Një telefonatë, për krizën në Kosovë!

Një telefonatë, për krizën në Kosovë!

Nga Hysni Gurra - 28/12/2022

As SHBA, me zëvendës-sekratarin e DASH, z. Eskobar dhe ambasadorët amerikanë në Beograd e  Prishtinë, as BE me Borrel e Lajçak, as OKB me Sekretarin e Përgjithshëm Gutirrez, madje as NATO me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg nuk mund ta zgjidhin krizën që sa vjen dhe përkeqësohet në Veri të Kosovës.

Këtë krizë e zgjidh vetëm Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë.

Nuk e zgjidh ashtu sikundër po e kërkon opinioni i informuar dhe i painformuar shqiptar, nuk e zgjidh as sipas sugjerimeve të ish-diplomatëve të shquar të Shqipërisë që i kërkojnë të shfrytëzojë faktin se Shqipëria aktualisht është anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara apo edhe vetë anëtare e NATO-s, vend anëtar i Këshillit të Europës, OSBE-së dhe vend kandidat për në BE. JO.

Situata në Kosovë është përkeqësuar.

Meradara, është bllokuar fare, pika kryesore e kalimit kufitar me Serbinë. Tashmë barrikadat nuk janë ngritur vetëm nga disa elementë kriminalë në Veri të Kosovës, por edhe nga serbë në territorin e Serbisë.

Vetëm Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë mund ta zgjidhë këtë krizë.

Sigurisht jo duke dëgjuar ministren e jashtme të Shqipërisë Olta Xhaçka, që reagon ndaj ngjarjeve në Kosovë sikur të jetë ministrja e jashtme e Sri Lankës. Asesi. Kriza në rajon kërkon ndërhyrjen energjike të një lideri të kapacitetit të Edi Ramës. Një njeri i sprovuar për misione të vështira. Një njeri që nuk ka ngurruar të ngrejë zërin lart në Këshillin e Europës, në Këshillin e Sigurimit dhe sidomos në kritikat e rrepta ndaj BE-së për mungesën e strategjisë në lidhje me rajonin.

Edi Rama është i vetmi që mund ta zgjidhë krizën në veri të Kosovës, por jo duke shfrytëzuar miqësinë e tij personale me Erdogan. Edi Rama nuk i vë miqtë në pozitë të vështirë. Edi Rama nuk mund të luaj as bllofin duke vënë ushtrinë shqiptare (anëtare e Aleancës) në gjendje gadishmërie. JO. Edi Rama është provuar tashmë se i zgjidh çështjet e ndërlikuara me metoda paqësore.

Dhe është krejt e sigurtë që në mometin që Edi Rama vendos ta zgjdhë këtë krizë, kriza do të tretet si kripa e detit të Vlorës në lumin e pastër të Valbonës.  Për të zgjidhur këtë krizë, Edi Ramës i duhet të bëjë vetëm një telefonatë. Një telefonatë dhe i heq si me magji të 13 barrikadat që kanë vënë serbët këtej dhe andej kufirit me Kosovën. Kriza që po lë pa gjumë vendet e rajonit dhe institucionet ndërkombëtare zgjidhet sapo Edi Rama të ngrejë telefonin dhe të komunikojë me mikun e tij të ngushtë, vëllain për gjak Aleksandër Vuçiç. Kaq duhet për të zgjidhur krizën. Por për të mbërritur deri këtu duhet që një person të ketë kurajon dhe të informojë për situatën Edi Ramën.

Ndoshta këtë detyrë të vështirë mund ta bëjë vetëm- Pandeli Sotir Majko!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco