Pak arsye në debatin e paarsyeshëm mbi kandidatin e PD për Tiranën

Pak arsye në debatin e paarsyeshëm mbi kandidatin e PD për Tiranën

Nga Andi Mustafaj - 14/03/2023

Është e vështirë, por jo e pamundur të jesh parimor në vendin tonë. Këto dy ditë debati i rrjeteve sociale është mbërthyer nga një irracionalitet i skajshëm. Një thashethem, i pakundërshtuar nga protagonistët e historisë, u shpërnda me shpejtësinë e madhe, që mundëson vetëm interneti. Ata që uzurpojnë vulën e Partisë Demokratike, do të dilnin me një kandidatit për Bashkinë e Tiranës, i cili paralajmërohej të ishte një zotëri fort i respektuar, intelektual, qëndrestar, sa vështirë të gjendej fjalë e keqe për të përpara daljes së këtij thashethemi.

Në tragjikomedinë e madhe të vendit tonë të vogël, sa hap e mbyll sytë ishin mbledhur të gjithë përbërësit e një kurthi dashakeq, ngritur ndaj të gjithë pjesëmarrësve të skenës.
Viktima e parë, Partia Demokratike e Shqipërisë. E vetmja që nuk mund të mbrohet dot, e cila mbahet peng brenda zyrave të regjimit. Në përgjithësi, dhe në mënyrë të thjeshtëzuar, mund të themi që ka tri lloje partish politike. Të parat, por të fundit për nga rëndësia, janë partitë politike që ekzistojnë vetëm për të çuar lart një kauzë, qoftë kjo kauza personale e drejtuesve të tyre apo një kauzë më e përgjithshme. Këto parti nuk kanë prirje për të fituar asgjë tjetër veçse mediatizimit të njerëzve që i përfaqësojnë ose kauzave që mbrojnë. Të dytat janë partitë, që përmenden si të vogla. Këto parti përfaqësojnë grupe minoritare dhe janë më së shpeshti aleate në qeverisje. Herë majtas, herë djathtas, synimi i tyre është përfaqësimi i elektoratit të tyre në vendosjen e politikave publike të vendit. Të tretat janë partitë me prirje për të qeverisur vendin. Për shkak të historisë së tyre, të vlerave që përfaqësojnë, të burimeve njerëzore që kanë, në një moment ose në një tjetër të historisë kombëtare, ato marrin shumicën e nevojshme elektorale për të vendosur fatet e zhvillimit të një shteti.

Këto saktësime janë thelbësore, sepse sipas cilësisë së partisë, në të cilën gjendesh, rrjedhin përgjegjësitë që ke në veprimtarinë e përditshme politike. Partia Demokratike është padyshim parti me prirje dhe synim qeverisjen e vendit, qoftë në nivel lokal apo qendror. Si e tillë, vendimet që merren brenda saj duhet të shkojnë të gjitha në këtë drejtim. Nxjerrja e një kandidati tjetër më pak se dy muaj përpara ditës së zgjedhjeve, ndërkohë që Partia Demokratike e ka një kandidat plotësisht të angazhuar prej disa muajsh në fushatë mund të jetë çdo gjë, por vendim i një partie qeverisëse nuk është. E dobëson partinë në vështrimin e opinionit publik, e tensionon duke përçarë energjitë, krijon një hendek me kundërshtarin për shkak të hapjes së një fronti tjetër, të brendshëm, nga ato që të gjymtojnë në mënyrë afatgjatë. Ky hendek nuk është i pakalueshëm, ama është krejtësisht i dëmshëm.

Viktima e dytë, kandidati i përfshirë në thashetheme. I hedhur në mënyrë të dhunshme në sheshin e betejës, ai është i pambrojtur, i papërgatitur përballë një beteje, e cila është e një lloji krejt tjetër me ato çfarë ai ka njohur më përpara. Jo, të jesh kandidat për të drejtuar epiqendrën e jetës politike të një vendi nën regjim autokratik nuk është e njëjta gjë si të mbrosh një kauzë apo si të shkruash një libër. Sado i suksesshëm të jesh në veprimtarinë tënde qëndrestare kundër regjimit, koha kalon krejt ndryshe gjatë një fushate elektorale. Çdo sekondë është sa një ditë, shpejtësia me të cilën duhet të përthithësh informacione te llahtarshme, koha për të reaguar ndaj rrjedhjes së ngjarjeve të ndryshme është e vogël, tendosja dhe stresi i përhershëm. Sado i respektuar dhe i respektueshëm të jesh, hapësira fizike dhe intelektuale ndryshon në mënyrë të gjithëkohshme, ndonjëherë duket si uji që rrjedh e nuk kapet dot. Duhen kuptuar ekuilibrat, ndërtuar ekipet, gjetur mbështetje, përgatitur programi.

Nuk mund të improvizohesh kandidat. Duhet të jetë një dëshirë që të përvëlon, një rrugëtim personal në radhë të parë, nga i cili buron përkrahja kolektive e qytetarëve të etur për ndryshim.

Kandidati i përfolur është viktima e dytë sepse e nxjerrin si thashethem korridoresh përballë dikujt, i cili është zgjedhur nga një proces i hapur, ku vendosi anëtarësia. Emri i tij është lëshuar nën dorë nga një person, i cili për veten e tij nuk është zgjedhur asnjëherë ose kaq pak herë saqë nuk e mban mend kush. E vendosën në një situatë, në të cilën ai është i destinuar të humbasë, të dështojë dhe më pas të mbajë i vetëm, mbi shpatullat peshën e një përgjegjësie të tillë.

Viktima e tretë, anëtarësia e Partisë Demokratike. Viktima më e pafajshme e kësaj beteje. Për 9 vite, drejtuesit e saj e çuan nga humbja në braktisje, nga dështimi në zhgënjim. Kur u zgjua, në fillim ia mohuan ekzistencën. E përbuzën, e përplasën. Prej më shumë se një viti, po bëhet çdo gjë që energjia e saj të shuhet. Këto veprime të koordinuara nga një grup i gjerë aktorësh kanë krijuar një frustracion dhe një vuajtje të madhe shpirtërore te ta. Për çdo shkallë që ngjisin marrin nga një goditje shkopi. Për çdo derë që hapin nga një grusht në brinjë.

Mundohen të ecin përpara me ndjenjën e padrejtësisë së përhershme. Por kjo ecje krijon një mundim. Të ngarkuar emocionalisht, demokratët nuk arrijnë ta shohin kurthin që u ngrihet. Një thashethem i shpërndarë si një virus ju thotë se me vulën peng të Partisë Demokratike dikush do të dalë në garë kundër tyre. Pavarësisht cilësisë së këtij gjoja kandidati, kjo lëvizje do të ndikojë në zbehjen e angazhimit dhe të punës së tyre. Kurthi mbyllet, ata shpërthejnë në sharje, në sulme. Sigurisht, këto shfrime janë vetëm në rrjetet sociale. Por e keqja u bë. Dhuna, e cila duhet dënuar në çfarëdo forme të jetë, ndodhi. 

Emocioni në politikë është diçka e çuditshme. Ai mund të provokohet tek njerëzit, por rrallëherë mund të kontrollohet si nga ata që e shkaktojnë edhe nga ata që e pësojnë. Shpesh edhe pjesëmarrësve në këtë emocion, në vazhdim iu mbetet të bëhen spektatorë. 

Në fund, kandidati objekt i thashethemit flet publikisht. Nuk do të shkojë. Skena mbyllet nën rrënojat e një tragjedie të re, të panevojshme, nga e cila fitues del vetëm regjimi autokratik, që na sundon. 

Partia Demokratike ka vetëm një kandidat për Bashkinë e Tiranës dhe ai është Belind Këlliçi. Është një kandidat, i cili ka dalë nga një proces demokratik siç janë primaret. Është një kandidat, i cili po punon prej muajsh tashmë për të ndërtuar një alternativë ndaj drejtimit rrënues që i është bërë Tiranës nën sundimin e Erjon Veliajt.
Forcat tona, idetë tona, energjitë tona duhet të shkojnë të gjitha në këtë drejtim. Për Partinë Demokratike, për qytetarët shqiptarë, për të ardhmen tonë. Pak arsye në këtë debat të paarsyeshëm do të na bënte mirë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco