Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Kush e ndali sahatin?

Kush e ndali sahatin?

Nga Bled Komini - 22/11/2020

Që Tirana nuk është më një qytet dhe as qendër urbane kjo s'do mend e s'kërkon as letër e as kalem, e as ndonjë dëshmi të argumentuar.

Atë se çfarë i është bërë këtij qyteti në 30 vjet e tregon betoni i hedhur pa kriter, pluhuri i tmerrshëm që nuk lë asnjë ngjyrë të shpërfaqet në origjinalitet, jeshillëku i kamufluar me lule false, rrugët e lëna pas dore, e trafiku që s'mund të krahasohet hëpërhë me asnjë qytet ballkanas e më tej as afroaziatik.

Por asnjë prej nesh s'ka lidhje as me Afrikën e as me Azinë...E sigurisht edhe 'tironcit' e urtë e të butë, të qejfit e ahengut, siç i portretizojnë disa zëra që veç qoftes e rakisë nuk duan gjë tjetër, e kanë kuptuar se ky qytet që dikur mund të quhej i tyre, me letra, tapi, bahçe e avlli, s'u përket më.

Kullë-sahati një ndër të pakta vepra me vlera historike, simbolike e origjinale për jetën e qytetit të Tiranës, pësoi në një distancë të shkurtër dekadore, fatin e një tjetër monumenti pak metra më tej, atij të njohur si Varri i Kapllan Pashës, të cilin e përfundi një qiellgërvishtës! që në vend që të kruaj retë lehtoshe ngjashëm me simotrat, i kthyer përmbys, ngjet sikur kruan varrin e të ndjerit ditë-natë.

Si asokohe, por edhe tash, komunitete të tëra qejflinjsh, historianësh, arkitektësh, pijedashësish, qoftexhinjsh, shkencëtarësh, akademikësh, bejtexhinjsh, letrarësh, anëtarë e kryetarë shoqatash; të gjelbër, pink, romë apo dhe dibranë (bijë e bija gurëgdhendësish), jo vetëm që kanë pranuar të shtrihen në të njëjtin krevat me ata që u kanë marre çdo gjë, e që po u zhdukin edhe historinë, por kanë rënë në dashni me dhunuesin e së shkuarës, së tashmes e së nesërmes.

Po ç'është kjo dashni?

Kullë-sahati që ishte (duke mos qenë më!) simboli i qytetit të Tiranës do të përqafohet, shtrëngohet, gjunjëzohet e më pas shkelet me këmbë nga tonelata betoni që përveçse zënë një copë dielli, i marrin Tiranës simbolin e mrekullueshëm të fotografive, pamjeve në akuarel, pikturave, gdhendjeve, qendisjeve e çdo vepre tjetër që e ka memorizuar të pastër, të lartë, të çiftuar me një minare elegante bri saj.

Lartuar me majën drejt qiellit, njëjtë me kupolën e xhamisë që kulmon në mes të harkut prej plumbi dhe po aq edhe me minaren në krah, simboli i Kullë-sahatit që ka matur kohën e 'tironcve' të thjeshtë, artizanëve, teqepunuesve, bozë shitësve, tregtarëve e karvaneve që vinin prej cepave të botës, xhonturqve, jeniçerëve, kadinjve, qytetarëve të lirë pas pavarësisë dhe pas luftës, ministrave, deputetëve e atyre që u vendosën në Tiranën e viteve '20-30; e shkelur prej çizmes së ushtarakëve pushtues italianë e gjermanë, si dhe e vendosur nën hyqmin e pushtetit popullor; ky Kullë-sahat nuk do të jetë më! S'ka për të qenë më simbol i qytetit, e as i 'tironcit', as ndonjë tjetri që halli e ka përplasur të jetojë në këtë qytet për pak kushte më të mira se disa kilometra më larg.

Ndokush, jo i verbër si unë, apo si ty që mendon njësoj me mua, të cilit interesi për ndonjë përfitim minimal ja ka "hapur" dritën e syve, mund të thote se Sahati është aty. A nuk e shihni o ju të marrë!?

Çështja është se në këtë vend, ai ka të drejtë, të 'marrët' si une e si pak të tjerë që kanë mbetur ende pa ikur, nuk e shohin njësoj atë çka po ngjet në këtë qytet. Për ne të marrët, Sahati po gllabërohet prej betonit.

Dikur, nga ata të cilët punuan dhe skicuan të vetmin pallat që sfidonte lartësinë e vet Pushtetit Popullor tregohet se, kur po diskutohej se ku do të ndërtohej kulla pesëmbëdhjet katëshe, e cilësuar më pas si Hotel Tirana, pati edhe ndonjë të ndriçuar që propozoi që ajo të ngrihej përkrah Sahatit për të rivalizuar fuqinë historike të kësaj vepre (sado të thjeshtë por simbolizuese për një kryeqytet që pretendonte të ishte dhe fanari i ateizmit, marksizmit, leninizmit e ndoshta enverizmit). Por rrefuzimi 'nga lartë' qe i paprecedentë.  Jo vetëm që nuk u pranua varianti për t'u ngritur Hotel-Pushteti 15-katësh bri Kullës, por u pa e udhës që Hotel-Pushteti të ngrihej përballë saj, në mënyrë që vizitorët nga Vietnami, Moska, Palestina, Beogradi, Kina, apo liderët e partive popullore e revolucionare komuniste nga Evropa që vinin për pushime e takime zyrtare, ta admironin Materializmin shtypës e fuqinë e Pushtetit Popullor ndaj traditë-kulturës së rëndomtë të vënë përfund.

Pra, edhe vet Pushteti Popullor, i cili zotëronte pushtetin e ligjas, hekurit, kërbaçit dhe mandatës, kur erdhi puna për t'i bërë karshillëk Kullë-sahatit jo vetëm që nuk pranoi, por e restauroi dhe e mbrojti duke e kthyer në monument kulture, atë vepër të ndërtuar nga një Perandori tjetër, në një epokë tjetër, nga të tjerë njerëz, që sigurisht nuk kishin ideale revolucionare e materialiste.

A jemi ditëbardhë apo fatzinj teksa shohim bjerrjen e njeriut dhe kulturës, askush s'mund ta thotë. Po qëkurse po na zhduken simbolet e pakta të trashëguara, nuk ka dyshim se kemi hyrë në epokën bardh e zi, ku pritet veç ngritja e siparit të futurizmit amorf pa identitet.

Ta qajmë Sahatin, se Kulla që e mban u shkri...u shua...u rrafshua ende gurë mbi gurë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco