Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Heshtja që po shpartallon shtetin ligjor

Heshtja që po shpartallon shtetin ligjor

Nga Klodian Tomorri - 02/12/2022

Në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë ka një nen të posaçëm, që rregullon konfiskimin e pasurisë. Bëhet fjalë për nenin 36, i cili në pikën e parë thotë shprehimisht;

‘Konfiskimi jepet detyrimisht nga gjykata dhe ka të bëjë me marrjen dhe kalimin në favor të shtetit të pronës, sendeve, apo çdo pasurie tjetër….’

Në këtë paragraf është trupëzuar një nga parimet më universale të së drejtës dhe shtetit ligjor. Zhveshja e qytetarit nga e drejta e pronësisë, bëhet vetëm përmes një procesi të rregullt ligjor dhe në asnjë mënyrë tjetër. Kjo është një e drejtë themelore, të cilën njerëzimi e ka fituar shekuj më parë. Tani të kthehemi në erën moderne.

Tre muaj më parë qeveria e Shqipërisë miratoi një vendim, ku i jep vetes të drejtën të konfiskojë pasuri pa gjykatë, pa gjyq, pa ligj. Nga dita e miratimit të atij vendimi, kryeministri është shfaqur disa herë publikisht duke firmosur copa letre konfiskimesh, për pallatet e ndërtuara pa leje nga biznesmenët e ndërtimit. Pikërisht ata, të cilët për be qeveria do t’i kishte shkatërruar, por nuk ka ç’u bën se i mbrojnë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. Por kjo është tjetër histori.

Tani imagjinoni për një moment një shoqëri, ku të gjithë i binden ligjit, por një person qëndron mbi të. Kjo është as më shumë e as më pak diktatura. Personi që qëndron mbi ligjin është tirani. Gjithë të tjerët janë lodrat e tij.

Historia e njeh tiranin me shumë emra.

Por ndoshta më përfaqësuesi ndër ta është Mbreti Xhon.

Xhoni ishte një mbret në Anglinë e shekullit të 13-të, i cili kështu si qeveria e Shqipërisë konfiskonte pasuritë e qytetarëve në mënyrë arbitrare, fuste njerëzit në burg pa arsye dhe taksonte pa ligj. Për fatin e mirë të njerëzimit, një grup fisnikësh qëndruan para tiranisë.

Dhe kjo prodhoi atë që cilësohet si dokumenti më i rëndësishëm i të drejtave të njeriut në histori; Kartën e Madhe. E megjithatë, të drejtat nuk mbrohen nga letrat apo fjalitë e shkruara nga to. Gardiani i të drejtave të njeriut është vetë shoqëria.

Ajo që zmbrapsi tiraninë në Angli dhe botën e qytetëruar demokratike ishin antikorpet e prodhuara nga shoqëritë kundër padrejtësive. Në shoqërinë shqiptare sistemi imunitar ka rënë dhe nuk prodhon më antitrupa për të luftuar të keqen. Përkundrazi madje, është kompromentuar dhe funksionon në krahun e kundërt. Dhe ky është problemi fatal.

Qeveritë do të tentojnë gjithmonë të dalin mbi ligjin. Gjithmonë do të ketë një Xhon në Angli apo një satrap në Shqipëri, që mund t’i bëjnë atentat Kushtetutës apo sundimit të ligjit. Por një gjë është e sigurtë. Në Angli tentativa do të dështojë sepse antikorpet janë aty.

Ndërsa në Shqipëri Kryeministri mund të firmosë i pashqetësuar copat e tij të paligjshme të letrës, që grisin Kushtetutën dhe rrëzojnë shtetin ligjor, teksa të gjithë heshtin.

Heshtin juristët, heshtin intelektualët. Dhe në fund heshtin dhe vet ata, të cilëve u konfiskohet pasuria pa gjyq. Por këta të fundit heshtin sepse janë pragmatikë. Mbreti po bën show-n e radhës dhe këta duhet të binden. Ndoshta edhe me marrëveshje.

Pasi për çdo pallat pa leje që u konfiskohet do të marrin një tender, apo një leje tjetër me të madhe. E gjitha në kurriz të ligjit dhe shtetit ligjor. Ky është sistemi imunitar i kompromentuar i shoqërisë shqiptare, ku të gjithë janë vasalët e mbretit. Emri i mbretit nuk ka rendësi fare nëse është Xhoni apo Xoni.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Gj02/12/2022 19:19

Çfarë thuhet në këtë shkrim dhe në një portal tjetër me titull "Rama krijon njeriun e ri, trafikantin që nderohet nga populli" duhet të jenë arsyet më madhore për të protestuar!!!

Shto koment

Denonco