Lajmi i fundit

Skandal i ri/ Edi Ramës i del emri në një tjetër dosje trafikantësh droge, ‘Shqiponja e zezë’

Alternativat e vështira të opozitës përballë populistit Rama

Alternativat e vështira të opozitës përballë populistit Rama

Nga Doan Gjyzeli - 04/01/2020

Përpjekja e kryeministrit Rama për ta konsideruar vetveten të veçuar nga partia e tij, ka qenë një nga politikat ku ai duket se ka mbështetur garancinë se nuk do të barazohej me të korruptuarit e partisë së tij dhe me të emëruarit prej tij.

Duke dalë vetëm ai publikisht në emër të mazhorancës dhe duke ofruar versionin e bashkëqeverisjes, ai veçoi vetveten me pjesën tjetër të qeverisë që po ai vetë e kishte përzgjedhur, madje duke i telendisur herë pas here pa kursyer askënd, madje as Veliajn që ai vetë e ka veçuar.

Po, nga se vjen kjo sjellje politike “mbi palët” që kërkon të aplikojë Rama?

A është e rastësishme apo ai ka një destinacion të qartë politik?

Në thelb të politikës së Ramës ka qenë populizmi.

Gjithçka është ndërtuar përmes gjuhës emocionale dhe notave që kanë në thelb mërinë ndaj tjetrit.

“Populistët janë antipluralistë: populistët pretendojnë se jan ata dhe vetëm ata përfaqësuesit e popullit”, shprehet filozofi politik gjerman Jan–Werner Muller, duke i konsideruar populistët si mbështetës të “demokracisë moraliste” në kurriz të “demokracisë përmes ligjit dhe të së drejtës”.

Në fakt, siç thekson Muller, problemi me populistët është se besojnë se vetëm një pjesë e popullit është me të vërtetë populli.

Ndaj populistët, kur janë në opozitë, mbështeten te shprehjet e tilla si: “Duhet të ikin të gjithë!”, “poshtë të gjithë!”, “të korruptuar të gjithë!”, “të vijnë të ndershmit që janë zëri i popullit!”.

Ndërkohë që kur janë në pushtet tentojnë të zhdukin opozitën, sidomos atë të votuarën, pasi ata e konsiderojnë vetveten si të vetmit përfaqësues legjitimë të popullit.

Ndaj thuajse në të gjithë globin, sot është gati e pamundur të mendosh një opozitë me alternativa të qarta përballë populistëve, për shkak se qeveritë populiste kërkojnë të përzgjedhin vetë se ç’fytyrë duhet të ketë kundërshtari politik dhe se cilët mund të jenë aksionet e besueshme të saj.

Mjafton të kini parasysh se Rama, përmes gazetarëve të improvizuar, si dhe dhjetëra portaleve e televizioneve që janë në dispozicion të tij, ka kërkuar prej më shumë se gjashtë vitesh të përcaktojë edhe se si duhet të sillet lideri i opozitës, se çfarë duhet të kërkojë ai.

P.sh, kritikuesit më të mëdhenj publikë të qëndrimit të opozitës në parlament u kthyen edhe në kritikët më të mëdhenj të largimit nga parlamenti.

Po ashtu, ata që kërkonin një opozitë të egër me protesta, ishin edhe kritikuesit më të mëdhenj të vijimit të protestave pasi, sipas po atyre, duhej dalja me alternative e jo rruga agresive.

Dhe këta kritikë janë pikërisht ata që “nuk dallojnë” asnjë gabim në qeverisjen e Ramës, ose që e konsiderojnë normale që Rama edhe të gabojë pak!!!

Populistët mundohen të ngulisin idenë në publik se elita përfaqësohet vetëm me pushtetin e tyre.

Ndaj, jo rastësisht Rama, hapin e parë si Kryeministër e bëri duke ndryshuar pamjen estetike të zyrës dhe heqjen e portretit të Presidentit.

Madje ndryshimin e zyrës e bëri pa asnjë vendim ligjor dhe pa dhënë asnjë shpjegim se kush ia pagoi paratë për një gjë të tillë.

Pra ai nisi me parullën populiste: “Elita jemi ne - ne nuk kemi problem as me elitat e as me popullin”.

Nuk është rastësi as këmbëngulja e Kryeministrit Rama me PPP-të, pasi ai është modeli më i sigurtë i përcaktimit edhe të elitave të biznesit.

Ky koordinim i përcaktimit të elitave të biznesit me elitat kulturore, ia ka bërë Ramës më të lehtë shpërndarjen e përgjegjësive të qeverisjes, që në fakt, vetëm llogaridhënie nuk ka njohur në këto gati shtatë vite.

Për të garantuar që rruga do të jetë e lehtë, populistët e tipit Rama fillimisht gjejnë rrugë për të mbajtur gojëmbyllur bashkëudhëtarët e revolucionit, që ata të mos kenë kërkesë llogari politike.

Për këtë mjafton të shohësh një Parti Socialiste të heshtur përballë poshtërimit që u bën kryeministri deputetëve apo kryesisë me emërime apo vendime krejtësisht personale.

Gjithashtu, duke përcaktuar se kush do të jetë biznesmen, gjithkush e kupton se, e vetmja rrugë për sukses është të jesh nën çadrën e qeverisë.

Populistët ndërkohë i hapin rrugën më pas krijimit të një linje mediatike, që zëvendëson njerëzit real të mendimit me gazetarët dhe analistët e improvizuar.

Qëllimi është që të shmanget nga kontestimi ndaj qeverisë çdo njeri i mençur e më reputacion publik.

Mjafton të kujtojmë këtu gradimin e Veliajt nga Rama si personi që duhej të blinte me çdo çmim aktorët e njohur dhe njerëzit publikë që mbronin Teatrin Kombëtar.

 Spektaklet me mbledhjet me to në bashki apo hotele, apo shëtitjet me to në stadium, janë parada të pastra të poshtërimit, përmes së cilës populistët krijojnë standartin e komunikimit publik).

Por nga se rrezikohemi ne si shoqëri po të vijojmë ta lejojmë Ramën ende në këtë lojë?

Ajo që na rrezikon më shumë se gjithçka është pikërisht dëshira që kanë populistët për të përcaktuar klasën politike përballë, për të përcaktuar se kush duhet të jetë opozita reale, e më pas për të zhvlerësuar zgjedhjet.

Për këtë u vjen në ndihmë media dhe klasa e biznesit që Rama i ka krijuar apo mbështetur vetë.

Por, më parë se të arrijnë këtu, populistët marrin në dorë edhe institucionin e kritikës ndaj qeverisjes, përmes një modeli që shitet si autokritikë.

P.sh Rama nuk e ka fare të lodhshme të dalë e të thotë “po kemi gabuar, por sërish jemi më të mirët”.

Ashtu siç u shfaq edhe në fjalimin e fundvitit, me shprehje të tilla populiste si: “Nuk jam perfekt” dhe “ kam vështirësitë e mia për të ndarë Unin nga Shteti” apo që “nuk arrij të ndajë bindjen nga konsensusi”.

Pastaj thotë se po bën projekte që “të shmangim rryshfetin që bëhet ne shtet përmes projekteve online”.

Në këtë proces, qytetarët mbahen gjithnjë e më shumë në distancë, sepse spektakli është i garantuar, tashmë edhe përmes regjisë së propagandës së pastër ERTV, e më pas shumicës së TV-ve dhe portaleve, që e nxjerrin populistin Rama si njeriun që di të pranojë gabimet, ndaj dhe duhet mbështetur.

Përballë një fronti të tillë populist, opozita e ka të domosdoshme të gjejë rrugët e komunikimit si me elektoratin e vet ashtu edhe me “shumicën e heshtur”.

Përballë një politike kaq ofensive të qeverisë që ka me vete edhe gjyqësorin, edhe median, edhe biznesin, opozita e ka të domosdoshme të krijojë një grup të besueshëm ekspertësh që të mund të analizojnë dhe përçojnë në publik pasojat e një politike të tillë ku qytetarit i kërkohet nga qeveria e sotme të besojë që ka edhe atë që nuk e ka.

Opozita nuk duhet të ndjekë lojën e Ramës me aksione që thjesht deligjitimojnë qeverisjen e Ramës, pasi pas shtatë vitesh propagandë njerëzit janë të zemëruar me këdo që vetëm shan të tjerët, pa dhënë zgjidhje.

Pra, me njerëzit e zemëruar nuk aplikohet thjesht sharja e kundërshtarit, por rindërtimi i një besimi, i një ftese për dinjitet, pasi qeveria aktuale tenton t’i bëjë të gjithë bashkëfajtorë, për të shmangur përgjegjësitë.

Rama ka elitën e tij dhe “ushtarët e mendimit publik”, të cilët nuk shmangen kollaj nga rruga e qeverisjes dhe përfitimet që kanë prej tij. Por opozita duhet të ketë forcën t’i shpjegojë çdo qytetari se populli nuk është ai që përcakton qeveria.

Nëse nis ky proces, që ka të bëjë edhe me distancimin e qartë nga gabimet e së shkuarës, atëherë Rama nuk do mund të gënjejë pafundësisht gjithë popullin.

Por besimi nis më parë nga vetë mbështetësit e PD-së, të cilët duhet të shohin se si Rama, në vend të debatit mbi keqqeverisjen e tij, mbi korrupsionin e gjithanshëm dhe vjedhjen publike deri me ligje, mbi blerjen dhe mungesën e drejtësisë, ka mundur të krijojë një kaos mbi opozitën, a thua se vendimet për këto shtatë vite më shumë i ka marrë Basha se sa Rama.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Antirilindas04/01/2020 14:29

Këto teori dhe autorët që ju politologët ju referoheni nuk pijnë ujë për rastin e edvinit, ose ju përpiqeni të justifikoni Lulin për mefshtësinë kur situata është alarmante.

Rama hiqet vetëmme dhunë asnjë teori botërore nuk jua thotë se rama mund të hiqet me forma të tjera.

Shto koment

Denonco