Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Vuçiqi, ky mik i madh (i Putinit)

Vuçiqi, ky mik i madh (i Putinit)

Nga Arbër Zaimi - 02/12/2022

Së fundmi lideri i Ballkanit të Hapur, Aleksandër Vuçiqi paska deklaruar se nuk do të marrë pjesë në takimin me BE në Tiranë, për shkak se Qeveria e Kosovës ka bërë ministër Nenad Rashiqin, një politikan serb të cilin nuk e kontrollon Beogradi.

Reagimi i Vuçiqit tregon vetëm gjysmën e të vërtetës. Gjysma tjetër është kjo: Vuçiqi nuk pranon asnjë nismë tjetër veç Ballkanit të Hapur dhe po e shqetëson ringjallja intensive e Procesit të Berlinit. Ai në Berlin herën e fundit nuk shkoi vetë por dërgoi kryeministren e tij të pafuqishme. Vuçiqi është politikani më pro-Putin në Evropë pas Lukashenkos, dhe është i pakuptimtë respekti e afërsia që kryeministri i fuqishëm i Shqipërisë, Edi Rama ka për të. Aq më tepër duke ditur faktin se Vuçiqi sot është kërcënuesi më i madh i bashkëpunimit dhe bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, mbrojtës i krimit dhe kërcënues i paqes.

Për Vuçiqin, çdo politikan serb i cili dëshiron paqe dhe bashkëjetesë me shqiptarët është “llum”. Këtë fjalë e përdori Vuçiqi për ministrin e ri të Kosovës, Nenad Rashiqin. Nuk është për t’u habitur, duke ditur se Vuçiqi ka qenë ministër i Millosheviqit dhe bashkëpartiak i Sheshelit.

Politika e Vuçiqit ndaj serbëve të Kosovës është e tillë:

Regjimi i Vuçiqit mbron, financon dhe strehon kontrabandistë e kriminelë të listave të zeza ndërkombëtare, si Veselinoviq dhe Radojçiq, të cilët terrorizojnë banorët në veri të Kosovës dhe mirëmbajnë lidhje me kriminelë të të gjitha etnive, përfshi edhe kriminelë shqiptarë dhe partnerët e tyre në politikë.

Regjimi i Vuçiqit mbron porositësit, organizatorët dhe realizuesit e vrasjeve të politikanëve serbë të Kosovës që nuk ndjekin vijën e ashpër të Beogradit, si rasti i Oliver Ivanoviqit.

Regjimi i Vuçiqit mbron dhe mbështet terrorizimin e familjeve të politikanëve serbë që duan bashkëjetesën dhe paqen, siç ishte rasti i rrahjes brutale të djalit adoleshent të Nenad Rashiqit. Kërcënimet dhe sharjet që Vuçiqi së fundmi po i bën kundër politikanëve që ai nuk i kontrollon, si Rashiq e Trajkoviq, tregon se ai nuk dëshiron të lejojë që serbët e Kosovës të vendosin vetë për veten e tyre.

Regjimi i Vuçiqit paguan, mbron dhe kontrollon strukturat kriminale që dogjën veturat e serbëve të cilët zbatuan ligjin në Kosovë duke ndryshuar targat. Janë të njëjtat struktura kriminale që ngrenë barrikada, vendosin haraçe, kërcënojnë banorët, dhe gjuajnë mbi policinë.

Prandaj kërcënimet dhe ofendimet e Vuçiqit kundër Rashiqit duhen marrë seriozisht, pasi Vuçiqi dhe politika e tij vendosin në rrezik çdo serb të Kosovës, e mbi të gjitha synojnë të pamundësojnë paqen dhe bashkëjetesën. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco