Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Çfarë pritet sot nga zgjedhjet e ndërmjetme në SHBA?

Çfarë pritet sot nga zgjedhjet e ndërmjetme në SHBA?

Nga Kastriot Islami - 06/11/2018

Amerikanët do të votojnë sot në mes të mandatit presidencial.

Këto zgjedhje janë një test për impaktin te publiku të politikave të presidentit Trump, si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel vendor, vetëm dy vjet pasi ai është zgjedhur president i SHBA.

Për shkak të angazhimit të vetë presidentit Trump por edhe të një beteje shumë të ashpër që po zhvillojnë kundërshtarët demokratë, këto zgjedhje janë kthyer në një referendum për Trump pavarësisht se emri i tij nuk gjendet në asnjë fletë votimi.

Parlamenti apo Dhoma e Ulët do të rinohet tërësisht.

Zgjedhjet për përfaqësuesit e Dhomës së Ulët janë të përgjithshme, pra ato zhvillohen për të 435 vendet e kësaj dhome.  Aktualisht, Republikanët kanë një shumicë komforte në Dhomën e Ulët (236-193, ndërkohë që 6 vende janë të lira). Demokratët për të rifituar shumicën në Dhomën e Ulët duhet të fitojnë 23 vende shtesë në krahasim me numrin që zotërojnë aktualisht.

Sondazhet e shumta (që duke filluar nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 nuk janë shumë të sakta) tregojnë se shanset më të larta për të pasur maxhorancën e Dhomës së Ulët në zgjedhjet e sotme i kanë demokratët. Konkretisht, një nga faqet e “famshme” që botojnë sondazhe (RealClearPolitics) sot në mëngjes ka dhënë këtë parashikim:

Nga 435 vende, Demokratët kanë të sigurta 203 vende dhe Republikanët kanë të sigurta 194 vende, kurse 38 vende janë ende të paqarta se kandidatët e cilës parti do ti fitonin. Përfaqësuesit  e Dhomës së Ulët që zgjidhen në 6 nëntor do të fillojnë aktivitetin e tyre në 1 janar 2019.

Vetëm 1/3 e Senatit do të rinovohet

Senati ka 100 përfaqësues të zgjedhur (dy për shtet), dhe një e treta e këtyre 100 vendeve rinovohen përmes votimeve çdo dy vjet; në zgjedhjet e 6 nëntorit 2019 do të kryhen për  35 vende senatorësh. Aktualisht, Republikanët kanë një shumicë të ngushtë (51-49) në senat.

Por shanset për demokratët për të rifituar shumicën në senat janë shumë të ulta se nga 35 vende për të cilat do të kryhen votimet, demokratët duhet të mbrojnë 26 prej tyre dhe 6 prej tyre janë shumë të rrezikuar, ndërkohë që republikanëve ju duhet të mbrojnë vetëm 9 vende për të cilat zhvillohen zgjedhje. Senatorët zgjidhen një herë çdo gjashtë vjet dhe gjithashtu do të fillojnë mandatin e tyre në fillim të janarit 2019.

Zgjedhjet vendore…

Në 6 nëntor do të ketë zgjedhje edhe për pothuajse të gjitha Kuvendet Vendore (Dhomat e ulëta dhe Senatet e shteteve), guvernatorët e 36 nga 50 shtete dhe për shumë poste të tjera (kryetarët e bashkive, gjykatësit vendorë, sherifët). Votuesit gjithashtu do të prononcohen edhe për një mori nismash lokale.

Çfarë luhet në këto zgjedhje?

Situata politike, pas zgjedhjes së Trump në vitin 2016 është shumë e tensionuar si rrallë herë në SHBA. Beteja mes demokratëve dhe Trump është për jetë a vdekje. Prandaj, ndikimi i këtyre zgjedhjeve mund të jetë i jashtëzakonshëm,. Sepse nga njëra anë historia tregon se në më shumë se 150 vitet e fundit, partia e presidentit, në këto zgjedhje të ndërmjetme, gjithnjë ka humbur maxhorancën. Por këtë radhë, humbja e maxhorancës nga republikanët flitet se do të shoqërohej me fillimi e një procesi për shkarkimin e presidentit Trump (impicment), gjë që duket se ka shumë gjasa të ndodhë për shkak të konfliktit politik gati armiqësor mes demokratëve dhe Presidentit Trump. Nëse demokratët do të kontrollonin shumicën në Kongres, atëherë ata do të kryesonin edhe komisionet parlamentare, përmes të cilave do të hetonin në mënyrë të hollësishme dyshimet për lidhjet e ekipit të Trump me rusët  gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës. Nëse demokratët do të arrinin të kenë edhe shumicën në Senat ata do të bllokonin të gjithë emërimet e mundshme të Presidentit Trump në Gjykatën e lartë, në sistemin gjyqësor federal ose për disa poste të rëndësishme në administratë. Sepse Senati ka fjalën e fundit për çdo emërim të Presidentit.

Votimet e 6 nëntorit, një referendum për Trump…

Megjithëse emri i Donald Trump nuk është në asnjë fletë votimi, shumica e  amerikanëve i konsiderojnë zgjedhjet e 6 nëntorit si referendum për politikat dyvjeçare të presidentit. Presidenti Trump, duke parë agresivitetin e paprecedentë të demokratëve  dhe i vetëdijshëm për rrezikun që paraqet një përmbysje e shumicës që ai zotëron në Dhomën e Ulët dhe në Senat, është angazhuar fuqimisht në fushatë duke shkuar së fundmi në mitingjet e  tetë shteteve në më pak se një javë (Florida, Ohio, Gjeorgji, Indiana, Missouri, Montana, Tennessee dhe Ëest Virginia).

Në shtetet ku konservatorët republikanë, si Kansas apo Karolina e Jugut, kanë fitoren e sigurtë për shkak të një maxhorance të qartë, kandidatët republikanë nuk kanë arsye të distancohen nga Trump sepse në këto zona ai është shumë popullor. Kurse në zonat ku beteja mes demokratëve dhe republikanëve është e ashpër dhe rezultati shumë i ngushtë e i paqartë, duhet pasur kujdes se emri i presidentit mund të jetë toksik.

Kandidatët republikanë e kanë përqendruar fushatën në sukseset e Trump gjatë dy viteve, më konkretisht në rritjen e fortë ekonomike, në uljen e papunësisë dhe rritjen e pagave e të mirëqenies, kurse kandidatët demokratë po bëjnë gjithçka për t’ju kujtuar votuesve  qëndrimet kontradiktore të  Trump për emigracionin, shëndetin apo tregtinë.

Si mund ndikojë pjesëmarrja në rezultatin zgjedhor?

Statistikat tregojnë se zgjedhjet e ndërmjetme nuk i motivojnë shumë votuesit. Kështu për shembull vetëm 41.9% e zgjedhësve morën pjesë në zgjedhjet e ndërmjetme të vitit 2014 ndërkohë që në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 morën pjesë 61.4 % e zgjedhësve. Mendohet se në zgjedhjet e 6 nëntorit pjesëmarrja mund të jetë shumë e lartë duke thyer madje rekordin, për shkak të një mobilizimi të fortë të kundërshtarëve ndaj Donald Trump, sidomos të të rinjve. Sepse pjesëmarrja e ulët do të favorizonte republikanët.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco