Gjendet i vdekur në një guvë 58-vjeçari i zhdukur prej dy ditësh në Kuçovë

16:17, 20/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Është gjetur i pajetë 58-vjeçari Gramoz Grymshi, i cili ishte larguar nga banesa prej dy ditësh dhe rezultonte i zhdukur. Trupi i tij u zbulua brenda një guve në fshatin Drizë, në bashkinë e Kuçovës.

Sipas burimeve për Syri TV, familjarët kishin denoncuar në polici humbjen e 58-vjeçarit, pasi ai ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më. Ata kishin kërkuar ndihmën e uniformave blu për lokalizimin e tij, duke bërë me dije se prej disa muajsh ai vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Pas denoncimit, policia nisi kërkimet, të cilat u përqendruan në zonën e guvës në fshatin Drizë, pasi disa banorë kishin deklaruar se e kishin parë 58-vjeçarin të hynte në atë drejtim.

Pas disa orësh kërkime, Gramoz Grymshi u gjet i pajetë në brendësi të guvës. Sipas të dhënave paraprake të policisë, në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshohet se ai ka humbur jetën si pasojë e mungesës së oksigjenit brenda guvës.

Trupi i pajetë është transportuar në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit, ku do t'i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes, ndërsa policia vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco