Kongresi i 50-mijë lekëshit

Kongresi i 50-mijë lekëshit

Nga Erion Dasho - 14/03/2023

Atë që të rinjtë shqiptarë mund ta shohin sot vetëm në Kinë, brezi im ende e mban mend shumë mirë. Çdo pesë vjet, partia e qoftëlargut mblidhej në “kongresin e radhës” ku diskutohej me plot kuptimin e fjalës gjithçka ndodhte në vend, nga bahçet me qepë që mbillnin fermerët para shtëpisë dhe deri tek hidrocentralet miliarda dollarësh.

Kongreset organizoheshin në sallën e Teatrit të Operas, por më vonë posaçërisht për to u ndërtua Pallati i Kongreseve. Delegatët ishin komunistët më fanatikë të cilët përzgjidheshin sipas një procesi që do ta kishin zili edhe lozhat masonike. Pas zgjedhjes, “puna” më e zorshme e delegatit ishte të duatrokiste fjalimet e sheqerosura dhe të dilte në fotografi. Kjo fotografi që për delegatin ishte më e rëndësishme edhe se fotografia e dasmës, vendosej në kornizë dhe mbahej pak poshtë fotografisë së qoftëlargut.

Edhe për ne fëmijët, sikur të mos mjaftonte dëgjimi i fjalimeve, leximi i raporteve të kongresit në muajt pasues, një lëndë e veçantë në shkollë, e quajtur historia e partisë, i studionte në detaje kongreset nga i pari deri tek i fundit. Ende mbaj mend se çdo kongres e kishte një temë kryesore, nga të cilat më kanë mbetur ndër mend vetëm dy “kongresi i industrializimit” dhe “kongresi i vazhdimësisë”.

***

Paralelizmat e të quajturit “Kongresi i Parë i Shëndetësisë” me kongreset e qoftëlargut janë të habitshme. Vendi i organizimit, vendosja e një numri rendor për ta identifikuar kongresin, përpjekja për t’u marrë në dy ditë me çdo tematikë të mundshme shëndetësore, masiviteti i pjesëmarrjes, përzgjedhja e delegatëve jo sipas ndonjë kriteri teknik apo shkencor, por politik, duartrokitjet entuziaste dhe festimi i “fitorjeve”, denoncimi i “armiqve”, fotot nga kongresi në profilet sociale, media e cila nuk u fokusua tek ndonjë nga referimet teknike, por tek fjalimi i Boratit dhe ato të boratëve, etj. etj.

Nuk munguan edhe “tezat” e kongresit. Shoku Borat pasi përmendi arritjet, u ndal tek dy nga premtimet të cilat ka dhjetë vjet që i bën, autonomia e spitaleve dhe pagesa e mjekëve sipas performancës. Me siguri nëse do të pyeten, boratët do të donin që “Kongresi i Parë” të hynte në historinë e re të partisë me cilësimet “kongresi i autonomisë” ose “kongresi i performancës”.

Por në fakt, media dhe komuniteti mjeksor, u morrën me një aspekt tjetër të kongresit, faktin që Borati premtoi rritjen e pagave me 50 mijë lekë për mjekët specialistë. Kjo rritje elektorale e pagës sipas vlerësimit tim prek rreth 1,500 mjekë (ndoshta edhe më pak duke patur parasysh se në spitalet e rretheve një pjesë dërrmuese e mjekëve janë tashmë pensionistë që vazhdojnë të punojnë) dhe ka një efekt financiar rreth 7.5 milion Euro në vit.

***

Në disa statuse dhe dalje televizive gjatë javës së kaluar, së bashku me disa kolegë qe ende kanë guxim të flasin, kam analizuar disa aspekte të “Kongresit të 50-mijë lekëshit”, duke u ndalur në sa vijon:

Së pari, rritja e pagës është akoma premtim dhe boratët nuk shquhen për mbajtje premtimesh. Por edhe sikur ky premtim të mbahej dhe ato 7.5 milion Euro të nisin të shkojnë në xhepat e mjekëve, pagat e mjekëve specialistë shqiptare përsëri do të mbeten më të ultat në rajon, për të mos folur për ato të mjekëve të familjes dhe infermierëve.

Së dyti, 7.5 milion Euro është e përafërt me shumën që i paguhet prej gati 10 vjetësh koncesionit famëkeq dhe të padobishëm të check-upit. Nëse në vitin 2014 nuk do të kishte “rënë nga qielli” vendimi për check-upin, mjekët specialistë do të kishin tashmë prej 10 vjetësh paga sa dyfishi i atyre që marrin sot.

Së treti, boratët e lidhin rritjen e pagave me përpjeket për të penguar hemorragjinë e mjekëve dhe infermierëve. Ndonëse janë bërë shumë studime dhe dhjetëra analiza, ende boratët nuk e kanë kuptuar se mjekët nuk ikin për shkak të pagës. Arsyet kryesore të ikjes mbeten dëshira për t’u larguar nga një sistem i dështuar dhe për të punuar në kushte dinjitoze, aty ku vlerësohet aftësia profesionale dhe shkencore, dhe jo aftësia për t’u lëpirë. Ekziston një listë e gjatë arsyesh të tjera, para se të arrihet sigurisht edhe tek paga.

***

“Kongresi i 50 mijë lekëshit” i arriti qëllimet e veta. Shpërndau karamele të sheqerosura për trushpëlarët dhe u dha të kuptojë kritikëve se partia po forcohet dhe se iluzionet për një shoqëri të lirë janë ende të paarrishtme.

Unë dhe kolegët e tjerë kritikë vazhdojmë të marrim nga kolegët në Shqipëri mesazhe të tipit “Sa mirë e ke analizuar, doktor, por unë nuk të bëj dot like apo share sepse na kontrollojnë”. Për këta të fundit shkruajta para disa ditësh një status të veçantë ku u kujtoja studentët gjermanë të mjeksisë që u çuan në gijotinë sepse kundërshtuan Hitlerin.

Për të gjithë kolegët dhe për gjithë shqiptarët kam të njëjtin mesazh sot:

Mos kujtoni se diktaturat e shekullin të 21-të duhet të ngjajnë patjetër me ato të shekujve të mëparshëm! Kjo që po jetoni në Shqipëri me patronazhistë, aktivistë, media të blera dhe tashmë edhe kongrese “fitorjesh”, është diktatura e butë moderne!

Nëse do të ulni kokat, ato do t’ju shtypen! Por nëse i ngrini kokat, të paktën nuk rrezikoni prerjen e tyre sepse jetojmë në një kohë tjetër. Nëse ngrini kokat, thjesht keni mundësi të shihni veten me krenari në pasqyrë pa ju ardhur turp nga vetja...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco