Ish presidenti Bamir Topi ka mohuar në mënyrë kategorike se është ndjerë nën presion nga ish kryeministri Sali Berisha, Jamarbër Malltezi apo të tjerë.
Në seancën e sotme gjyqësore në GJKKO në lidhje me dosjen Partizani, Topi u pyet nga Jamarbër Malltezi.
Malltezi: A ju ka bërë ndonjëherë presion Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja?
Bamir Topi: ‘Kurrë, kurrë. Në komunikim me znj prokurore këtë i kam thënë. Asnjëherë. Prokurorja s’më ka pyetur, por unë jam shprehur se nuk kam patur asnjë lloj komunikimi të kësaj natyre.
Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dha këtë të hënë dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku u paraqit si dëshmitar i thirrur nga SPAK në gjykimin e dosjes “Partizani”.
Më tej Topi tha se e gjithë procedura është asistuar dhe nga ekspertë të NATO-s.
“E gjithë procedura e ardhur në presidencë, ka ardhur si detyrim kompetence përmes asistencës. Presidenti nuk futet në mënyrë analitike se si është përpiluar shkresa. Aty ku përgatitet teknikisht plani i përhapjes është Shtabi i Përgjithshëm.
Presidenti vihet në dijeni nëpërmjet këshilltarëve dhe personave përgjegjës për procedurën. Ishte procedurë zyrtare gjithçka ka ardhur si pasojë e prezentimit nga Shtabi i Përgjithshëm, që e kanë propozuar, aty kanë qenë edhe specialist e zyrtarë të natos.
Presidenti nuk komunikon me fjalë goje më the të thashë, por vetëm me gjuhën e komunikimit institucionale e Kushtetuese. Nga shtabi vjen presidencë shkon tek stafi i linjës më pas tek presidenti. Kam procedurën, është një listë me reparte ushtarake me numra, procedura realizohet në mënyrë shumë rigoroze, vjen nga Shtabi i Përgjithshëm (Ministria e Mbrojtjes), asistohet nga ekspertiza e NATO-s, këshilltarët e presidentit."
© SYRI.net