Banorët e fshatit Memëlisht në Pogradec vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Ata thonë se uji vjen vetëm 4 orë në ditë, duke mos plotësuar nevojat e përditshme. Shkak për këtë situatë, sipas banorëve, është bërë zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit dhe punimet pa standarde.
SYRI TV
Në kulmin e temperaturave të nxehta, banorët e fshatit Memëlisht, bashkia Pogradec, vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Ata thonë se çezmat e tyre furnizohen me orare të kufizuara, duke mos mjaftuar për të përballuar nevojat e përditshme. Në këto kushte, banorët detyrohen të mbushin ujë me bidonë në burimet e fshatit ose ta blejnë atë, duke shkaktuar kosto shtesë.
Pavarësisht investimit në rrjetin e ujësjellësit, uji vjen me orare dhe shkak për këtë, sipas tyre, janë punimet pa standarde. Ata thonë se zgjerimi është bërë pa shtuar burimet e ujit, ndërsa punimet kanë shkaktuar dëmtime në rrugë dhe defekte në tubacione.
Problemi me furnizimin me ujë të pijshëm pranohet edhe nga drejtori i Ujësjellësit, por justifikohet se shkak janë ulja e prurjeve dhe përdorimi i ujit për vaditje. Ai shtoi se brenda tre javësh pritet të përfundojë shpimi i dy burimeve të reja për të përmirësuar furnizimin.
© SYRI.net