Zombifikimi i ekonomive europiane – Shkaqet përtej luftës

Zombifikimi i ekonomive europiane – Shkaqet përtej luftës

Nga Nikola Kedhi - 10/11/2022

U desh pak kohë, por fjalorit të zyrtarëve perëndimorë më në fund i është shtuar edhe inflacioni. Gjatë pandemisë, ndërsa bankat qendrore shtypnin para, duke financuar deficitet e qeverive, na u tha se nuk kishte rreziqe inflacioni. Më vonë erdhën garanci nga politikanë dhe ekspertë se do të ishte kalimtare. Disa muaj më vonë, ndërsa inflacioni u bë më i vështirë për t'u fshehur, agresioni brutal i Vladimir Putin në Ukrainë u bë fajtori i vetëm. Teksa evidentimi i arsyeve të vërteta për rritjen e çmimeve duket të ndaluar për politikanët, të paktën më në fund mund të bëhet një diskutim mbi këtë temë me një shans të mirë për të trajtuar shkaqet e vërteta.

Porositë në prodhimtari në tregun e brendshëm në Gjermani ranë 5% në muajin korrik. Indeksi i prodhimtarisë në Eurozonë ra në 49.6 në muajin gusht, nën nivelin 50 pikë, që tregon tkurrje. Në tremujorin e dytë, në Gjermani, që mbahet si ekonomia më e fortë e Eurozonës, pagat reale ranë 4.4%, teksa çmimi i ushqimeve u rrit 16% nga viti në vit. Ndërkohë, të njëjtat politika të majta janë ndjekur dhe në Britaninë e Madhe, edhe pse ka një qeveri të ashtuquajtur konservatore. Rezultati është një nivel falimentesh të bizneseve më i larti prej 2008, inflacion dhe deficit buxhetor në nivele rekord dhe paundi në nivelin më të ulët kundrejt dollarit prej vitit 1985.

A do të vazhdohet me politikat monetare tkurrëse, me rritje të normave të interesit dhe reduktim të bilanceve të Bankave Qendrore për të frenuar inflacionin? Apo për shkak të krizës ekonomike si në SHBA dhe në BE do të vazhdohet me politika ekspansioniste për të evituar recesionin? Në këtë dilemë ndodhen politikëbërësit në Perëndim. Një dilemë e krijuar nga vetë ata.

Burokracia e Brukselit, dhe së fundmi dhe ajo amerikane, pavarësisht se nuk e thonë haptazi, kanë ndjekur parimet e një teorie të majtë të quajtur Teoria Moderne Monetare, e përdorur në vende si Venezuela, Kuba, Argjentina apo Zimbabve. Në thelb, teoria thotë që borxhi dhe shpenzimet pa fre nuk kanë asnjë efekt negativ, pasi një vend mund të prodhojë sa para të dojë. Politikanëve në përgjithësi u pëlqen kjo teori, pasi u jep më shumë pushtet në lidhje me njerëzit, të cilët mbeten të paguajnë kostot me taksat e tyre.
Një tregues për situatën në zonën e euros është humbja kumulative e fuqisë blerëse në Eurozonë nga viti 1991 në 2021 në 74% - pra qartësisht shumë më herët se lufta në Ukrainë. Për t'i bërë gjërat më keq, gjatë pandemisë, qeveritë mbyllën ekonomitë e tyre përkatëse, duke ulur ndjeshëm aktivitetin në anën e ofertës. Si rezultat, prodhimi ra në mënyrë të konsiderueshme, ndërsa bankat qendrore në BE dhe SHBA shtypën sasi të mëdha parash dhe i shpërndanë ato si para helikopterë, duke shpenzuar miliarda dollarë në paketa ndihme - shpesh pa nevojë. Ndërsa dollari deri në një nivel përfitoi nga statusi i tij si valutë rezervë, euro dhe valutat e tjera nuk patën një avantazh të tillë, duke dëmtuar veten teksa përpiqeshin të kopjonin politikat amerikane.

Nuk duhet harruar se paraja në vetvete nuk ka asnjë vlerë, dhe vlerën e merr nga sa prodhohet në një ekonomi. Ky printim parash, i shoqëruar me politika monetare që kanë çuar normat e interesit në negative, dhe me rritje masive të borxhit, në një moment të caktuar çon në ngadalësim të ekonomisë dhe mandej në krizë, rritje të papunësisë, shkatërrim të fuqisë blerëse, rritje të kompanive zombi, inflacion dhe rritje të taksave për të paguar borxhin. Burokratët evropianë në të gjitha drejtimet kanë krijuar një sistem hibrid midis kapitalizmit klientelist dhe socializmit të butë. Evropa është tashmë një e varur nga borxhet dhe paratë me kosto të lirë, ku shkaku i sëmundjes paraqitet si e vetmja kurë.

Çmimi i një malli ose shërbimi mund të rritet për shkak të një krize oferte, por nëse sasia e monedhës së emetuar është e njëjtë, nuk do të kishte rritje të të gjitha çmimeve siç po shohim sot. Çmimet e shumicës së produkteve dhe shërbimeve mund të rriten në të njëjtën kohë vetëm nëse sasia e monedhës rritet më shpejt se kërkesa për të. Inflacioni është kudo dhe gjithmonë një fenomen monetar.

Argjentina është një nga shembujt më domethënës të këtij fenomeni. Në Prill 2022, inflacioni vjetor ishte 58%, 6 herë më shumë se Uruguai, 5 herë më shumë se Kili, katër herë më shumë se Brazili ose Paraguai që janë vende fqinje me të njëjtat problematika. Ajo që e dallon Argjentinën është rritja e bazës monetare me 43.8% vetëm në këtë vit. Në tre vitet e fundit, baza monetare është rritur me 179.7%, ndërsa në dekadën e fundit me 1,543.8%, teksa monedha Argjentinase ka humbur 99% të vlerës së vetë përkundrejt dollarit. 

Qeveritë i shohin gjithmonë ciklet ekonomike si një problem të mungesës së kërkesës që duhet ta “stimulojnë”. Për rrjedhojë, flluskat e borxhit të krijuara nga vetë politikanët, shihen si dëme të nevojshme që duhen marrë përsipër në kërkim të rritjes ekonomike. Madje, qeveritë e duan inflacionin pasi ai shihet si një taksë e fshehur për të gjithë dhe një rishpërndarje pasurie nga individët te qeveritë e mbytura në borxh që shohin rritje të taksave të mbledhura dhe një zhvlerësim të vlerës së borxhit të tyre. 

Për të zbutur inflacionin, duhen rritur normat e interesit, duhet ulur barra tatimore për pagat dhe produktet e shportës, duhen reduktuar drastikisht shpenzimet qeveritare, duhet ndërprerë lehtësimi sasior dhe financimi i shpenzimeve qeveritare. Fatkeqësisht, vendet Perëndimore nuk kanë vullnetin dhe guximin politik për të ndërmarrë këto hapa. Pakënaqësia popullore në vendet e Perëndimit do detyrojë qeveritë të paraqesin planet e shpëtimit që do rrisin shpenzimet, subvencionet, borxhin dhe në fund dhe ofertën monetare, që çon në rritjen e inflacionit, duke përkeqësuar krizën. 

Eurozona me borxhin e lartë të vendeve anëtare nuk ka për ta rritur kurrë normën bazë në nivelet që duhen, pasi do të çonte në një krizë borxhi. Balanca e BQE-së në PPB-në e Eurozonës është rreth 70%, përkundrejt 35.5% në SHBA. Normat negative kanë shkatërruar incentivat për të kursyer, për të balancuar buxhetet dhe për të ndjekur përgjegjësinë fiskale. Europa gjendet e detyruar të zgjedhë mes një krize ekonomike e borxhi, dhe inflacionit.

Për të parë absurditetin e Eurozonës, mjafton të hidhen sytë në Zvicër. Inflacioni në qershor aty ishte 3.4%, ndërsa inflacioni bazë 1.9%. Edhe Zvicra i ndjen pasojat e luftës në Ukrainë, edhe ajo varet nga importet e gazit, aseteve të tjera apo zinxhirët e ofertës. Por ajo që Zvicra nuk ka bërë është printimi masiv i parasë, duke mos zhvlerësuar monedhën e vetë dhe duke shpëtuar fuqinë blerësve të qytetarëve të saj.

Agresioni i paprovokuar dhe brutal i Vladimir Putinit ka treguar se sistemi ekonomik i Evropës – i bazuar në energjinë e lirë nga Rusia, borxhin e lartë dhe shpenzimet e panevojshme e joproduktive qeveritare – është i paqëndrueshëm dhe shkon drejt kolapsit. Në rastin më të mirë, ekspertët dhe politikanët kanë qenë dritëshkurtër dhe të papërgjegjshëm, duke sakrifikuar inovacionin, prodhimin dhe vetë sovranitetin ekonomik dhe energjik të Evropës e duke rritur mbështetjen ndaj kundërshtarëve të huaj.
Kostot në rritje të prodhimit, sidomos për ushqimet thuhet se vijnë nga lufta në Ukrainë. Eksportet e grurit nga Ukraina dhe Rusia ishin 7.3% e prodhimit global në vitin 2020.

Së bashku, në vitin 2020, Ukraina dhe Rusia prodhuan grurë gati sa gjithë Bashkimi Evropian. Fermerët evropianë prodhojnë me humbje, si para pandemisë dhe më pas. Arsyet kryesore të kostove të mëdha të prodhimit përfshijnë barrën e detyrimeve administrative, presionet ambientaliste, mbi-rregullimin e tregut dhe barrën e lartë fiskale. 
Nëse Evropa do të ishte konkurruese dhe do të kishte modele ekonomike që incentivonin prodhimin, krizat e ofertës nga Rusia apo gjetke nuk do të ndiheshin në këtë nivel. Nuk është se mungesa e furnizimit nga lindja është rrufe në qiell të hapur. Në vitin 2010 pati një rënie me 6.3% për shkak të një thatësire në Rusi që uli prodhimin me 20 milionë tonë metrik. Rënie të tilla ka pasur dhe në vitet 1991, 1994, 2003 dhe 2018. Bashkimi Europian nuk ka përse të varet nga vende të tjera, aq më pak nga ato jo miqësore, kur i ka të tëra kapacitetet për prodhim. Por, prodhimi bëhet në kushtet kur ka treg të lirë, mosndërhyrje në treg, taksa të ulëta dhe zhvillim ekonomik. Evropa fatkeqësisht prej kohësh ka nisur zombifikimin e ekonomisë së vet. Ajo është sot një gjigand burokratik, një xhuxh gjeopolitik dhe një zombi ekonomik.

Përpara Evropës – dhe SHBA-së – ka vetëm një rrugë drejt rritjes ekonomike dhe prosperitetit – një ndryshim i plotë në të gjithë konceptin e tyre se si duhet të funksionojë një ekonomi dhe cila duhet të jetë marrëdhënia midis makinës burokratike dhe individëve. BE-ja duhet të transformohet në kombe të forta që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, duke përqafuar një ekonomi të vërtetë të lirë të tregut, konkurrencë dhe inovacion, dhe duke hedhur poshtë mbi-rregullimin, dirigjizmin ekonomik dhe mentalitetin e taksimit të çdo gjëje që lëviz. Për Shqipërinë leksionet janë të mëdha, pasi pas tri dekadash politika të majta ekonomike, nevoja për zgjidhjet që vijnë nga ana e ofertës është jetike. 

Shtetet e Bashkuara kanë mbrojtur prej kohësh lirinë, sipërmarrjen dhe lirinë për të ndjekur lumturinë. Kjo është arsyeja pse ka lulëzuar. Nuk duhet të shpikim rrotën nga e pare! Na duhet vetëm të ndjekim modelet e suksesshme të kryeministres Thatcher dhe presidentit Reagan. Përndryshe, Evropa do të vazhdojë rrugën e saj drejt parëndësisë gjeopolitike dhe ekonomike dhe SHBA-të do të ndjekin shembullin, duke zhvendosur ekuilibrin e fuqisë drejt kundërshtarëve të Perëndimit.

Nikola Kedhi është ekspert ekonomik, konsulent financiar dhe kontribuues në media të ndryshme si Fox News, Daily Signal, Newsmax, Il Giornale, The Federalist, CapX, European Conservative, Contrepoints, El Español , dhe Mises Institute. Mendimet janë personale të autorit.
Analiza është përkthyer e përshtatur nga versioni italian i botuar në revistën Atlantico Quotidiano.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco