Tenderi 68 milionë lekë/ GJKKO pranon gjykimin e shkurtuar për Benet Becin, më 14 shtator pretenca e SPAK

Tenderi 68 milionë lekë/ GJKKO pranon gjykimin e shkurtuar për Benet Becin, më 14 shtator pretenca e SPAK

16:34, 20/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka ndarë çështjen penale ndaj shtatë të pandehurve, mes të cilëve edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera në lidhje me një procedurë prokurimi me vlerë rreth 68 milionë lekë, të zhvilluar në kohën kur Beci drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).

Trupi gjykues pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar për Benet Becin, Adela Rukon, Edlira Mitrushin, Jonid Kazanin, Rudin Gjonin dhe Yllka Nishkun. Ndërkohë, çështja për të pandehurin Premtim Dauti u nda dhe ai do të gjykohet me procedurë të zakonshme, raporton për Syri TV gazetari Fatjon Gjinaj.

Në seancën e ardhshme, e caktuar për datën 14 shtator, prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi, do të paraqesë konkluzionet përfundimtare dhe do të shpallë pretencën ndaj të pandehurve.

Gjatë seancës, përveç Benet Becit, të pandehurit e tjerë dhe mbrojtësit e tyre kërkuan pushimin e çështjes, duke argumentuar se duhet të zbatohet ligji për amnistinë. Sipas tyre, ky ligj parashikon përjashtimin nga ndjekja penale të veprave të kryera deri më 31 maj 2026, të cilat dënohen me deri në tre vite burg.

Përfaqësuesi i SPAK deklaroi se do të paraqesë qëndrimin me shkrim mbi këtë kërkesë në seancën e ardhshme, ndërsa Gjykata bëri me dije se do të shprehet për këtë pretendim në vendimin përfundimtar.

Më 17 mars, GJKKO vendosi kalimin për gjykim në themel të çështjes penale ndaj Benet Becit dhe gjashtë ish-anëtarëve të njësisë së prokurimit të KESH-it. Mes tyre ndodhet edhe Adela Ruko, bashkëshortja e ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, nga telefonët e sekuestruar të të cilëve u zbuluan prova që çuan në hetimin e procedurës së prokurimit.

Sipas SPAK, të pandehurit akuzohen se kanë cenuar barazinë e operatorëve ekonomikë në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019, me objekt "Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik". Prokuroria pretendon se Benet Beci, në bashkëpunim me gjashtë vartësit e tij, ka vepruar në kundërshtim me legjislacionin për prokurimet publike, duke paracaktuar fituesin dhe duke krijuar avantazhe e privilegje të padrejta për shoqërinë fituese "Consulting & Management Albania" sh.p.k.

Sipas dosjes hetimore, veprimet e tyre dyshohet se kanë deformuar konkurrencën në procedurën e prokurimit, duke favorizuar subjektin fitues në kundërshtim me rregullat ligjore.

Hetimi ndaj Benet Becit dhe ish-vartësve të tij nisi pas analizimit të provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Evis Berberit. Ky i fundit është gjithashtu nën hetim dhe akuzohet nga SPAK për veprat penale të "shkeljes së barazisë në tendera" dhe "pastrimit të parave", ndërsa materialet e sekuestruara u konsideruan vendimtare për zbardhjen e procedurës së prokurimit të zhvilluar nga KESH.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco