Lajmi i fundit

ODEON/ Muza e Operas, Eva Golemi rrëfen momentin e sikletshëm: Në arien e dytë djali kërkonte bukë

Çfarë ndryshoi në Ballkan një vit pas agresionit rus në Ukrainë?

Çfarë ndryshoi në Ballkan një vit pas agresionit rus në Ukrainë?

Nga Enver Bytyçi - 24/02/2023

U bë plot një vit që kur bota ndali frymën nga agresioni i Vladimir Putin kundër një shteti sovran e të pavarur, Ukrainës. Kishin ndodhur sulme të tilla në ish-Jugosllavi kundër shteteve që shpallën pavarësinë nga ajo federatë, por nuk ka ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore një luftë e tillë pushtuese me qëllime aneksimi, si ajo që filloi mëngjesin e hershëm të 24 shkurtit 2022. Rusia, pasi kishte pushtuar dhe aneksuar në marsin e vitit 2014 Krimenë, kësaj radhe nisi tanket dhe topat e saj për pushtimin e të gjithë Ukrainës. Madje shoqëruar me një propagandë hitlerine e milosheviçiane të “luftës kundër nazizmit të instaluar në shtetin e Ukrainës”! Fashistët e nazistët putinistë vepruan në emër të luftës kundër nazizmit dhe shpallën “denazifikimin,’ “demilitarizimin” dhe kësisoj pushtimin e shtetit sovran të Ukrainës.

Bota ndali frymën dhe priste se Ukraina do të dorëzohej në tri ditë ose brenda një jave. Por ndodhi çudia e papritur. Presidenti ukrainas, Zelenski, shpalli mobilizimin e përgjithshëm për rezistencë. Ai nuk pranoi të largohej nga vendi i tij dhe u vu në krye të luftës për mbrojtjen e atdheut të tij. Akti i presidentit ukrainas mbeti në histori dhe shënoi kthesën në luftën kundër Rusisë. Sot Rusia është thuajse në kufijtë e paraluftës. Ushtria e saj ndodhet e rrethuar në lindje dhe juglindje të Ukrainës.

Prej asaj kohe e deri më sot bashkësia ndërkombëtare po lufton kundër planit rus për ta zgjeruar konfliktin nga Ukraina në Ballkan. Pikat e dobëta të Ballkanit tashmë janë të dukshme në dritë të diellit. Ato përfshijnë Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Pikërisht ato vende ku pakicat serbe me ndihmën dhe regjinë e Beogradit kërcënojnë paqen dhe stabilitetin ballkanik. Europa dhe SHBA-të u riaktivizuan me qëllim që të mbyllet konflikti në rajon. Ata shpallën emrat e të ngarkuarve për Ballkanin. E bënë këtë SHBA-të, BE, Londra, Berlini dhe Roma. Dje u zotuan dhe japonezët për të ngarkuar një përfaqësues diplomatik për Ballkanin Perendimor.

Por sa ka ndryshuar Ballkani prej një viti, që kur filloi sulmi ushtarak i Kremlinit kundër sovranitetit të Ukrainës? Nëse bëjmë një bilanc, atëherë mund të thuhet se në Ballkan konflikti vetëm sa është thelluar. Gjatë vitit të kaluar së paku dy herë Kosova u kërcënua me ndërhyrje ushtarake nga ana e Serbisë së Aleksandër Vuçiç. Mali i Zi gjithashtu përjetoi një seri përplasjesh dhe konfliktesh për shkak të ndërhyrjes së Beogradit, maskuar me qëndrimet pro-serbe të kryeministrit anti-perendimor, Dritan Abazoviç. Ndërsa Bosnjë-Hercegovina vazhdon të mbetet një shtet jofunksional, për shkak të Dayton-it dhe bllokadës që i ka bërë këtij shteti Serbia dhe Republika Srpska.

Megjithë këtë Brukseli dhe shtete të caktuara në Perendim duan të eksperimentojnë edhe në Kosovë një Republikë Srpska, të cilën e quajnë Asosacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Ky eksperiment allasoj nuk sjell paqe në Ballkanin Perendimor e as në kontinentin europian. Kjo është e ditur. Iniciativat për marrëveshje midis shteteve, të cilat thellojnë konfliktin dhe destabilizojnë akoma më shumë paqen janë destruktive dhe duhet të jenë të papranueshme. Në këtë sens duhet trajtuar dhe i duhet dhënë përgjigje kërkesave disa herë ultimative të Bashkësisë Euro-Atlantike për ngritjen e një asosacioni të tillë. Ndryshe nuk mund të ketë sukses.

Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera të saj kanë njëmijë arësy dhe argumente të provojnë se asosacioni serb destabilizon dhe cënon paqen rajonale. Asosacioni është dhe mbetet paradhoma e përpjekjeve të krijimit të shteteve njëetnike në Ballkan. Ky precedent do të shkaktojë lëvizje tektonike në rajon. Ndaj dhe bashkësisë perendimore ndërkombëtare i duhet kërkuar që “të mos nxjerrë sytë e saj, në përpjekje për të vëne vetulla më të bukura”! Qeveria e Kosovës ka në dorë që çeshtjen e trajtimit të pakicës serbe në vend ta trajtojë në kuadër të konventave ndërkombëtare, gjë që është realizuar me planin Ahtisaari dhe kushtetutën e vendit.

Eskili thoshte se “Kur e drejta tejkalohet, ajo kthehet në të kundërtën e saj”! Serbët në Kosovë, me ndihmën dhe diktatin e Beogradit e kanë tejkaluar tashmë prej kohësh të drejtën e vet ne diskriminim pozitiv dhe për pasojë po japin mesazhin dhe krijojnë ndjesinë e persekutimit të shumicës së qytetarëve të Kosovës. Kështu ka ndodhur me pagesën e rrymës elektrike nga shteti për qytetarët e pakicës serbe në veri të vendit. Kështu po ndodh edhe me “lirinë’ e kësaj pakice që të jetojë në parajsën e kontrabandës dhe veprimtarisë mafioze brenda shtetit, duke mos dhënë asnjë kontribut për shtetin e për shoqërinë.

Për të gjitha këto arsye, pas një viti shoh se bashkësia ndërkombëtre ka dështuar në përballimin e situatave të krijuara në Ballkan nga agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës. Ajo u tërhoq nga kërkesa për njohje të Kosovës nga ana e Serbisë dhe u përkul para presioneve të Beogradit për këtë. Ndaj proklamoi nëj plan europian të ngjajshëm me marrëveshjene  famshme të 19 prillit 2013. Ndaj dhe në një farë mënyre janë shtuar konfliktet e reja e të vjetra, si ato midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Zgjidhja nuk vjen nga formimi i një lloj asosacioni serb në Kosovë, i cili duket të jetë prelud i ndryshimit të kufijve dhe katastrofës pas kësaj. Zgjidhja vjen e duhet të vijë me presion ndaj atij që i ka shkaktuar dhe i shkakton këto konflikte. Adresa e këtij presioni është vetëm një – Beogradi!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco