A do të mbarojë ndonjëherë lufta e Kosovës?

A do të mbarojë ndonjëherë lufta e Kosovës?

Nga Tim Judah - 04/01/2023

Nga Tim Judah, UNHERD

Krizat në Kosovë kanë një program strikt. Bëhet në këtë mënyrë: Në fillim, pas një mosmarrëveshjeje midis liderit të Serbisë dhe të Kosovës, pala kosovare vendos një afat për të bërë këtë apo atë, ose në veriun e banuar nga serbët ngrihen barrikada. Diplomatët shkojnë e vijnë me shpejtësi marramendëse, thuhen fjalë të ashpra, dhe ushtria serbe vendoset pranë kufirit, duke u siguruar që filmime të autokolonave ushtarake të qarkullojnë në median sociale. Nacionalistët serbë fantazojnë se do të ndodhë vërtet diçka dhe tabloidët serbë jargaviten se shqiptarët e Kosovës janë gati të hapin luftë kundër njerëzve të tyre.

Në këtë pikë, pjesë të medias perëndimore zgjohen, dhe gazetarët, që duket se nuk e kanë idenë që NATO ka mijëra trupa në Kosovë të angazhuara për mbrojtjen e saj nga Serbia, mendojnë se do ta sulmojë. Pastaj, arrihet marrëveshja, barrikadat hiqen, deri herën tjetër.

Sot jemi në fundin e ciklit të radhës. Barrikadat që qëndruan për 20 ditë janë hequr dhe të gjithë kanë shkuar në shtëpi, por këtë herë ishte vërtet serioze. Barrikadat në fakt ishin kamionë që bllokuan rrugët në 14 vende. Vetëm një javë më parë, teksa vizitova fshatin e Rudares, një koleg më tregoi një autobot nafte. Banorëve nuk po iu pëlqente. Autoboti ishte i mbushur plot; ndonjë incident serioz mund ta bënte që të shpërthente.

Teksa flisnim, gjyqtarë, mësues, doktorë – në fakt dukej si e gjithë borgjezia e lartë serbe e veriut të Kosovës – endeshin lart e poshtë, flisnin me shokët e ngrohnin duart në pishtarët e ndezur. Disa ishin atje thjesht sepse donin të ishin, të tjerë sepse shefat e tyre të emëruar politikisht i kishin urdhëruar të shkonin. Edhe liderët e partisë kryesore serbe në Kosovë ishin atje. Në një pikë, u shfaq një makinë, nga e cila dolën katër të rinj me maska dhe shëtitën në këmbë qëllimisht. Në qytetin e ndarë të Mitrovicës aty pranë, ku serbët jetojnë në veri e shqiptarët në jug, veriu është i mbushur me flamuj serbë e pikturuar me stemat e diçkaje të quajtur “Brigada e veriut”. Ato thonë: “Mos u shqetësoni... ne jemi në pritje”. Po kush janë këta që presin? Milici serbe? Askush nuk e di me siguri.

Nën zë, banorët më thonë se vitin e fundit 600 burra janë dërguar për stërvitje ushtarake në Serbi. Por nuk ka asnjë mënyrë për ta mësuar – vetëm nëse bën pyetje për njerëz që vërtet nuk do t’i pëlqenin ato – se çfarë është e vërtetë e çfarë është informacion i rremë i përhapur nga BIA, shërbimi inteligjent serb, i cili besohet se luan fijet aty. Ndërkaq, vendasit kishin formuar radhë të gjata në bankomate. Me barrikadat që kishin mbyllur dy postat kufitare në veri, ata shqetësoheshin se bankat do të mbeteshin pa pará.

Pyesni njerëzit në veri të Mitrovicës se çfarë duan dhe përgjigja është thjesht një jetë normale – diçka që askush këtu nuk e di se çfarë është prej më tepër se çerek shekulli. Por sa gjasa ka të ndodhë? Si ta presësh nyjen gordiane të Kosovës, e cila mban të lidhur bashkë fatin e serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës (edhe të Kosovës e Serbisë)? Lufta e Kosovës mbaroi më 1999, por ende diplomatët dhe liderët politikë nuk kanë qenë të zotë apo të gatshëm për të arritur një marrëveshje për kuadrin final të bashkekzistencës paqësore.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet ’90, Kosova, provinca jugore e Serbisë, mbeti brenda Serbisë megjithëse popullsia ishte në shumicë dërrmuese etnike shqiptare, kundërshtonte sundimin serb dhe shtypej nga Sllobodan Millosheviç, lideri serb që i kishte hequr autonominë provincës. Pas luftës së 1998-99 midis gueriljeve shqiptare dhe Serbisë, e më pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova u bë protektorat e OKB. Më 2008, shpalli pavarësinë. Kjo u njoh nga shumica, por jo nga gjithë vendet perëndimore, dhe u kundërshtua nga Serbia, Rusia e Kina, ndër të tjera. Shqiptarët e Kosovës argumentuan se ata kishin të drejtën për vetëvendosje; Serbia argumentoi se integriteti i saj territorial e ndalon këtë, ndonëse askush në Serbi nuk dëshironte apo dëshiron vërtet ri-integrimin e një rajoni plot shqiptarë armiqësorë.

Nga popullsia 1.8 milion banorë e Kosovës, 100,000-120,000 janë serbë. Më tepër se gjysma jetojnë në Kosovën qendrore e jugore, ndërsa pjesa tjetër jetojnë në veri, një zonë kompakte në kufi me Serbinë. Tani, thonë serbët vendas në veri, gjërat kanë ndryshuar kah. Marko Jaksiç, avokat e aktivist politik nga veriu i Mitrovicës, thotë se Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, “po bën të njëjtën gjë si Millosheviçi gjatë viteve ’90, por në kah të kundërt”. Ky lloj argumentimi i tërbon nga zemërimi shqiptarët e Kosovës.

Po bisedoja me Jaksiç në Number One, një hotel kafé disa qindra metra larg urës mbi lumin Ibër që ndan më dysh qytetin. Ai e nis bisedën duke treguar se fiks 10 vjet më parë e kisha pyetur se cila do të ishte zgjidhja për Kosovën dhe ai më kishte thënë se kufiri midis Kosovës e Serbisë nuk ishte atje “atje lart”, duke nënkuptuar veriun e zonës ku ishim, por “te ura”. Ai beson se Kosova duhet ndarë. Është një ide që shkon e vjen si batica. Deri sa shkoi në Hagë më 2020 për t’iu përgjigjur akuzave për krime lufte, Hashim Thaçi, deri në atë moment President i Kosovës, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, luajtën me idenë, por vendet perëndimore shpejtuan ta refuzonin.

Ndarja nuk ishte e mirëpritur as në Kosovë e Serbi. Problemi nuk ishte Kosova veriore, por më tepër precedenti i krijuar. Nëse Kosova veriore i kthehej Serbisë, atëherë çfarë do të bëhej me luginën e Preshevës në Serbi, e populluar nga shqiptarë; apo me rajonet e banuara nga shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, apo me rajonet serbe e kroate në Bosnjë Hercegovinë? Kështu, Kutia e Pandorës mbetet e mbyllur. Atëherë, si do të mund të bëjnë jetë normale serbët e Kosovës, veçanërisht në veri?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje është çuditërisht e lehtë. Me vullnet politik nuk ka asnjë çështje të pazgjidhshme, apo të paktën që nuk mund të zbutet, midis Kosovës e Serbisë, dhe midis serbëve e shqiptarëve. Dy palët kanë biseduar në dialogun e nxitur nga BE prej më tepër se një dekadë dhe janë arritur mjaft marrëveshje, ndonëse jo të gjitha janë zbatuar.

Invazioni rus në Ukrainë injektoi vrull të ri në negociata, të cilat udhëhiqen nga Miroslav Lajcak i BE, i cili përkrahet nga Gabriel Escobar, diplomat amerikan. Megjithatë, që nga qershori, i zgjidhin problemet por nuk i parandalojnë, duke zgjidhur krizat për targat e makinave, kartat e identitetit e tani barrikadat. Por e kanë një plan, të përkrahur nga Franca e Gjermania, i cili mund të hedhë themelet për një marrëveshje afatgjatë. Diplomatët flasin për “dy Gjermanitë”, duke nënkuptuar se Serbia e Kosova mund të jetojnë përkrah njëra-tjetrës (si dy Gjermanitë e Luftës së Ftohtë), pa njohur zyrtarisht njëra-tjetrën, por si shtete të pavarura.

Por kjo është vetëm gjysma e ekuacionit. Në shkëmbim të njohjes de facto, që do të thotë trajtim si shtet fqinj nga Serbia, Kosova pritet të veprojë në përputhje me një angazhim që ka firmosur më 2013, sipas të cilit bashkitë serbe në Kosovë mund të formojnë një lloj shoqate, duke iu dhënë autonomi efektive në fusha si shëndeti e arsimi. Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka hedhur poshtë dhe Kurti bëri fushatë të fortë kundër këtij angazhimi kur ishte në opozitë, por tani presioni vjen nga mbështetësit e tij perëndimorë për gjetjen e rrugëve për zgjidhje në një mënyrë apo tjetër.

Kriza aktuale e ka çuar prapa kauzën e normalizimit. Serbët janë larguar nga parlamenti, gjyqësori dhe, në veri, nga forcat e policisë. Ata janë larguar edhe nga asambletë lokale, çka solli zgjedhje të reja lokale, tashmë të shtyra deri në prill, pas sulmit ndaj zyrave elektorale në veri. Tatjana Lazareviç, redaktore e faqes së lajmeve KoSSev, thotë se që kur serbët u larguan nga forca policore në veri janë dërguar efektivë shqiptarë dhe vendasit i shohin ata si “100% forcë pushtuese”. Ajo shton se serbët në veri “nuk donin të integroheshin në shtetin e Kosovës... dhe nuk duan as sot”. Por nëse ka një marrëveshje normalizimi midis Kosovës e Serbisë, njerëzit do të jetojnë me të.

Nëse arrihet një marrëveshje, çfarë zgjedhjeje do të kenë serbët e Kosovës? Veriu i Kosovës mund të jetë një vend i rrezikshëm. Nëse është në interesin e Serbisë për të bërë marrëveshje, kundërshtimi nuk do të tolerohet. Ky është një vend ku politika ndërthuret me krimin e organizuar, më tepër se kudo tjetër në Ballkan.

Pavarësisht lojës së rrezikshme të luajtur me barrikadat në javët e fundit, jo gjithçka është e zymtë dhe mbaruar. Lajcak më tha: “Tensionet nuk kanë qenë kurrë më të lart në 20 vjet, mosbesimi nuk ka qenë kurrë më i thellë”. Por Jeff Hovenier, ambasadori amerikan në Kosovë, dukej më optimist. Ai më tha se, ndërsa synimi final ishte njohja reciproke midis Kosovës e Serbisë, “që fatkeqësisht nuk është e mundur tani, sfidat e sotme ende mund të kapërcehen. Nëse e sheh këtë marrëveshje, këtë punë, si një hap të përkohshëm drejt synimit... atëherë ka mundësi reale”.

Ivan Vejvoda, analist serb dhe kreu i programit “E ardhmja e Evropës” i Institutit të Shkencave Njerëzore në Vienë, ka të njëjtin mendim. Pavarësisht konfliktit, “të dyja palët e kuptojnë se duhet ta bëjnë, por po kërkojnë mënyra ku secila del si pala fituese, por këtu nuk ka fitues. Secili do të humbasë diçka, apo më mirë të themi askush nuk do të marrë gjithçka dëshiron. Por pikërisht ky është kompromisi, arritja e një situate ku ecet përpara”. Ai më pas sjell shembuj nga Irlanda e Veriut te Ishujt Faroe Islands, te Vendet Baske e deri te Tiroli i Jugut, ku janë siguruar zgjidhje funksionuese për të drejtat e pakicave.

Vetë Kurti mendon se Serbia mbetet e painteresuar për arritjen e një kompromisi, ndërsa Vuçiç thotë se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Vuçiç ende dëshiron ndarje, më tha Kurti që flet sikur po kërkon “ndonjë makinë kohe... disa herë dëshiron të kthehet pas më 1999 e disa herë më 2007 (para shpalljes së pavarësisë nga Kosova), por ai tren ka ikur tashmë. Nuk ka më kthim prapa”. Shumë diplomatë e shohin Kurtin si kokëfortë dhe kjo ia ka larguar një pjesë të përkrahjes perëndimore, por politika e të luajturit pa bërë lëshime kundër Vuçiç ka sjellë rezultate. Vuçiç është në disavantazh dhe është detyruar të lëshojë për disa çështje në muajt e fundit: më 15 dhjetor Kurti aplikoi për kandidaturën e Bashkimit Evropian dhe tashmë e ka marrë premtimin se qytetarëve të Kosovës nuk do t’u duhen viza për zonën Schengen që nga viti 2024.

E megjithatë, mes gjithë këtyre zgjidhjeve teknike, një pjesë e problemit – në fakt, një pjesë shumë e madhe e problemit – është personale. Disa vite më parë, intervistova Hashim Thaçin, i cili ka qenë një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur Vuçiç ishte ministër në qeverinë e Milosheviçit. Në fund të intervistës më pyeti: “A flet me Aleksandrin?” Në fillim s’po e kuptoja, pastaj u ftillova që po fliste për Vuçiç. Sot nuk ka më biseda të përzemërta me emër. Vuçiç dhe Kurti e përbuzin njëri-tjetrin. Kur Vuçiç ishte ministër, Kurti ishte i burgosur politik në një burg serb; më 1 dhjetor, Vuçiç e quajti publikisht Kurtin “llum terrorist”. Mungesa e çfarëdolloj raporti personal e bën shumë më të vështirë gjetjen e një marrëveshjeje.

Pasi u larguam nga Number One në Mitrovicën e veriut, unë dhe Jaksiç shkuam te ura mbi Ibër, teksa kthehesha në Prishtinë. Mund të ecësh mbi urë, megjithëse është e ndaluar për qarkullimin që nga viti 1999. Jaksiç më tha se, si administrator i gjykatës për gjykatën e bashkuar të Mitrovicës, ai dhe kolegët e tij shqiptarë ishin ndarë me lot në sy por si miq kur ai, si të gjithë serbët në gjykatë, kishte dhënë dorëheqjen kur serbët u larguan nga institucionet e Kosovës. Tani nuk kishte më kthim prapa, mendonte. Por më pas qeshëm kur thamë nëse do t'i bëja të njëjtat pyetje edhe pas 10 vjetësh. Sikur të vija bast, do të thosha që ka 60 me 40 shanse që t’ia bëj.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco