Lajmi i fundit

Skandal i ri/ Edi Ramës i del emri në një tjetër dosje trafikantësh droge, ‘Shqiponja e zezë’

Me Kol Shehun!

Me Kol Shehun!

Nga Dritan Kaba - 08/08/2018

Nderim ata që sfiduan diktaturën me tinguj! Rebelet, oligarkët dhe bijtë e bllokut

Mbrëmë takova mikun tim të vjetër Kol Shehu, diku buzë detit në Qerret. Po luante si dikur para 34 vitesh sërish në kitarë.

Muzikë që te mbush shpirtin plot.

Të qetëson edhe kur je në kulmin e nervave. Të shplodh, kur je i rraskapitur në sfilitje ekstreme.

Por diçka shumë më të madhe që shkon deri në heroizëm është ajo për të cilën dua të shkruaj sot.

Është një homazh për ata djem të viteve ‘80 që sollën perëndim më shumë se të gjithë studentet e ‘Partisë’, që studionin jashtë. Shumë, shumë ata vetëm xhinse, syze dhe rroba banje për kontrabandë sillnin.

Disa prej tyre janë bërë milionerë, por edhe si në atë kohë nuk i sollën asgjë Shqipërisë. Thjesht shisnin e blinin. Dikur brekë dhe sytjena, sot ligje speciale dhe leje ndërtimi. Dikur çadra me suste, sot ngrenë pallate edhe në zonat e gjelbërta të Tiranës, asgjë nuk i ndal. Ulen taksat me ligje speciale për ta dhe hiqet ndihma ekonomike për të pamundurit, po me ligje speciale.

Sot, ata, i kanë kthyer rilindasit në shërbëtorë reale dhe veten në oligarkët e vërtetë të këtij vendi.

Në fakt janë e njëjta klasë me të njejten prejardhje, bij e nipa bllokmenësh. Oligarkë dhe qeveritarë!

Por unë dua të shkruaj për Heronjtë.

Ata që injektuan tek rinia e ‘Tironës’ dhe jo vetëm, antikomunizmin më shumë se edhe ‘Zëri i Amerikës’. Ata luanin muzikën në ambiente publike, ‘Zëri i Amerikës’, dëgjohej me zë të ulur, me frikën që as komshiu të mos kishte asnjë mundësi të dëgjonte.

Ata me muzikën që luanin, në mbrëmjet e shkollave të mesme dhe universitetit, sollën më shumë kulture perëndimore tek rinia, sa të gjitha antenat e televizorëve bashkë, kthyer kah Italisë.

Këta djem sollën me veglat e tyre muzikore, dritën, në atë errësirë komuniste që mbizotëronte në gjithë vendin.

Ishin ata, Genc Dashi kitarist, Kol Shehu kitarist, Gon Hodo kitarist, Lul Xhangolli baterist, Aleksander Gjoka këngëtar dhe kitarist, Nard Shoshi baterist, Nard Çami tastierë, Tur Kruja bas, Tan Gambeta kitarist erudit i rrallë, Buç Gazheli kitarist etj.

Pasioni i tyre për muzikën i kalonte kufijtë e mendimit të rinisë së sotme. Më kujtohet se si arritën të ndërtonin kitarat elektrike vetë. Nga muzikantë u kthyen ne mjeshtëra e ustallarë të vërtetë. Sa me pasion smerilonin me dorë copat e dërrasave të ngjitura me tutkall.

Si i stukonin anët e kitarës. Pjesa më e mahnitshme dhe më e mundimshme ishte lyerja. Presioni i pompës së improvizuar të bojës, bëhej me frymën e mushkërive të tyre.

Pasioni i muzikës ndërthurej me shpirtin, që kërkonte lirinë. Ai bëhej një aliazh, që nuk kishte spiun sigurimi dhe mbledhje fronti t’i thyente.

Këta mesazherë të lirisë, demokracisë dhe shpresës çanin zymtësinë dhe errësirën e Tiranes me tingujt e veglave të tyre.

Jam i malluar për ato kohë.

Në 11 prill të vitit 1985, e kam në kujtesën time si të ketë ndodhur dje, takova Kolin. Ora ishte rreth dhjetës. Orën e dytë e tretë e kisha pushim se zysha e matematikës mungonte. Isha në vit të dytë gjimnaz. Përqafohemi. Kur koka kalon sa në një anë në tjetrën, Koli më tërhoqi me afër vetes e më pëshpëriti: Vdiq ai plehra!

Në sytë e tij kishte një shkëlqim kënaqesie. U ndamë, ai uli kokën dhe vazhdoi rrugën. Ishte shprehja me antidiktatoriale që më kishin zënë veshët. Isha vetëm 16 vjeç. U hutova.

U ktheva dhe e ndoqa me vrap dhe e pyeta, kush ishte plehra?

Koli pasoi pyetjen time me pyetje. Kush është ai që nuk na lë të luajmë dhe të dëgjojmë muzikën e vërtete? Koli muzikën e vërtetë quante hard rrokun, metalin, rrokun klasik. Kush është ai që të internon për antenat e ‘italianit’?

Kush është ai qe i ngre njerëz që në tre të mëngjesit për dy shishe qumësht. Dhe pas ‘fitores’ se qumështit pas katër orëve në radhë, shkojnë tetë orë në pune ku ju del qumështi i nënës nga goja?

Ja ky është plehra!

Dallgë të mëdha krijuan në mendjen time, fjalët e Kolit. Ishin si proklamate antikomuniste.

Këta çuna ishin ata, që me muzikën e tyre sfiduan diktaturën më të egër në botë. Këta çuna ishin ata, që sollën të paret perëndimin.

Këta çuna ishin ata, që shpërndanë kulturë më shumë se të gjithë librat e filmat e kombinateve prodhuese të propagandës komuniste.

Ata që e quajnë veten intelektualë të asaj kohe, mundohen dhe mezi gjejnë mes rreshtave të romaneve prej qindra faqesh ndonjë shprehje që thonë-Ja ku është fryma antiregjim.

Media sot edhe të gjithë ata që dje shijuan muzikën e tyre në atë errësirë diktaturë u janë shumë borxhlinj.

Sot disa prej tyre vazhdojnë të krijojnë muzike, disa nuk janë me mes nesh, disa janë bërë qytetarë realë perëndimore dhe amerikanë.

Ndërsa shitësit e syzeve, ngelen po të tillë.

Ata sot shesin syze ndryshe nga ato të para shumë viteve. Tani ato financojnë mediat që bëjnë shqiptarët dhe rininë të shohin një jetë tjetër, atë virtualen, që ekziston vetëm duke parë nëpërmjet ‘syzeve’ të tyre, televizioneve.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Labi08/08/2018 17:18

Nderime per keta shpirtra rebele! E meritojne vemendjen dhe respektin e shoqerise tone. Zoti i nderofte ne jetet e tyre

Daj Jaku08/08/2018 16:54

Nostalgji për ato kohëra. Kujtoj njërin nga këta çuna, që herët në mëngjez nisej me kitarrën e tij drejt kodrave të liqenit (te kisha, thonim atëkohë), me guximin, pasionin e talentin e tij, për të luajtur e kënduar kangët e ndalueme. I plotfuqishmi i lagjes, polic Safeti e ndiqte dhe kërkonte ta interrnonte me akuzën: "parazit i shoqërisë socialiste". Këngëtari i madh i Rilindjes së vërtetë në errësirën komuniste, emrin e të cilës EDrama e përdhosi në Ridhjerje. ALEKSANDRI I MADH.

Shto koment

Denonco