Tre persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri të ndodhura mbrëmjen e sotme në Elbasan.
Ngjarja është regjistruar në një lokal në lagjen ‘Banesa’, ku sipas informacioneve paraprake, është qëlluar me armë zjarri.
Si pasojë e të shtënave një prej të plagosurve eshte kamarieri i lokalit ku ka ndodhur ngjarja.
Elbasan/Informacion paraprak
Rreth orës 20:30, në lagjen ‘Vullnetari’, Elbasan, në verandën e një lokali, një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri, pistoletë, në drejtim të tre shtetasve: A. T., 32 vjeç, R. M., 31 vjeç, dhe B. H., 19 vjeç, të cilët janë plagosur, jashtë rrezikut për jetën.
Në momentin e ngjarjes, në brendësi të lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit, i cili, sapo ka dëgjuar të shtënat, ka dalë menjëherë dhe është vënë në ndjekje të autorit.
Gjatë ndjekjes, autori ka hedhur armën e zjarrit dhe ka mundur të largohet në thellësi të lagjes. Forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën në një perimetër të gjerë dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendin e ngjarjes për sqarimin e plotë të rrethanave, si dhe për sekuestrimin e çdo prove që do t'i shërbejë hetimit për identifikimin dhe kapjen e autorit.
© SYRI.net