Mediat e huaja/ Arsyeja e boshatisjes së Shqipërisë - Imobilizimi politik

Mediat e huaja/ Arsyeja e boshatisjes së Shqipërisë - Imobilizimi politik

Nga Kastriot Islami - 07/11/2022

Në një intervistë me BBC News, ministri britanik për emigracionin, Robert Jenrick deklaron se “një numër i madh shqiptarësh po vijnë në 2022 në Britaninë e Madhe...”.  Pas pyetjes së intervistuesit të BBC News, përgjigjen më të plotë e jep Dan O’Mahoney, komandant për kërcënimet klandestine të kanalit La Manche, duke përfaqësuar Home Office (Ministrinë e Brendshme britanike): 3 vjet me parë në Britaninë e madhe kanë arritur me anije të vogla 50 shqiptarë, vjet kjo shifër arriti në vlerën 800, kurse sivjet numri i shqiptarëve që kanë arritur me anije të vogla ka kapur shifrën rekord prej 12000, prej të cilëve 10 mijë janë vetëm burra..

Gazetari i BBC News shtron pyetjen: Përse vijnë shqiptarët? Nga një vend demokratik që nga Home Office konsiderohet “një vend i sigurtë (safe) dhe me prosperitet”. Më tej gazetari shton: “prosperiteti është relativ, sepse në Shqipëri sipas të dhënave zyrtare të vitit 2018, një orë punë mesatarisht është 1,7 euro, më e ulëta në Europë, ndërkohë që në BM kjo është shifër është 15,20 euro (pra rreth 9 herë më e lartë)...; nga ana tjetër, sondazhet (Gallup 2018) tregojnë se rreth 60 % e shqiptarëve dëshirojnë të emigrojnë.

Gazetari i BBC News, për të qenë sa më neutral, thotë se për këtë qëllim “intervistuam gazetaren Fatjona Mejdini që ka kryer një investigim për këtë çështje”. Më tej në valët e BBC News, gazetarja shqiptare deklaron: “shqiptarët preferojnë të shkojnë tani në BM sepse kushton më pak se më parë që kushtonte rreth 20 – 25 mijë paund për të shkuar me një kamion të mbyllur, tani mund të kalohet kanali duke i paguar trafikantëve 3-3,5 mijë paund”.

Më tej shqiptarët aplikojnë për azil në BM, numri i të cilëve në 2010-2021 është rritur shumë, ndërkohë që ky numri në 2021 në BM dhe në Francë ka qenë afërsisht i njëjtë, rreth 4850: dhe rreth 14 % e kërkesave të burrave për azil janë miratuar sipas të dhënave të Home Office për 2022. Nga ana tjetër Ministri i Integrimit deklaron se “për trajtimin e kërkesave të shqiptarëve për azil po përpiqem të gjejnë një rrugë më të shpejtë”. Ndërkohë që “90 % e kërkesave të grave me fëmijë miratohen”. Drejtoresha për Emigrimin, Madaleine Sumption shpjegon se “numri i lartë i pranimeve të grave me fëmijë ndodh sepse një pjesë e tyre janë viktima të trafikimeve, të cilat qeveria shqiptare s’i mbron dot”.

Intervistuesi deklaron se “kjo çështje ka marrë ngjyra politike”, veçanërisht pas ndërhyrjes se kryeministrit Rama, i cili deklaron për BBC News se “ky veprim i BM nxit ksenofobinë dhe kjo shkon kundër traditës britanike të integrimit të minoriteteve”. Me këtë rast, gazetari i BBC shtron pyetjen “si do të merren më ketë çështje britanikët e shqiptarët”, ndërkohë që BM ka firmosur me Shqipërinë në 2021 një marrëveshje për të larguar nga 1000 shqiptarë nga Britania e Madhe.

Kjo rritje dhe e azilkërkuesve shqiptarë në vendet e BE nuk është e re dhe ka qenë gjithnjë shqetësuese... ja disa nga arsyet që japin ekspertët francezë “përse shqiptarët largohen nga vendi i tyre për të emigruar drejt vendeve të BE”: Shqipëria zë vendin e parë në botë, si vend i origjinës së emigrantëve që kërkuan azil në Francë në 2017. Lajmi i të gjithë mediave franceze ishte: Shqipëria po zbrazet me shpejtësi nga të rinjtë. Përse? Nathali Clayer, specialiste për Shqipërinë në Qëndrën Studimore për Emigracionin, thotë se përveç “varfërisë e papunësisë” janë edhe tre arsye të forta: i) imobilizimi apo stanjacioni politik, pra pamundësia e qytetarëve për të ndryshuar me votë të lirë qeverisjen, ii) korrupsioni i niveleve shumë të larta që çon vetëm në pasurimin e politikanëve të lartë dhe varfërimin e qytetarëve dhe iii) klientelizmi, pra mungesa e një sistemi të meritës për arsimim e punësim, të zëvendësuara nga klientelizmi, nepotizmi e fryma e klaneve. “...Pra shqiptarët s’mund as të jetojnë dhe as të punojnë në vendin e tyre, meqenëse “e keqja është kthyer në model suksesi”

[1] Kastriot Islami ka qenë Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë në periudhën 2003-2005

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco