Ku e keni futur, kokën?!

Ku e keni futur, kokën?!

Nga Poli Hoxha - 09/08/2018

Në fund të muajit Korrik djali i Xhorxh Sorosit, Aleksandri, bëri një turr disa ditor në rajonin tonë.

E nisi me Beogradin ku takoj presidentin Vuçiç dhe rrjetin e organizatave jo qeveritare që sponsorizohen nga ‘Fondacioni për Shoqërinë e Hapur’ që drejton, pastaj u hodh në Prishtinë ku në mënyrë gati të fshehtë bujti në konakun e presidentit Hashim Thaçi, për ta përmbyllur në bregun e Himarës në një takim vëllazëror me Edi Ramën, të cilin duket se e kishte lenë ‘si qershia mbi tortë’.

Në atë kohë SYRI.net publikoi një shënim me titull, ‘Direktivat që përcolli korrieri Aleks Soros nga Beogradi në Tiranë, për Jugosllavinë e Re’, në të cilin tregohej në mënyrë kronologjike historia e evoluimit të këtij projekti, i cili në pamje të parë duket thjesht si një bashkim ekonomik i rajonit, por që në fakt rikthen në mënyrë më të korrektuar (Pa Kroacinë dhe Slloveninë) ëndrrën  dhe luftën e papërfunduar, të Josif Bros Tito, për një superfuqi sllave në Europë.

Takimet e Aleks Soros me 2 liderët kryesor shqiptarë, përveç publikimit të fotove nga vetë ai në rrjetet sociale, ngelën mister për publikun në të dy anët e kufirit, Shqipëri e Kosovë. Nëse zyra e presidentit Vuçiç u kujdes që të bënte një deklaratë publike me këtë rast, ku nuk fshihej entuziazmi për çfarë ishte biseduar dhe vendosur, as Thaçi dhe as Rama nuk denjuan, që të informonin nënshtetasit e tyre.

Tashmë është bërë rrugë dhe vijë sjelljeje, që si Edi Rama ashtu edhe Hashim Thaçi, të zhvillojnë takime dhe të marrin vendime okulte, në emër të vendeve që drejtojnë, duke u fshehur pas “miqësive private”. Kështu bëjnë me presidentin e Turqisë Taip Erdogan, njësoj funksionojnë edhe me klanin Soros.

Gjithsesi të kthehemi tek vizita e fundit e korrierit të plakut Soros, në trekëndëshin, Beograd-Prishtinë-Tiranë.

Në njoftimin zyrtar që bëri zyra e presidentit Vuçiç me rastin e takimit, i cili shoqërohej edhe me një foto të përzemërt, tekstualisht thuhej;

"Tema e diskutimit përfshiu edhe mbështetjen e Fondacionit për një zonë ekonomike rajonale, ndërsa Aleksandër Soros shprehu mirënjohjen e tij për presidentin e Serbisë për mbështetjen që ka Fondacioni i Shoqërisë së Hapur në Serbi dhe theksoi se Fondacioni do të vazhdojë të mbështesë Serbinë në rrugën evropiane, si dhe reformat dhe proceset demokratike. Ai përshëndeti vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe rolin konstruktiv të Serbisë në ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor ".

Nëpër tekst përveç çështjes për “Jugosllavia e Re, plus Shqipëria”, lihet të kuptohet se është diskutuar në hollësi, edhe për bisedimet Serbi-Kosovë, të cilat janë në limitin kohor, të kufirit që SHBA-BE u ka vënë të dy vendeve.

Pas Beogradit, Sorosi i vogël udhëtoi për në Prishtinë ku takoi Hashim Thaçin dhe më pas mbërriti në Himarë, aty ku kryeministri i Shqipërisë prej kohësh po i mëson notin, Ramës së vogël.

 Sorosi i vogël e kreu detyrën e korrierit dhe iku, por në atë kohë la pas një mister tipik masonik; për direktivat që i dorëzoi treshes Vuçiç-Rama-Thaçi; për “planin A” që po na shpaloset sot, hartat me kufijve të rinj; strategjinë mediatike që do të përdorej në këtë fillim- gusht të nxehtë, jo vetëm prej motit.

Nuk vonoi shumë dhe vetëm një muaj pas këtyre vizitave, nën një koordinim të sofistikuar, trekëndëshi Beograd-Prishtinë-Tiranë ndizet flakë.

Në mënyrë të “papritur”, presidenti Thaçi kalli fijen e shkrepëses dhe po na shpalos me intensitet çdo ditë (ose më saktë na e belbëzon, në formë gjëegjëze) “Planin A”, i cili sipas tij, do të kënaqë me troje Kosovën. Nga ana tjetër në Beograd, Vuçiç shfaqet në të njëjtën linjë dhe premton, se edhe Serbia do të dalë shumë e fituar nga ky “Plan A”!

Kurse në Shqipëri, Edi Rama, vazhdon ti mësojë notin Ramës së vogël, duke bërë sikur është “jashtë loje”. Hesht, pavarësisht se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e detyron që të shprehet për këtë rrezik kombëtar. Por e vërteta është se ai është një nga protagonistët e kësaj tollovie të rrezikshme, që ka pushtuar trojet shqiptare, mjafton që të ndjekësh mediat pranë tij në Tiranë.

 Ditët e fundit u dekonspirua se ky plani i ashtuquajtur “A” (cili është “B”-ja?!) është kalkuluar nga Fondacioni i Xhorxh Soros dhe i sponsorizuar nga qeveria serbe. Ishte në dijeni të kësaj dhe e denoncoi fort, edhe kryetari i komunës së Bujanovcit, ish deputet i shqiptarëve në parlamentin serb, Shaip Kamberi, me të cilin Thaçi paska biseduar për këtë çështje!

Thelbi i këtij projekti, sipas një konsultimi që më është bërë nga njerëz që kanë arritur ta lexojnë është heqja e vijave kufitare, sipas parimit demografik. Hashim Thaçi nuk bën si budalla kur thotë, se nuk do të ketë shkëmbim territoresh. Sofizma që përdoret është, se nuk do të shkëmbehen “troje”, por grup-popullatash.

Për ta bërë, më të kuptueshme. Imagjinojini të shkrira në një të vetme hartat demografike aktuale, të Serbisë dhe Kosovës. Pastaj mbi këtë hapësirë, hiqni vijën e kufijve duke lënë brenda secilit shtet përkatësisht çdo zonë, sipas shumicës aktuale të popullsisë. Kudo ku ka më shumë popullatë serbe, kalon nën Serbinë dhe anasjelltas. Pra synojnë të krijojnë idenë, se po shkëmbejnë popullsi etnike, por në fakt po bëjnë pazar me troje dhe për kufij të rinj shtetëror.

 Më thjeshtë fare; synimi është që shqiptarët të shkëmbejnë me serbët troje shqiptare, po me troje shqiptare!  

Pavarësisht se shqetësimi është i madh dhe i drejtë kjo nuk ka për të ndodhur, pavarësisht nga sinjalet “ecni përpara, testoni”, që i vijnë treshes, Vuçiç-Rama-Thaçi, nga tentakula të mbetura të Soros në Uashington dhe nga ato më të fuqishme në Bruksel.

Thelbi i planit “A” nuk është tjetër gjë, përveçse një skenar për ti dhënë kohë dhe antikorpe mbijetese, krimit të organizuar dhe atij ekonomik në trekëndëshin Beograd-Prishtinë-Tiranë, të instaluar në krye të shteteve përkatëse. Gjithsesi e gjithë kjo lojë në një rajon si ky i yni është teje e rrezikshme dhe mund të shkasë në çdo moment, në bërjen fakt të planit “B”.

Flakët ndoshta nuk mbërrijnë deri te tubat që mbajnë ende në jetë plakun Soros, por një Zot e di, se cili do të ishte fundi i Thaçit dhe Ramës në fund të gjithë kësaj, ku kanë futur kokën!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

SULO09/08/2018 20:47

THACI TE SHKARKOHET MENJEHERE..RAMA TE RREZOHET...

Shto koment