Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Rama: ‘Edhe një dopio, kamerier!’

Rama: ‘Edhe një dopio, kamerier!’

Nga Agim Xhafka - 01/03/2020

Pallati i Kongreseve për tre ditë rresht qe mbushur me mijëra “të dehur”. Nuk i kishte sjellë policia, kishin ardhur me këmbët e veta, duke mbajtur për krahësh njëri-tjetrin. Dhe i gëzoheshin thirrjes së Ramës: “Edhe një, edhe një!”

Nuk u ngopën me dopiot e këtyre shtatë viteve. Duan akoma. Ia nisën me timon, pastaj me tepsi e tani me “raki”. Edhe një dopio, kamerier. Dhe nuk është tapë veç i pari i tyre. Nga avujt e alkoolit janë në kllapi krejt si parti. Doemos që realiteti u vjen i deformuar. U vjen pa varfëri, pa skamje, pa dhimbje, pa trishtim e pa vuajtje. Reflektojnë si të dehurit, çdo gjë u duket dyst.

Kam gati një këshillë për Ramën. Po ma lexoi do shpëtojë veten, por dhe ne. Nuk e kam shpikur unë, por Xani, pijetari i Elbasanit.

Rrinte çdo ditë te lokali mes qytetit. Aty pranë shtatores së Kristoforidhit.

-Më sill një dopio,-i thoshte kamerierit sa hapej bari.

E pinte ngadalë, shtruar. Sa e mbaronte, anonte kokën. E mbante ashtu një minutë e pastaj bërtiste:

-Edhe një, o çun!

Niste të dytën. Shtruar e me nge. Sa e mbaronte, anonte sërish kokën.

-Edhe një, o çun!

Sapo rrëkëllente gllënjkën e fundit, anonte kokën. E mbante ashtu një minutë dhe bërtiste:

-Llogarinë, o çun!

Sa paguante, çohej e ashtu zvarrë nisej drejt shtëpisë. Djali, kamerieri e pyeti një ditë:

-Pse anon kokën. Çfarë sheh?

-Shoh Kristoforidhin. Sa herë ai nuk lëviz, unë porosit edhe një. Kur ai lëviz, më duhet të shkoj. Ndryshe ose do rrëzohem rrugës, ose do tallen me mua, ose nuk do e gjej dot shtëpinë.

Edvin, paguaj faturën se populli si Kristoforidhi ka kohë që po lëviz. Mos kërko edhe një. Se po të merret goja dhe këmbët. Do harrosh nga bie Surreli pastaj...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco