ka tashmë përkrahje transkufitare në fushata zgjedhore mes partive motra popullore ose socialdemokrate. Por kjo ndodh në nivele deputetësh dhe jo nga shefat e qeverisë sepse do të cenonte marrëdhëniet ndërshtetërore. Deri vonë Ankaraja zyrtare mbante një qëndrim korrekt e neutral ndaj partive e politikës së brendshme tek ne. Por qëkur në v. 2013 Edi Rama e Saimir Tahiri vizituan z. Erdogan, ky i fundit e humbi rolin e një kreu shteti mik ndaj të tërë shqiptarëve dhe vuri në dispozicion të fushatave rilindiste dhe të pushtetit personal të Ramës edhe ndihma të taksapaguesit turk si spitali i Fierit e plot të tjera. Pa folur më tej për modelin jo shumë demokratik që ai ofron e që Rama me zell e kopjon. Pra le të shpresojmë se vota turke do të jetë për lirinë dhe demokracinë e tyre si dhe për një miqësi tradicionale me Shqipërinë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco