Ukraina, një vit më pas! Pse krahasimi me rastin e Kosovës ishte i gabuar

Ukraina, një vit më pas! Pse krahasimi me rastin e Kosovës ishte i gabuar

Nga Nikola Kedhi - 24/02/2023

Nga Nikola Kedhi, me kontributin e ekspertit të sigurisë Luke Coffey, publikuar në Newsmax

Viktima e parë e luftës është e vërteta. Larg fushave të betejës në tokën ukrainase, një luftë shumë më delikate dhe e rafinuar po ndodh në Perëndim - beteja e spinit dhe propagandës.

Një vit ka kaluar nga fillimi i konfliktit të parë në tokë europiane që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore – konflikt i cili nuk duket se do të mbarojë tani së afërmi. Ndërsa lufta vazhdon, po bëhet pothuajse e pamundur të dallosh faktin nga trillimi dhe të ndash emocionet nga faktet kokëforta. Mediat tradicionale dhe sociale janë të përmbytura me teori që variojnë nga më absurdet deri tek ato shumë faktike. Çuditërisht, me të gjitha mjetet teknologjike që disponojmë, kjo luftë ka treguar se është më e vështirë të fitosh informacion të vërtetë për atë që ndodh në fushën e betejës dhe të vlerësosh se çfarë ndodh në nëntokën politike dhe gjeopolitike.

Ka qenë synim i rubrikës sime në median amerikane Newsmax, që të kërkoja, si për çdo temë që analizoj, të vërtetën në mjegullnajën e madhe të spinit dhe propagandës. Ndaj, në fillim të kësaj lufte mendova se ishte e natyrshme, duke mos qenë unë një ekspert i çështjeve të sigurisë, të informoja veten dhe lexuesit e mi nëpërmjet një njohësi të mirë të këtyre temave.

Duke qenë se shumë prej fakteve mbeten të pandryshuara – dhe kjo temë prek dhe ne nëpërmjet aludimeve që bëhen për Kosovën – po rikthej bisedën time të përpara disa muajve, të botuar në rubrikën time në Newsmax, dhe ribotuar në shqip ekskluzivisht te Syri, me ish – drejtorin e Qendrës Allison për Studime të Politikës së Jashtme të Heritage Foundation, dhe konkretisht Ekspert i Lartë i Institutit Hudson, Luke Coffey, ekspert i sigurisë transatlantike dhe euroaziatike, i marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe i rolit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

"Faktet themelore të kësaj lufte janë mjaft të thjeshta," tha Coffey për rubrikën. “Rusia pushtoi Ukrainën dhe jo anasjelltas, duke e bërë Rusinë agresorin dhe Ukrainën viktimën. Për sa i përket Presidentit Zelenskyy, është mjaft e qartë se lidershipi i tij i guximshëm gjatë kësaj krize nuk ka qenë gjë tjetër veçse heroik për çdo standard të arsyeshëm.”

Komuniteti ndërkombëtar i inteligjencës dhe sigurisë është i bindur se zgjerimi i NATO-s nuk është motivi kryesor i agresionit. Me gjasë, në këndvështrimin tim, Presidenti Putin ka parë dobësimin e vetë shkaktuar të Perëndimit, sidomos pas fiaskos në Afganistan. Për të ka qenë momenti i duhur – ndoshta dhe në mbarim të disa marrëveshjeve gjeopolitike prej shumë dekadash – për të ndryshuar rendin botëror, dhe për të shkuar në një rend të ri shumë-polar. Ukraina ishte thjesht preteksti për të shkuar drejt këtij multi-polarizmi.

Sipas Coffey, “zgjerimi i NATO-s përdoret shpesh si një justifikim për Rusinë, por motivimi i Moskës është shumë më i thellë sesa synimi i NATO-s për t’u zgjeruar. Vlen të theksohet se ndërsa tre ish vende të BRSS iu bashkuan NATO-s në vitin 2004, në 17 vitet e fundit vetëm katër anëtarë të rinj i janë shtuar aleancës. Vendi më i afërt me Rusinë ndodhet 900 milje larg. Putini është një udhëheqës perandorak dhe po përpiqet të rikrijojë Rusinë perandorake – jo Bashkimin Sovjetik, duke kaluar qëllimet e tij për të ruajtur regjimin dhe pushtetin e tij dhe duke marrë një lojë të madhe ndaj Ukrainës për të ndërtuar trashëgiminë e tij.”

Ashtu si me justifikimin e zgjerimit të NATO-s, shumë zyrtarë dhe apologjetë të Kremlinit i referohen Kosovës si precedent për këtë agresion.

Krahasimi i Ukrainës me Kosovën është i gabuar për vetë natyrën e historisë së Kosovës dhe gjenocidin e kryer mbi shqiptarët që jetojnë atje. Një argument i përsëritur zakonisht thotë se po të mos kishte ndërhyrë NATO-ja në Kosovë, lufta e sotme nuk do të kishte ndodhur. Krahas rrethanave historike, popullatës vendase shqiptare në Kosovë dhe arsyeve të tjera kulturore dhe tradicionale që bindin përtej çdo dyshimi të arsyeshëm mbi legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, Luke Coffey solli për rubrikën një këndvështrim më objektiv, ndërkombëtar.

Dallimi më i menjëhershëm midis Kosovës dhe Luhanskut dhe Donjeckut, sipas tij, është se pavarësia e Kosovës nga Serbia rezultoi nga një proces formal që filloi në Kombet e Bashkuara. Në vitin 1999, Kosova u vu nën administrimin e Kombeve të Bashkuara nën autoritetin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (KSOKB), e cila u miratua 14-0 (Kina abstenoi) në qershor 1999. Për të përcaktuar statusin e Kosovës, ish-presidenti finlandez dhe i dërguari i posaçëm i OKB-së për Kosovën Martti Ahtisaari propozoi një plan të “pavarësisë së mbikëqyrur” për Kosovën, por ky propozim u refuzua nga Serbia dhe Rusia. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia. Që atëherë, më shumë se 110 vende, duke përfshirë të gjithë fqinjët e Kosovës në Ballkan, përveç Serbisë, e kanë njohur pavarësinë e saj. Megjithatë, Rusia, Kina dhe disa vende të BE-së si Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja kanë refuzuar ta bëjnë këtë.

Në tetor 2008, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi për ta referuar çështjen e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Në korrik 2010, GJND-ja vendosi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Kjo është krejt ndryshe nga ngjarjet e fundit në Donbas. Nuk ka asnjë mënyrë për të provuar se Rusia nuk do të kishte pushtuar Ukrainën nëse Kosova nuk do të kishte kërkuar pavarësi. Në fakt, duke marrë parasysh pozicionin e Rusisë ndaj rajonit separatist të Moldavisë të quajtur Transnistria, i cili i paraprin situatës së Kosovës, ka një argument të mirë për t'u bërë se Moska gjithsesi do të kishte pasur plane për Gjeorgjinë dhe Ukrainën.

Siç u theksua më herët me zgjerimin e NATO-s dhe justifikimet e precedentit të Kosovës, është e lehtë të gjenden mënyra për të justifikuar çdo agresion. Ndërsa mund të jetë e vështirë të dallosh faktet nga emocionet dhe lajmet e rreme, duhet të jetë mjaft e lehtë të kuptosh dallimin midis agresorit dhe viktimës.

Këshilla ime do të ishte të mos besoni menjëherë asgjë që del si nga mediat kryesore dhe nga teoricienët e konspiracionit. Ka idiotë të dobishëm në të gjitha anët e kësaj lufte që përsërisin ide që i përshtaten agjendave të caktuara, ashtu siç ka nga ata që e bëjnë këtë me qëllim. Kjo është arsyeja pse gjithçka që mund të bëjmë është të kryejmë hulumtimin tonë, të lexojmë burime të besueshme, të pyesim pse po na serviren këndvështrime specifike dhe mbi të gjitha të mendojmë në mënyrë logjike dhe kritike!

Çështja e dytë më e rëndësishme është nëse mund të ketë një Perëndim të bashkuar kundër Rusisë.

Përballë ambicieve perandorake të Vladimir Putinit qëndron një Perëndim çuditërisht koherent dhe – disi – i bashkuar. Në fillim të konfliktit, si zakonisht, instinkti i parë i vendeve perëndimore ishte përçarja, secili duke u kujdesur për interesat e veta. Pa dyshim, Perëndimi e ka trimëruar Vladimir Putinin përmes politikave të dështuara të gjelbërta, çmendurive ekonomike dhe dobësisë gjeopolitike. Europa prej kohësh është një gjigand burokratik, zombie ekonomik dhe xhuxh gjeopolitik, prej vitesh e varur prej Rusisë, me një model ekonomik të paqëndrueshëm.

Coffey shpjegon: "Shumë nuk besuan se Rusia do të shkonte deri në këtë pikë në Ukrainë. Kjo ka tronditur elitat e qarqeve politike evropiane, dhe për këtë arsye ne po shohim ndryshime të shpejta dhe të mëdha përsa i përket shpenzimeve të sigurisë dhe mbrojtjes. Nuk ka dyshim se Perëndimi do t'i hedhë Rusisë një litar të vogël shpëtimi për aq kohë sa ajo vazhdon të blejë gaz rus."

Gjithsesi shumë vende europiane në këtë një-vjeçar kanë diversifikuar burimet e tyre të energjisë, duke detyruar Rusinë të kërkojë tregje të reja gjetkë, pavarësisht se politikat që kanë dobësuar Europën ekonomikisht vazhdojnë me të njëjtin ritëm.

Kontinenti i vjetër ka qenë prej kohësh drejt një rruge të zombifikimit ekonomik dhe socializmit - duke vuajtur nga plagë të vetëshkaktuara. Për fat të keq, Shtetet e Bashkuara janë tashmë në një rrugë të ngjashme. Megjithatë, një botë në të cilën Amerika nuk është një lojtar kyç është shumë më e rrezikshme për të gjithë, duke përfshirë edhe qytetarët e saj.

"Ne nuk kemi më nevojë për një dritë jeshile nga amerikanët apo ndonjë kryeqytet tjetër perëndimor për të vendosur për interesin tonë kombëtar," tha një profesor i shkencave politike nga Emiratet për Financial Times, mbi abstenimin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Indisë dhe Arabisë Saudite nga votimi për një rezolutë të SHBA-së që dënon pushtimin e Rusisë në Ukrainë, pavarësisht kërkesave të SHBA-së për të votuar pro rezolutës. Mbi këtë ndikim amerikan në rënie, eksperti i Institutit Hudson komentoi:

"SHBA garanton në thelb sigurinë e shumë shteteve të Gjirit, por nuk mund t'i bindë ata të votojnë në përputhje me interesat e SHBA në OKB. Kjo është qesharake. Një pjesë e kësaj është mungesa e angazhimit të SHBA-së në rajon. Për shembull, Biden nuk ka bërë as një vizitë në rajon. Ai ka shkëmbyer marrëdhënie të forta me botën arabe me dëshirën e dëshpëruar për të siguruar një marrëveshje të re me Iranin."

Një botë pa Amerikën në krye, është një botë me Kinën që vendos rregullat e rendit të ri. Izolacionistët amerikanë duhet ta marrin parasysh këtë kur hedhin poshtë atë që ndodh në Evropë me një lehtësi të frikshme. Kina mund të duket shpeshherë sikur po qëndron në një pozicion neutral. Megjithatë, dragoi aziatik po vëzhgon me kujdes veprimet amerikane dhe evropiane. Faktikisht, ajo tashmë është në një aleancë informale me Rusinë. Dhe pret veç çastin kur të mund t’i sulet Tajvanit.

Luke Coffey solli në vëmendje të kësaj rubrike një detaj të rëndësishëm:

“Një numër i madh i forcave ruse të përdorura për pushtimin e Ukrainës u zhvendosën nga Distrikti Ushtarak Lindor i Rusisë, duke e lënë numrin e trupave ruse pranë Kinës në një nivel të ulët dhe historikisht të paprecedentë. Kjo tregon nivelin e besimit që ekziston aktualisht në marrëdhëniet e Rusisë me Kinën. Kina e sheh luftën në Ukrainë si një mjet për ta bërë gjeopolitikën më të vështirë për Perëndimin.”

"Ajo do të vëzhgojë gjithashtu vendosmërinë e Amerikës në Ukrainë kundrejt ambicieve të saj në Tajvan. Dyshoj se Kina do të vazhdojë rolin e saj tradicional për t'i ofruar ndihma ekonomike Rusisë përballë sanksioneve ekonomike perëndimore. Megjithatë, duke pasur parasysh përmasat e këtyre sanksioneve, mbetet për t'u parë se sa mund të ndihmojë Pekini në këtë drejtim të paktën në afat të shkurtër."

Një vit pas fillimit të luftës, duket se Kina vazhdon me politikat e saj të afrimit me Rusinë. Wall Street Journal së fundmi raportoi se lideri kinez Xi Jinping po planifikon mbajtjen e një samiti me presidentin rus Putin muajin tjetër. Lajmi erdhi teksa Rusia njoftoi pezullimin e një prej traktateve nukleare me Shtete e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara thonë se Kina i ka ofruar Rusisë mbështetje teknike dhe ekonomike për luftën, por deri më tani jo armë. Gjithashtu, Kina mund të jetë e interesuar të zgjasë luftën, duke varfëruar më tej rezervat e armëve të Perëndimit pas një viti mbështetjeje ndaj Ukrainës.

Për ta thënë më troç, ndihma me armë e Kinës për Rusinë do të ishte një demonstrim i ri dhe i qartë i synimeve armiqësore të Kinës ndaj SHBA-së dhe Perëndimit. Kjo mandej do të kërkonte gjithashtu një përgjigje të fortë të SHBA-së, e cila do të duhej të përfshinte shkëputje të mëtejshme ekonomike.

Gjithsesi, për të përfunduar me një notë pozitive, në fund gjithë kësaj historie pak ekspertë e shohin Rusinë si fituese. Për Luke Coffey, "rusët tashmë po paguajnë një kosto të lartë për sa i përket gjakut dhe thesarit. Sanksionet ekonomike nuk janë ndjerë plotësisht dhe shumë më tepër gjak rus do të derdhet në Ukrainë përpara se vendi të hyjë nën kontrollin rus – nëse do të ndodhë ndonjëherë.

Shumë vite me një nën-investimi kronik, korrupsioni endemik dhe dështimi për të nxjerrë mësime nga konfliktet e mëparshme, e kanë bërë ushtrinë ruse të përballet me shumë probleme serioze në Ukrainë”.

"Ne jemi në fazat e hershme të një tërmeti gjeopolitik që ndodh ndoshta një herë në gjeneratë. Nuk është e mundur të dihet se si do të duket bota në fund të kësaj. E vetmja gjë që është e sigurt është se gjërat nuk do të jenë kurrë si para pushtimit”, përfundoi ai.

Kjo rubrikë bie dakord. Marksizmi kulturor dhe politikat ekonomike socialiste kanë dobësuar demokracitë perëndimore, kanë çuar në kufizime të lirive individuale dhe ekonomike dhe kanë vënë në rrezik sigurinë kombëtare të vendeve perëndimore.

Perëndimi tani ka një shans për të ndryshuar këtë kurs shkatërrues dhe për t'u rikthyer te vlerat patriotike dhe kapitaliste që ndihmuan në mposhtjen e Bashkimit Sovjetik. Një realizëm i principtë në politikë të jashtme, me parimin paqe nëpërmjet forcës, si dhe një ripërtëritje sociale e ekonomike nëpërmjet fuzionizmit Reaganian, politikave të ofertës me taksa të ulëta, lirim të energjive e potencialit ekonomik, industrializimit, fuqizimit të individit, familjes e komunitetit, do të çonte në një Aleancë Perëndimore me fuqi të jashtëzakonshme që do të zmbrapste avancimet gjeopolitike të vendeve si Rusia e Kina duke u siguruar që balanca ekonomike, ushtarake dhe gjeopolitike të mbetej në Perëndim.

Nikola Kedhi është ekspert ekonomik, konsulent financiar dhe kontribuues në media të ndryshme si Fox News, Daily Signal, Newsmax, Newsweek, Il Giornale, The Federalist, CapX, European Conservative dhe Mises Institute. Mendimet e shprehura janë vetëm të autorit dhe nëse e specifikuar të ekspertit Luke Coffey.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco