Monitorimi i FMN dhe MFE si notere e Qeverisë

Monitorimi i FMN dhe MFE si notere e Qeverisë

Nga Flir Mosho - 07/10/2020

Duke ndjekur me vëmendje deklaratën e fundit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Monitorimin pas Programit, në fokus të veçantë vendosen pikat e dobëta dhe mungesa e aftësisë ripaguese të Shqipërisë.

Ndër të tjera FMN thekson rrisqet kryesore te cilat vijnë nga deficitet dhe borxhi i rritur publik, dobësitë në financat publike dhe nga një nivel relativisht i lartë i kredive me probleme.

Ndërkohë që Shqipëria goditet nga tërmeti i fundvitit 2019 dhe më pas nga pandemia e fillim vitit 2020 kriza në ekonominë shqiptare është disa vjeçare dhe nuk mund t’i atribuohet vetëm fatkeqësive natyrore dhe shkaqeve të jashtme siç po përpiqet qeveria sot ta justifikojë.

Kjo lidhet me mungesën totale të përgjegjësisë në menaxhimin e financave publike.

Deficiti fiskal parashikohet të rritet në 7% të PBB-së dhe borxhi publik mbi 80% të PBB-së deri në fund të vitit 2020. Gjendja bëhet edhe më e rëndë kur në arkat e shtetit mungojnë rreth 500 milionë USD pa llogaritur këtu detyrimet e prapambetura ndaj bizneseve nga rimbursimi i TVSH që qeveria socialiste i ka të akumulura ndër 7 vitet e qeverisjes së saj.

Deficiti në të ardhura nuk mund t’i faturohet vetëm fatkeqësive natyrore apo pandemisë, por edhe keqmenaxhimit.

Me këtë ritëm mosrealizimi të mbledhjes së të ardhurave, deficiti fiskal do të vijë në përkeqësim dhe për rrjedhojë Ministria e Financave do të duhet të përballet me presionin në rritje të shpenzimeve që kërkon Qeveria deri në Dhjetor 2020. Kjo do të kërkojë financime shtesë që në mungesë të menaxhimit dhe mosrealizimit të administratës tatimore do të detyrohet të rrisë edhe më tej nivelin e borxhit.

Ministrja e Financave dhe Kryeministri Rama do e përfundojnë mandatin me nivelin historik të borxhit në 85%, apo rreth 4,500 euro/çdo shqiptar. Bilanci rëndohet edhe më shumë kur llogarisim se me dhjetra mijëra shqiptarë largohen nga vendi çdo vit, në kushtet kur nuk mund të gjejnë hapësirë për të siguruar një të ardhme modeste në vendin e tyre.

Për herë të parë këtë vit qeveria do të paraqesë propozimin për projekt buxhetin e vitit 2021 pa e shoqëruar me një paketë fiskale, shprehje e mungesës dhe ideve në vendimmarrje. Më shumë se ndryshimet në një paketë fiskale duhet të kuptojmë se biznesi ka nevoje për siguri dhe jo për një qeveri që ka bërë me dhjetëra e dhjetëra ndryshime në legjislacionin fiskal kundër çdo sugjerimi të eksperteve vendas dhe ndërkombëtar duke pasqyruar inkoherencën në gjithë këto vite keq qeverisje.

Sistemi tatimor i Shqipërisë është kompleks dhe i fragmentuar dhe se ndryshimet e shpeshta ad hoc e kanë cënuar stabilitetin dhe transparencën. Një sistem tatimor më i drejtë, më i thjeshtë, më efikas dhe më transparent mund ta fuqizojë mobilizimin e të ardhurave buxhetore, duke përmirësuar ndërkohë klimën e investimeve dhe duke ulur informalitetin.

Në analizën e paraqitur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar duket qartë që Shqipëria është dukshëm nën nivelin mesatar të Vendeve te Ballkanit Perëndimor në mbledhjen e taksave në raport me PPB ku theksohet se qeveria duhet t’i dyfishojë përpjekjet për të përmirësuar të ardhurat tatimore nëpërmjet ngritjes së një sistemi më të drejtë, më të thjeshtë, më efikas dhe më transparent tatimor i cili nxit rritjen ekonomike.

Një nga rekomandimet që më ra në sy nga raporti i fundit ishte fakti se FMN është kundër një amnistie fiskale të mundshme, duke marrë për bazë shqetësimet lidhur me ndikimin që ajo ka mbi zbatueshmërinë e detyrimeve tatimore si edhe me risqet e lidhura me pastrimin e parave dhe me qeverisjen.

Ky nuk është as rekomandimi i parë dhe as i fundit që FMN i bën qeverisë që bie në vesh të shurdhër, kujtojmë ketu uljen e pragut të TVSH-së 2 milionë lekë dy vite më parë, apo rekomandimet për kufizimet dhe rrisqet që paraqesin PPP e paracaktuara nga Kryeministri.

Problemi është se Ministria e Financave dhe Ekonomisë jo vetëm qe nuk i ka marrë ndonjë herë seriozisht rekomandimet e FMN, por përkundrazi ka certifikuar kontratat e porositura konçensionare apo edhe më rëndë duke kryer pagesa nga buxheti i shtetit për shërbime që nuk janë kryer kurrë.

Nga ana tjetër FMN rekomandon se ka një nevojë urgjente për të fuqizuar menaxhimin e investimeve publike dhe cilësinë e shpenzimeve. Mungesa e menaxhimit të shpenzimeve publike ka çuar në alokimin e burimeve të pa nevojshme për projekte që nuk kanë asnjë rendësi prioritare, kujtomë këtu rialokimet me urgjencë nëpër vepra ujësjellësish apo shpenzime imazhi vetëm për qëllime elektorale.

Keqmenaxhimi i burimeve të buxhetit të shtetit duket edhe në kontributin e dobët që kanë investimet publike në impaktin e tyre si rritje ekonomike dhe në punësim. Sa pak efikase dhe e keqmenaxhuar ka qënë ndërhyja e qeverisë nëpërmjet paketave të ndihmës kundër pandemisë reflektohet edhe nga raporti i Llogarive Kombëtare publikuar nga INSTAT. Produkti i brendshëm bruto ra në masën 10.23% në tremujorin e II të 2020, e dhenë kjo zyrtare nga Instituti i Statistikave të Qeverisë.

Në këtë këndvështrim FMN rekomandon se projektet duhen përzgjedhur nga një listë projektesh e gatshme e cila ka kaluar nëpër një proces rigoroz përgatitjeje, vlerësimi dhe prioritizimi që duhet të kontribuojnë mjaftueshëm në një rimëkëmbje gjithëpërfshirëse.

Vendi ka një nevojë urgjente për të fuqizuar menaxhimin e investimeve publike dhe cilësinë e shpenzimeve, dhe jo oreksin e shfrenuar te qeverise. Ketë shqiptarët e shikojnë dhe e ndiejnë çdo ditë, dhe ky mesazh do të jetë i qartë më 25 Prill 2020.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco