Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

22 milionë euro

22 milionë euro

Nga Avni Nezaj - 30/10/2022

Ashtu, kështu nuk janë shumë para, për një lider global që do të shikojë gjithçka nën vete edhe nga qielli. Ju paguani, unë fluturoj. Së shpejti do ketë më shumë udhëtime pasi do të zhvillohen takime ne periferi të satelitëve. Pse ankohemi? Punën ka bërë. Askush nuk e kundërshton, sidomos opozita ballore e Bashës që i bënte fresk nga mëngjesi në mëngjes. 

Me 22 milionë euro do të mund të ndërtoheshin të paktën 80 kopshte të reja për fëmijët shqiptarë.

Më 22 milionë euro do ndërtoheshin të paktën 5 spitale rajonale krejt moderne e të reja nga themeli në çati.

Me 22 milionë euro do të ndërtoheshin 10 shkolla model që t'i kishte lakmi çdo “open ballkanas” skeptik.

Me 22 milionë euro do të subvencionohej qartësisht rritja e rrogave për pedagogëve në të gjithë Shqipërinë dhe do të ngeleshin disa milionë për të shikuar pak edhe rrogat e mjekëve apo mësuesve.

Me 22 milionë euro do përfundonin me dhjetëra kilometra rrugë rurale. Me çmimet e kohës së Sali Berishës shumë kilometra. Me çmimet e kohës së Ramës 1 km autostradë.

Me 22 milionë euro do rikonstruktoheshin të gjitha përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë anembanë botës që diplomatët të punonin në kushte më të mira e t'i shërbeni ndoshta më mirë Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Me 22 milionë euro për të paktën 10 vitet e ardhshme të gjithë të varfrit në Shqipëri do të kishin një minimum jetik për të marrë frymë të ngopur.

Me 22 milionë euro do të ndihmoheshin të gjithë të sëmurët me diagnoza të rënda që të shëroheshin në spitale shumë të mira edhe jashtë Shqipërisë. Por lideri nuk udhëton dot te linjat normale, i duhen çarterat. Normal, lider.

Me 22 milionë euro, qyteti më i pasur nga nëntoka, i Shqipërisë Bulqiza, që të ngjan me Afganistanin e luftës, do të kthehej në një zonë banimi normale.

Me 22 milionë euro, nëse përdoreshin për lobim e reklamë, numri i turistëve në Shqipëri do të ishte 10-fish më i madh e fitimet do të ishin 10-fish më të larta edhe për bizneset e shqiptarëve edhe për qeverinë prej taksave që do mblidhte.

Me 22 milionë euro nuk do kishte diskutim të fashës për energjinë pasi kompensimi do të ishte i sigurte për ata që kanë nevojë.

Me 22 milionë euro do organizoheshin në Shqipëri zgjedhje me votë elektronikë të fshehtë që askush të mos mund të vidhte votat apo t'i manipulonte ato.

22 milionë euro nuk janë shumë. Por janë tmerrësisht shume që t'i harxhojë me fluturime një kryeministër i vendit më të varfër të Evropës. Po liderit i duhet prezantim. Çfarë të bëjmë?

Nuk do më dukej çudi që disa ditë më parë gjatë një konference shtypi Ursula von der Leyen, shefe e Komisionit Evropian, që po prezantonte 80 milionë euro ndihmë për Shqipërinë, të mendonte: Kujt po ia japim?! Ky një të katërtën e kësaj shume e ka bërë rrush e kumbulla me avionë privatë.

Prandaj 12 nëntori është larg.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco