Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Arsimi po shkon në drejtimin e duhur të shkatërrimit të plotë të tij

Arsimi po shkon në drejtimin e duhur të shkatërrimit të plotë të tij

Nga Ndriçim Mehmeti - 30/01/2020

Shenjat ishin dhënë me kohë. Përditë shohim rrënimin e pakthyeshëm të arsimit, në rrugë, në institucionet shkollore, në auditorët e universitetit, në media, e kudo që na shkel këmba.

Po si u arrit në këtë situatë të pakrahasueshme prej krijimit të shtetit shqiptar?

U hartua një strategji e mirë menduar Kryeministri Rama, e  cila do të zbatohej në disa faza, në mënyrë të atillë që shkatërrimi të mos binte në sy, por të ishte i butë, pa shumë bujë e zhurmë.

Faza e parë: Heqim qafe ata që na pengojnë e na prishin.

Që të kryente këtë Kryeministrit i duhej një fytyrë ‘engjëllore’ e etiketuar si ‘zonjë grua’ siç ishte e preferuara e tij Linditë dhe ca këshilltarë servila, pervers, sahanlëpirës si dhe një xhahil në krye të së ashtuquajturës administratë civile, më mënyrë që operacioni të ishte i shpejt, pa zhurmë dhe rezultati të ishte i sigurt dhe i plotë. Për gati dy muaj me shpejtësi rrufe Ministria e Arsimit ndërroi të gjithë institucionet e varësisë, Institute, Inspektorat, Drejtori Arsimore Rajonale, Zyra Arsimore dhe vetë stafin e Ministrisë së Arsimit. U vendosën të komanduar prej Sekretarit ët Përgjithshëm e deri tek drejtues të arsimit në rrethe, militantë të njohur të PS-së, njerëz që i kishin shërbyer asaj, por kjo në kolegjialitet të plotë me grupin e deputetëve të PS-së. Këta të fundit i dhanë në dorë Linditës listën e plotë të preferuarve të tyre në rrethe dhe shndërrimi edhe në këtë rast ishte i plotë. Për monitorimin e largimit të gjithë drejtuesve në rrethe, Lindita dërgoi të këshilltarin e saj të plotfuqishëm i shoqëruar me ish-spiunët dhe servilët e administratës së kaluar, që të sigurohej se gjithçka do të shkonte sipas planit. Në këtë mënyrë arsimi  u depolitizua ‘plotësisht’, i spastruan kundërshtarë dhe erdhën tanë: PS+koalicioni qeveritar sipas përqindjeve që bëhen në këtë rast, duke qenë se shteti konceptohet si malli i babës.

Faza e dytë: Marrim një model të përparuar të BE-së e sjellim në Shqipëri duke u nisur nga interesat tona.

Dhe ky model u gjend shumë shpejt: Anglia. Për koincidencë, u gjend pikërisht vendi nga ku erdhi falas të këshillonte kryem ministrin tonë ish-kryeministri i Anglisë. Madje lidhja e ngushte me anglezët u shtri thuajse në të gjithë sistemin arsimor. Ka të dhëna shumë të besueshme, që tekstet që u morën, mënyra sesi u morën, kontrata e nënshkruar për to dhe shumë projekte me qindra mijëra euro në sistemin para-universitar, kanë si kumbar gruan e këshilltarit anglez që punonte falas për kryeministrin tonë. Tekstet u morën u shpërndanë, ju dhanë në shumicë klientëve të qeverisë si dhe atyre që u konvertuan nga mbështetës të doktorit në mbështetës të piktorit, ndërkaq që nuk e vrau mendjen njeri që ti pilotonte, eksperimentonte, të merrte vërejtje nga mësuesit e prindërit dhe më pas të viheshin në përdorim për të gjithë. Jo. Sepse koha nuk priste, fitimet duhet të ishin të siguruar si dhe të vijonte tanimë shkatërrimi i procesit të nxënies, përmes alibisë më të fortë: Po aplikojmë modelin më të mirë të vendeve të BE-së. Përtej analizës nëse Anglia ishte në atë kohë modeli më i mirë në Evropë, sot jemi përpara faktit se Anglia i la fotografinë Bashkimit Evropian, pikërisht pak muaj pasi ne u mburrëm me vendin më të përparuar në arsimin para-universitar dhe jo vetëm. Edhe sot e gjithë dita, as nxënësit nuk e dinë se çfarë mësojnë, as mësuesit nuk e dinë se çfarë mësojnë, ndërsa prindërit ngrenë supet e thonë: ‘eh si erdhi kjo kohë. Nuk i ndihmojmë dot fëmijët në fillore pale më tutje’.

Faze e tretë: Politizimi deri në qelizën më të fundit të arsimit.

Edhe në këtë rast merita e plotë i takon Ramës dhe veglës së tij të bindur në ministrinë e arsimit, Linditës. Të gjithë drejtorët e shkollës u vendosën sipas kontributit të tyre në shërbimet më të fundit kundrejt koalicionit qeverisës. Këta të fundit u bënë kamxhiku i Ministrisë së Arsimit ën kurrizin e mësuesit. Mësuesit dhe fisi i tyre, jo vetëm duhet të bënin like dhe veshjes së drejtorit, por mbi të gjitha të shpërndanin në Facebook, të gjitha postimet e Linditës dhe pa asnjë diskutim ato të Ramës. Në këtë mënyrë ata siguronin vendin e punës, ose në të kundërt, e rrezikonin atë apo degdiseshin sa më larg vendbanimit të tyre. Për aspektin e tyre profesional, moral, zhvillimin  e mëtejshëm përmes trajnimeve etj, nuk ja kishte dhe nuk ja ka ngenë njeri. Ministrja ishte gati të vepronte me dorë të hekurt kundrejt çdo mësuesi që dilte në video në TV, por nuk ngrinte as gishtin sa herë që mësuesit dhunoheshin nga drejtuesit, nxënësit, prindërit, pasi Lindita i dhunonte vetë çdo ditë.

Faza e katërt: I turremi Universitetit dhe zhvlerësojmë autonominë

Edhe në këtë rast rezultati ishte fantastik. Nuk kemi pse ja hamë hakun Ramës, por vënia nën këmbët e qeverisë të Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik dhe një pjesë të mirë të atyre private ishte dhe mbete meritë e plotë e tij. Edhe në këtë rast përdori të njëjtën alibi si në rastin e arsimit para-universitar: Do të marrim shembullin e Anglisë. Një këmbëngulje e çuditshme për Anglinë a thua se ne kemi një jetë të tërë në marrëdhënie të ngushta me këtë shtet. Gjithsesi mori Gjonçjan të bënte reformën e arsimit të lartë, solli një agjenci akreditimi, e cila, kishte vetëm një anglez nga Anglia dhe shumë ‘anglezë’ nga Shqipëria, që rezultoi në finalen e punës së saj se  bëri një vërë në ujë. Nuk u mor vesh se si u bë akreditimi, u shkelën të gjitha standardet ndërkombëtare të akreditimit, u punua në konflikt të plotë interesi dhe rezultatet ishin sipas pëlqimit të Shefit të qeverisë me monitorim paraprak të Linditës dhe enturazhit të saj të ngushtë të ministrisë. Tani Gjonçaj ka ikur, Agjencia Britanike po e po dhe gjithçka e ka marrë në dorë kryeministri. Si fillim  tentoi ta shtinte në dorë Universitetin e Tiranës në dorë, me metodën e njohur të shantazhit mafioz. Më pas bëri një tërheqje taktike. Pasi theu me lehtësi ‘qëndresën heroike të studentëve të dhjetorit 2019’, Rama  dhe Lindita ju kthyen me gjithë fuqinë e vet, ‘pengesës’ për cilësi në arsimin e lartë, Konit. Por edhe Besa nuk mbeti parapa. I këputi një pezullim dhe shkarkim, e çoi deri tek Presidenti budallallëkun e vet dhe u qurravit më pas kur presidenti ja menderosi, se ai ‘presidenti, nuk e kishte kuptuar mirë definimet e saj dhe intervenimin e domosdoshëm që duhej bërë në kët rast’. Në këtë fillim viti Besa na kujtoi se kemi votime për univerzitetet dhe se duhet të jemi vigjilentë që partisë që ajo përfaqëson të mos i shkojë asnjë kandidat dëm. Ndërkaq për Kryeministrin, një vit pas Paktit për Univerzitetin (sipas Besës), çdo gjë shkon vaj. Bordet janë të mbushur me ish-deputetë dhe hierark të PS-së dhe drejtorëve të konvikteve nuk ju prek asnjë fije floku e jo më të shkarkoheshin. Së fundmi kemi godina fjetje me PPP dhe kampuse me PPP. Edhe po u ngritëm sërish studentë ai, Kryeministri ynë ‘mendjendritur e punë pa bitisur, e ka zgjidhjen: Eliminon Besën si një terminator i vërtetë dhe gjen një tip Elise për aq kohë sa i ka mbet të jetë në pushtet.

Faza e pestë, që për nga rëndësia mund të jetë edhe e para: Shkatërrimi dhe dehumanizimi i burimeve njerëzore.

Edhe në këtë drejtim merita e plotë i takon Kryeminsitri dhe taktikat e tij të zbatuar nga Lindita deri në 2018 e sot nga Besa. Lindita në zbatim të urdhrave të Kryeministrit dhe me dëshirën e saj të plotë vendosi një sistem të fortë terrori që prej ardhjes së saj në Ministrinë e Arsimit. Turri këshilltarët e saj si qen të hazhdisur mbi punonjësit e padëshiruar prej saj, provokonte herë pas here, derisa i hoqi qafe, me një ‘qëllim të madh’: Ristrukturimin dhe krijimin e një administrate të vogël, e cila nga 94, mbeti disa herë me barrë dhe mbërriti të ketë sot në 2020, 134 punonjës. Shkoj më tej. U tall Lindita e sorollati nja dy vjet të mira sindikatat për nënshkrimin e kontratës kolektive të punës për mësuesit, kohë të cilën e shfrytëzoi për spastrim të plotë. Nuk i ngriti asnjëherë rrogat e mësuesve, përveç indeksimit. Pedagogëve dhe universitetit i rrëmbeu autonominë më ligj, i la pa kërkim shkencor, pa promovim titujsh, pa mbështetje financiare, i talli mbledhje më mbledhje, u mori godinat për punët e veta dhe tani nuk i ka frikë fare. Ata pak kokrra që flasin i etiketon siç di vetë, ndërsa të tjerët i ka nën hyqëm. Dikujt i ka lënë në dorë të emërojë vajzën aty ku drejton, një tjetrit të rregullojë djalin, një tjetri kunatën dhe dashnoren, të tjerave vajzën që ka mbet pa punë të rri pranë mamit në fakultet dhe kështu që askush nuk e trazon në delirin e tij të suksesit në arsim.

Tani Kryeministri shijon plotësisht rezultatet e punës së tij për shkatërrimin e plotë të institucioneve të dijes prej kopshtit deri në universitet, i ndihmuar në një masë të madhe prej heshtjes së shoqërisë, të cilës i ka hequr armën më të rëndësishme dhe më të fuqishme për ndryshimin e jetës së tyre, familjes dhe vendit: Arsimimin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco