Topi dëshmon në GJKKO: Plani i përhapjes e dekretova se u kërkua nga NATO

Topi dëshmon në GJKKO: Plani i përhapjes e dekretova se u kërkua nga NATO

11:48, 20/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dha këtë të hënë dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku u paraqit si dëshmitar i thirrur nga SPAK në gjykimin e dosjes “Partizani”.

Në dëshminë e tij, Topi u shpreh se në cilësinë e Presidentit të Republikës dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, procesi i Planit të Përhapjes ishte një proces politik dhe teknik, i drejtuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm.

Sipas tij, bëhej fjalë për një periudhë reformash të rëndësishme në kuadër të përgatitjeve të Shqipërisë për anëtarësimin në NATO, proces që asistohej nga ekspertë të Aleancës. Topi theksoi se dokumentacioni i mbërrinte Presidentit vetëm në fazën përfundimtare për t'u mbyllur juridikisht.

"Që nga momenti që një strukturë ushtarake dilte nga Plani i Përhapjes, ajo nuk ishte më në varësi të drejtpërdrejtë të Presidentit", deklaroi ai.

Duke iu referuar ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Vladimir Qiriazi, Topi tha se kujton një takim me të, gjatë të cilit Qiriazi i paraqiti një shqetësim. Ai sqaroi se kishte ngarkuar shefin e kabinetit të konsultohej me strukturat përkatëse dhe se në fund ishte informuar se çështja nuk lidhej me kompetencat e Presidentit, pasi ishte tashmë në juridiksionin e institucioneve qeveritare.

"Ka qenë vetëm një asistencë normale që jep një kryetar shteti, ndonëse nuk ishte kompetencë e institucionit të Presidentit në këtë rast konkret", u shpreh Topi.

Lidhur me procedurat e privatizimit të kompleksit "Partizani", ish-Presidenti deklaroi se nuk ka pasur rol në këtë proces.

"Me procedurën e privatizimit kam dëgjuar si të gjithë. Ishte jashtë juridiksionit të Presidencës. Mbaj mend vetëm komunikimin me gjeneral Qiriazi dhe realizimin e konsultës që përmenda", tha ai.

Topi u pyet edhe për dekretin e 2 shtatorit 2009 për shkarkimin e gjeneral Vladimir Qiriazit nga detyra. Ai deklaroi se nuk i kujtohen propozimet konkrete për shkarkimin apo lëvizjen e tij, por beson se ato kanë ardhur nga Shtabi i Përgjithshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco