Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Fëmijët që mund të rrëzojnë qeverinë

Fëmijët që mund të rrëzojnë qeverinë

Nga Grigels Muçollari - 03/07/2022

Një fëmijë i lindur ditën që Rama mori pushtetin është sot 9 vjeç. Di të shumëzojë, të flasë ndonjë gjuhë të huaj, të përdorë me kompetencë teknologjinë celulare e pse jo të ketë më shumë fotografi me politikanë se me moshatarët e tij. Ky fëmijë i përket “Gjeneratës së Rilindjes”. Kështu guxoj t’i quaj unë.

Do ju ftoja të përpiqeshit ta shikonit realitetin shqiptar me sytë e tyre. Për disa mund të jetë e lehtë se kanë fëmijë të kësaj moshe. Shumë të tjerë mund të kenë nipër e mbesa të lindur gjatë Rilindjes.

Si fillim përfytyroni një çast sikur këtë grupmoshë ta privoni nga dëshirat dhe kënaqësitë. Hyni në një shitore të lagjes dhe blini vetëm ato produkte ushqimore që ju nevojiten për të bërë një kek.

Qumështi kushton më shumë dhe vezët po ashtu.

Dëshirat sot kushtojnë më shumë se më parë dhe këtu flasim vetëm për të ngrënët. Në çdo dyqan që jam ndodhur kam dëgjuar më shpesh “jo” se kudo tjetër, mirëpo ajo që vjen pas kësaj është këmbëngulja fëminore, ngritja e zërit, përplasja e këmbëve, britmat e jo pak herë fluturojnë fjalë pa doganë.

Fëmijët dinë të jenë manipulatorë në mënyrën e tyre për të marrë atë çka mendojnë se meritojnë. Prindërit janë më pak qëndrestarë se fëmijët e tyre, kjo edhe për shkak të një tipari të theksuar në moshat e pjekura: Frikës nga pasojat!

Ndonëse më pak të arsyeshëm dhe shpesh herë kapriçozë, fëmijët meritojnë të njihen me më shumë të vërteta se ne gjykojmë. Atëherë si do ia shpjegonit këtij 9-vjeçari se nafta është rritur aq shumë sa sivjet detin do e shohë në televizor? Se për të shkuar te gjyshërit në një qytet a fshat tjetër harxhet janë më të mëdha, se do të shkoni më rrallë se ashtu është puna. Nëse do të vendoseshit në vendin e tij, a do t’i pyesnit prindërit përse shpenzojnë më shumë kohë për të zgjedhur patatet, sallatën, karrotat dhe frutat?

Përse nuk keni shkuar të gjithë bashkë të blini rroba, lodra dhe ëmbëlsira? Po përse kur shkoni, ata nuk blejnë asgjë për veten? Fëmijët bëjnë shumë pyetje dhe prindërit duhet të kenë disa përgjigje.

A do të ishte e drejtë që një fëmijë të bëhej dëshmitar i zënkave të prindërve, për shkak se ata i janë dorëzuar realitetit dhe varfërisë?

Unë mendoj se jo.

Fëmijët nuk heshtin para padrejtësive. Ata reagojnë më shpejt, qajnë, gërthasin, tundin këmbët derisa zëri i tyre ushton lagjen, derisa kalimtarët i dëgjojnë, kthejnë kokën dhe vëmendjen tek ta. Përfytyroni 30 mijë fëmijë që protestojnë për atë çka besojnë se është e drejta e tyre e padiskutueshme ta kenë në duar. Imagjinojini bashkë, ashtu kokëshkemb në bindjen e tyre të palëkundur se kjo e drejtë u takon. Nuk do tunden vendit derisa të marrin atë që duan. Kemi ç'të mësojmë prej tyre, nga qëndresa dhe koha e reagimit që kanë. Merrini me vete në protestë. Kanë jetuar vetëm "Rilindjen" dhe meritojnë shumë më shumë.

Nëse të rriturit nuk ngrihen masivisht në protesta, barra e shpëtimit të Shqipërisë do i ngelet fëmijëve!
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Gj03/07/2022 13:42

Unë e vlerësoj si shkrimin më kuptimplotë për vitin 2022!
Të lumtë!

Shto koment

Denonco