Ballkani i Hapur/ Qëndrimet e aktorëve globalë dhe e ardhmja e ‘shpëtimtarit’

Ballkani i Hapur/ Qëndrimet e aktorëve globalë dhe e ardhmja e ‘shpëtimtarit’

Nga Kastriot Islami - 11/06/2022

*Ish-Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, 2003-2005

S’do të komentoj në këtë “ndërhyrje” qëllimet e aktorëve të projektit të “Ballkanit të Hapur”, sepse këtë gjë dëshirojnë aktorët kryesorë mbështetës të këtij projekti, për ta bërë të pakuptueshëm debatin dhe për të hequr vëmendjen nga disa çështje shumë madhore qe kanë të bëjnë me “demokracinë e pluralizmin” shqiptar... Këta aktorë duan ta zhvendosin debatin në qëllimet e kësaj nisme për të goditur si “tradhtarë” gjithkënd që i kundërshton, prandaj do të ishte naive të pranonim të “luanim në fushën e tyre me baltë”, ku ata debatin e kuptojnë si një e drejtë e tyre për të baltosur, sepse kështu e mendojnë që suksesi i tyre është i garantuar.

Projekti i “Ballkanit të Hapur” ka një “histori”. Nisi si një projekt i shkëmbimit të territoreve Serbi-Kosovë përmes linjave etnike, vijoi si projekt i Minishengenit dhe përfundoi si projekt i Ballkanit të Hapur. Kuptohet se këto ndryshime janë bërë për të maskuar të vërtetën duke shmangur “kritikat” e shumta nga lidershipi i vendeve të Ballkanit dhe për ta bërë nismën të “pranueshme” për sa më shumë vende ballkanike e për të siguruar mbështetjen e vendeve të “mëdha”.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavorv deklaroi se “Ballkani i Hapur” është një projekt/nismë serbe, por që mbështetet nga Rusia. Pyetja që shtrohet për Ramën është: si e konsideron Rama këtë deklaratë? Dhe a ndryshon qëndrimi i tij pas kësaj deklaratë, nisur nga fakti që Rama e ka cilësuar këtë një projekt/nismë rajonale, ku ai ka një peshë dhe rol kryesor e të rëndësishëm? Cili thotë të vërtetën, Rama, Vuçiç apo Lavrov?

Një nga këshilltarët e “rëndësishëm” të Ramës ka deklaruar në media se ‘nisma/projekti’ i Ballkanit të Hapur ka për autor Xhorxh Soros?? Kjo deklaratë, ndonëse duket se është bërë më shumë për të shpëtuar Ramën nga ndotja që i shkaktoi deklarata e Sergei Lavrov, në realitet e zhyt më thellë Ramën. Dihet qe Soros është një “miliarder amerikan” pranë Partisë Demokratike amerikane, por që s’ka asnjë funksion publik apo politik të fituar përmes zgjedhjeve, sigurisht shumë aktiv në disa nisma amerikane por gjithnjë në kuadër të “veprimeve zyrtare/qeveritare të majta” të përbashkëta me Fondacionin e tij. Pyetjet që shtrohen në këtë rast, pavarësisht rëndësisë që mund të kenë idetë e Soros në vendet ish-komuniste, do të ishin dy: i) cili është roli i djalit të tij Aleks Soros si pjesëmarrës në të gjithë takimet zyrtare dhe darkat e lidershipit të vendeve të Ballkanit, pjesëmarrës aktive në mbështetje të nismës/projektit të Ballkanit të Hapur ndonëse ai s’ka asnjë pozicion zyrtar apo të deleguar nga qeveria demokratike e SHBA; ii) Xhorxh Soros, që s’ka asnjë funksion zyrtar apo politik, për çfarë arsye cilësohet nismëtar i këtij projekti që duhet ta ndjekin e aplikojnë kryeministrat e Ballkanit dhe cili është realisht roli i tij? 

Nga njoftimet e shtypit rezultoi se kancelari gjerman Scholz e anuloi vizitën e programuar në Shqipëri, pra thënë më haptas “takimin me Ramën” duke treguar se qëllimi i vizitës së tij do të ishte mbështetja e “Procesit të Berlinit”, që edhe më parë është artikuluar si një proces që e lehtëson integrimin e vendeve të Ballkanit në BE, ndryshe nga projekti i Ballkanit të Hapur. Mesazhi ishte i qartë për “shpëtimtarin” e nismës së Ballkanit të Hapur: Gjermania mbështet vetëm Procesin e Berlinit. Rama i frikësuar, la në baltë Vucic, duke deklaruar se “nisma serbe me mbështetje ruse”, pra Ballkani i Hapur është veçse “njësi zbatimi” e Procesit të Berlinit, duke u bërë ndërkohë qesharak e banal. Pyetja në këtë rast do të ishte: Përse Berlini, lokomotiva e BE, do t’ia transferonte rreth 1 miliard euro, që të grabiteshin nga “njësia e zbatimit” pra n.g.s drejtuesit e korruptuar të vendeve që mbështesin Ballkanin e Hapur????!! 

SHBA, duke u nisur nga fakti që numri i vendeve të Ballkanit që mbështesin nismën Rama-Vucic ka mbetur i kufizuar, ka deklaruar se ne do të mbështesim këtë nismë nëse ajo mbetet vetëm ekonomike dhe marrin pjesë të gjithë vendet e BP. Pyetja do të ishte: nëse Rama-Vuçiç do të vazhdojnë të përdorin këtë nismë edhe politikisht apo për interesat e tyre personale siç duket se kanë vepruar deri më sot, çfarë mekanizmash do të futeshin në lojë për të penguar këtë zgjerim nga nismë “me karakter ekonomik” në “nismë politike”? Dhe pyetja tjetër: a do të ishin Rama dhe Vuçiç të gatshëm që këtë nismë me origjinë serbe, të mbështetur nga Rusia, ta trajtonin vetëm si nismë me “karakter ekonomik”...

Vuçiç qëllimisht apo pa dashje, në takimin e fundit në Ohër, ia rrasi Ramës qeleshen mbi kokë kur deklaroi se “këtë nismë deri më sot e ka shpëtuar Edi Rama!” Kjo është një e vërtetë që s’ka nevojë as për sqarime dhe as për analizë, për më tepër që ajo është një e vërtetë e dukshme për të gjithë, faktorë ballkanikë apo faktorë evropianë e globalë...

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco