Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut, ku tre shtetas shqiptarë nga Vushtrria janë gjetur të pajetë në një automjet të përmbysur pranë kufirit me Kosovën, pasi ishin raportuar të zhdukur dy ditë më parë.
Sipas autoriteteve maqedonase, rasti u raportua mbrëmjen e 19 korrikut 2026, rreth orës 22:35, kur një qytetar njoftoi policinë për një automjet tip “Mercedes” me targa gjermane të përmbysur në aksin rrugor nga Pikëkalimi Kufitar Bllacë drejt Shkupit, pranë rrethrrotullimit të parë në kyçjen me autostradën e re që është në ndërtim.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet policore dhe shërbimet e emergjencës. Rreth orës 23:07, mjeku i Ndihmës së Shpejtë konstatoi vdekjen e tre personave që ndodheshin në automjet.
Sipas raportimeve, dy prej viktimave kishin mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dhe më pas ishin nisur drejt Kosovës. Rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar ngjarjen dhe ka bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit kanë nisur. Në vendngjarje kanë punuar edhe ekipet e Njësisë për Siguri në Komunikacionin Rrugor, zyrtarë të Stacionit Policor të Çairit dhe inspektorë të sektorit të hetimeve.
© SYRI.net